Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jezui largon pikëllimin e një të veje

Jezui largon pikëllimin e një të veje

Kapitulli 37

Jezui largon pikëllimin e një të veje

PAK pasi shëron shërbëtorin e oficerit të ushtrisë, Jezui niset për në qytetin e Nainit, mbi 30 kilometra në jugperëndim të Kapernaumit. Dishepujt e tij dhe një turmë e madhe njerëzish e shoqërojnë. Ndoshta është buzëmbrëmje, kur ata i afrohen periferisë së Nainit. Këtu, ndeshin një kortezh të përmortshëm. Trupin e vdekur të një djali të ri po e çojnë jashtë qytetit për ta varrosur.

Tragjike është veçanërisht gjendja e nënës, pasi ajo është e ve dhe ky është fëmija i saj i vetëm. Kur i vdiq i shoqi, ajo mundi të ngushëllohej me faktin që kishte djalin. Të gjitha shpresat, dëshirat dhe aspiratat e saj ishin përqendruar mbi të ardhmen e tij. Por tani, nuk ka asnjë tek i cili të gjejë ngushëllim. Pikëllimi i saj është tepër i madh, ndërsa banorët e qytetit e shoqërojnë për në vendin e varrimit.

Kur e shikon këtë grua, zemra e Jezuit preket nga trishtimi i saj i pamasë. Prandaj, me butësi, por njëkohësisht me një vendosmëri që ngjall siguri, ai i thotë: «Mos qaj!» Veprimi dhe sjellja e tij, tërheqin vëmendjen e turmës. Prandaj, kur ai afrohet dhe prek vigun mbi të cilin po mbartet trupi, ata që e mbajnë ndalen. Sigurisht, të gjithë pyesin veten se çfarë ka ndër mend të bëjë.

Është e vërtetë se ata që e shoqërojnë Jezuin e kanë parë të shërojë shumë njerëz nga sëmundjet. Por me sa duket, nuk e kanë parë kurrë të ngrejë ndonjë nga vdekja. A ka mundësi ai ta bëjë një gjë të tillë? Duke iu drejtuar trupit, Jezui urdhëron: «Djalosh, unë të them, çohu!» Dhe djali ngrihet ndenjur! Ai fillon të flasë dhe Jezui ia jep nënës.

Kur njerëzit shikojnë se djali është gjallë, ata fillojnë të thonë: «Midis nesh doli një profet i madh.» Disa të tjerë thonë: «Perëndia e drejtoi vëmendjen nga populli i tij.» (BR) Shpejt, lajmi lidhur me këtë vepër të mahnitshme përhapet në të gjithë Judenë dhe në mbarë vendin përreth.

Gjon Pagëzuesi është akoma në burg dhe dëshiron të mësojë më tepër mbi veprat që është në gjendje të kryejë Jezui. Dishepujt e tij i flasin atij për këto mrekulli. Si reagon ai? Luka 7:11-18.

▪ Çfarë po ndodh ndërsa Jezui i afrohet Nainit?

▪ Çfarë ndikimi ka mbi Jezuin ajo që shikon dhe çfarë bën ai?

▪ Si reagojnë njerëzit ndaj mrekullisë së Jezuit?