Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jezui mëson në Jeriko

Jezui mëson në Jeriko

Kapitulli 99

Jezui mëson në Jeriko

SHPEJT, Jezui dhe turmat që udhëtojnë me të mbërrijnë në Jeriko, qytet që është afërsisht një ditë rrugë larg Jerusalemit. Me sa duket, Jerikoja është një qytet i dyfishtë; qyteti i vjetër jude ndodhet rreth një kilometër e gjysmë larg qytetit më të ri romak. Ndërsa turmat dalin nga qyteti i vjetër dhe i afrohen të riut, dy lypës të verbër dëgjojnë rrëmujën. Njëri prej tyre quhet Bartime.

Sapo marrin vesh se ai që po kalon është Jezui, Bartimeu dhe shoku i tij fillojnë të thërrasin: «Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit.» Kur turma i urdhëron rreptësisht që të pushojnë, ata bërtasin edhe më shumë dhe me zë edhe më të lartë: «Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit!»

Me të dëgjuar trazirën, Jezui ndalon. Ai u kërkon atyre që janë me të që të thërrasin njerëzit që po bërtasin. Ata shkojnë te lypësit e verbër dhe i thonë njërit prej tyre: «Merr zemër, çohu, ai po të thërret!» Me një entuziazëm të papërmbajtshëm, i verbri e hedh tutje mantelin e tij, kërcen në këmbë dhe shkon te Jezui.

«Çfarë doni të bëj për ju?»—pyet Jezui.

«Zot, të na hapen sytë»,—përgjërohen dy të verbërit.

I shtyrë nga dhembshuria, Jezui u prek sytë. Sipas tregimit të Markut, Jezui i thotë njërit prej tyre: «Shko, besimi yt të shëroi.» Menjëherë, lypësve të verbër u vjen shikimi dhe padyshim, të dy fillojnë të lëvdojnë Perëndinë. Kur njerëzit shikojnë se çfarë ka ndodhur, edhe ata i japin lavdi Perëndisë. Pa vonesë, Bartimeu dhe shoku i tij fillojnë të ndjekin Jezuin.

Ndërsa Jezui kalon përmes Jerikosë, turmat që e rrethojnë janë jashtëzakonisht të mëdha. Të gjithë duan të shohin atë që ka shëruar të verbrit. Njerëzit shtyhen nga çdo anë drejt Jezuit dhe si rezultat, disa prej tyre nuk arrijnë dot as ta shohin shkarazi. Midis këtyre është edhe Zakeu, kreu i taksambledhësve në Jeriko dhe në zonën përreth. Ai është tepër i shkurtër për të parë atë që po ndodh.

Prandaj, Zakeu vrapon përpara dhe hipën në një fik egjipti, përgjatë rrugës në të cilën do të kalojë Jezui. Nga ky pozicion i favorshëm, ai mund ta shohë mirë çdo gjë. Ndërsa turmat afrohen, Jezui ngre kokën lart drejt pemës dhe thërret: «Zake, zbrit shpejt poshtë, sepse sot duhet të rri në shtëpinë tënde.» Zakeu zbret poshtë me gëzim dhe nxiton për në shtëpi që të bëjë përgatitjet për mysafirin e tij të nderuar.

Por, kur shohin atë që po ndodh, të gjithë fillojnë të murmuritin të pakënaqur. Ata e konsiderojnë të papërshtatshme që Jezui të jetë mysafir i një njeriu të tillë, pasi Zakeu është pasuruar në mënyrë të pandershme, duke përfituar nga puna e tij si taksambledhës për të zhvatur para.

Shumë njerëz e ndjekin Jezuin dhe kur hyn në shtëpinë e Zakeut, ata ankohen: «Ai shkoi të rrijë në shtëpinë e një njeriu mëkatar.» Sidoqoftë Jezui shikon te Zakeu mundësinë për t’u penduar. Dhe nuk mbetet i zhgënjyer, sepse Zakeu ngrihet në këmbë dhe deklaron: «Ja, Zotëri, gjysmën e zotërimeve të mia po ua jap të varfërve dhe gjithçka që i kam marrë ndokujt me anë të një akuze të rreme, po ia kthej katërfish.»—BR.

Zakeu provon se pendimi i tij është i sinqertë, duke ia dhënë gjysmën e zotërimeve të tij të varfërve dhe duke e përdorur gjysmën tjetër për të ripaguar ata që ka mashtruar. Me sa duket, ai mund të llogaritë shumën e saktë që u detyrohet këtyre njerëzve, me anë të regjistrit të taksave. Kështu, ai betohet të kthejë katërfishin, në përputhje me ligjin e Perëndisë që thotë: ‘Në rast se ndokush vjedh një dele, do të kthejë katër dele për delen.’

Jezui është i kënaqur me mënyrën në të cilën Zakeu premton t’i shpërndajë zotërimet e tij, sepse Ai thotë: «Sot në këtë shtëpi ka hyrë shpëtimi, sepse edhe ky është biri i Abrahamit. Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur.»

Pak më parë, Jezui e kishte ilustruar gjendjen e ‘të humburve’ me anë të tregimit të djalit plëngprishës. Tani kemi një shembull real nga jeta, të një njeriu të humbur i cili është gjetur. Edhe pse krerët fetarë dhe ata që i shkojnë pas murmuritin dhe ankohen kundër Jezuit sepse tregon kujdes për individë si Zakeu, Jezui vazhdon t’i kërkojë dhe t’i kthejë këta bij të humbur të Abrahamit. Mateu 20:29-34; Marku 10:46-52; Luka 18:35–19:10; Eksodi 22:1.

▪ Me sa duket, ku i takon Jezui lypësit e verbër dhe çfarë bën ai për ta?

▪ Kush është Zakeu dhe përse hipën në një pemë?

▪ Si jep Zakeu prova të pendimit të tij?

▪ Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga mënyra në të cilën Jezui e trajton Zakeun?