Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jezui plotëson gjithçka që i ka kërkuar Perëndia

Jezui plotëson gjithçka që i ka kërkuar Perëndia

Kapitulli 133

Jezui plotëson gjithçka që i ka kërkuar Perëndia

ÇFARË shkaku për gëzim do të ketë, kur Mbreti luftëtar Jezu Krisht të eliminojë Satanain dhe botën e tij të padrejtë! Më në fund fillon mbretërimi paqësor mijëvjeçar i Jezuit!

Nën drejtimin e Jezuit dhe të atyre që do të mbretërojnë me të, të mbijetuarit e Harmagedonit do të eliminojnë rrënojat e mbetura nga ajo luftë e drejtë. Ka të ngjarë që për një farë kohe të mbijetuarit në tokë të lindin fëmijë dhe edhe këta do të marrin pjesë në punën e kënaqshme të kultivimit të tokës, për ta kthyer atë në një kopsht të mrekullueshëm ngjashëm një parku.

Me kalimin e kohës Jezui do të ngrejë nga varret miliona të panumërt njerëzish për të gëzuar jetën në këtë parajsë të bukur. Do ta bëjë këtë në përmbushje të garancisë që dha, kur tha: «Po vjen ora kur të gjithë ata që gjenden në varret përkujtimore . . . do të dalin jashtë.»—BR.

Midis atyre që do të ringjallë Jezui do të jetë edhe keqbërësi i dikurshëm që vdiq pranë tij në shtyllën e mundimeve. Kujtoni që Jezui i premtoi: «Me të vërtetë të them sot: Ti do të jesh me mua në parajsë.» Jo, ai njeri nuk do të merret në qiell për të sunduar si mbret me Jezuin dhe as Jezui nuk do të bëhet përsëri një njeri për të jetuar me të në tokën parajsore. Në vend të kësaj, Jezui do të jetë me ish-keqbërësin në kuptimin që do ta risjellë atë në jetë në parajsë dhe do të kujdeset që nevojat e tij, si fizike ashtu edhe frymore, të plotësohen siç ilustrohet në faqen tjetër.

Mendoni mbi këtë! Nën kujdesin e dashur të Jezuit, e gjithë familja njerëzore e përbërë nga të mbijetuarit e Harmagedonit, nga pasardhësit e tyre dhe nga miliarda të ringjallur që i binden atij, do të shkojë në mënyrë progresive drejt përsosmërisë njerëzore. Me anë të Birit të tij Mbret, Jezu Krishtit, Jehovai do të banojë frymësisht me njerëzimin. «Dhe,—ashtu siç thotë zëri që Gjoni dëgjoi nga qielli, ai,—do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim.» Asnjë njeri mbi tokë nuk do të vuajë apo do të jetë i sëmurë.

Në fund të mbretërimit mijëvjeçar të Jezuit, gjendja do të jetë pikërisht ashtu siç e kishte fillimisht si qëllim Perëndia, kur i tha çiftit të parë njerëzor, Adamit dhe Evës që të shumoheshin dhe të mbushnin tokën. Po, toka do të mbushet nga një familje e drejtë dhe e përsosur njerëzore. Kjo do të ndodhë, sepse dobitë e flijimit shpërblyes të Jezuit do të jenë zbatuar mbi të gjithë. Vdekja për shkak të mëkatit të Adamit nuk do të jetë më!

Kështu, Jezui do të ketë përmbushur gjithçka që Jehovai i ka kërkuar. Për këtë arsye, në fund të një mijë vjetëve, ai do t’ia dorëzojë Mbretërinë dhe familjen e përsosur njerëzore Atit të tij. Atëherë, Perëndia do ta lirojë Satanain dhe demonët e tij nga humnera e gjendjes joaktive ngjashëm vdekjes. Për çfarë qëllimi?

Mirë pra, në fund të një mijë vjetëve, shumica e atyre që do të jetojnë në parajsë do të jenë persona të ringjallur, besimi i të cilëve nuk është sprovuar kurrë. Para se të vdisnin ata nuk i kishin njohur kurrë premtimet e Perëndisë dhe kështu nuk mund të shfaqnin besim në to. Më vonë, pas ringjalljes dhe mësimit të të vërtetave biblike, për ta ishte e lehtë që t’i shërbenin Perëndisë në parajsë pa asnjë kundërshtim. Por a do të dilnin besnikë nën sprovë, nëse Satanait do t’i jepej mundësia për t’u përpjekur që t’i largonte nga shërbimi i Perëndisë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje Satanai do të lirohet.

Zbulesa që iu dha Gjonit tregon se pas mbretërimit mijëvjeçar të Jezuit, Satanai do të ketë sukses në largimin e një numri të papërcaktuar njerëzish nga shërbimi i Perëndisë. Por, kur sprova e fundit të ketë mbaruar, Satanai dhe demonët e tij, si dhe të gjithë ata që ai arriti të largonte nga rruga e drejtë, do të shkatërrohen përgjithmonë. Nga ana tjetër, të mbijetuarit besnikë dhe të sprovuar plotësisht do të vazhdojnë të jetojnë për të gëzuar bekimet e Atit të tyre qiellor për gjithë përjetësinë.

Qartë, Jezui ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë një rol jetësor në plotësimin e qëllimeve të lavdishme të Perëndisë. Çfarë të ardhme të mrekullueshme mund të gëzojmë në saje të gjithë asaj që kryen ai si Mbreti i madh qiellor i Perëndisë! Megjithatë, ne nuk mund të harrojmë gjithçka që bëri ndërsa ishte një njeri.

Jezui erdhi në tokë vullnetarisht dhe na mësoi në lidhje me Atin e tij. Përveç kësaj, ai mishëroi cilësitë e çmueshme të Perëndisë. Zemrat tona preken kur shqyrtojmë guximin dhe burrërinë e tij madhështore, mençurinë e pakrahasueshme, aftësinë e tij të shkëlqyer të të mësuarit, udhëheqjen e patrembur, si dhe dhembshurinë e butë dhe empatinë. Kur kujtojmë vuajtjet e tij të papërshkrueshme, ndërsa siguronte shpërblesën si mjeti i vetëm me anë të të cilit mund të fitojmë jetën, pa dyshim zemra jonë preket nga çmueshmëria për të.

Vërtet, çfarë njeriu kemi njohur në këtë studim të jetës së Jezuit! Madhështia e tij është e dukshme dhe e padiskutueshme. Ne nxitemi t’u bëjmë jehonë fjalëve të guvernatorit romak Ponc Pilati që tha: «Ja! Njeriu!» (BR) Po, vërtet, «njeriu», më i madhi që ka jetuar ndonjëherë!

Duke pranuar sigurimin e flijimit të tij shpërblyes, barra e mëkatit dhe e vdekjes që kemi trashëguar nga Adami mund të hiqet prej nesh dhe Jezui mund të bëhet ‘Ati [ynë] i përjetshëm’. Të gjithë ata që dëshirojnë të fitojnë jetën e përhershme duhet të marrin njohuri jo vetëm për Perëndinë, por edhe për Birin e tij, Jezu Krishtin. Leximi dhe studimi i këtij libri qofshin për ju një ndihmë në marrjen e kësaj njohurie jetëdhënëse! 1. Gjonit 2:17; 1:7; Gjoni 5:28, 29; 3:16; 17:3; 19:5; Luka 23:43; Zanafilla 1:28; 1. Korintasve 15:24-28; Zbulesa 20:1-3, 6-10; 21:3, 4; Isaia 9:6, BR.

▪ Çfarë privilegji të gëzueshëm do të kenë të mbijetuarit e Harmagedonit dhe fëmijët e tyre?

▪ Cilët do ta gëzojnë jetën në parajsë përveç të mbijetuarve të Harmagedonit e fëmijëve të tyre dhe në ç’kuptim Jezui do të jetë me ta?

▪ Si do të jetë gjendja në fund të një mijë vjetëve dhe çfarë do të bëjë në atë kohë Jezui?

▪ Përse do të lirohet Satanai nga humnera dhe çfarë do t’i ndodhë më në fund atij dhe të gjithë atyre që e ndjekin?

▪ Si mund të bëhet Jezui ‘Ati [ynë] i përjetshëm’?