Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jezui qorton ashpër farisenjtë

Jezui qorton ashpër farisenjtë

Kapitulli 42

Jezui qorton ashpër farisenjtë

JEZUI argumenton se, nëse do t’i dëbonte demonët me fuqinë e Satanait, atëherë Satanai do të ishte i përçarë në vetvete. «Ju njerëz, ose e bëni të shkëlqyer pemën dhe të shkëlqyer frytin e saj, ose e bëni të prishur pemën dhe të prishur frytin e saj, sepse pema njihet nga frytet e saj.»—BR.

Është e palogjikshme të thuhet se një fryt i mirë siç është dëbimi i demonëve, vjen ngaqë Jezui i shërben Satanait. Nëse fryti është i shkëlqyer, pema nuk mund të jetë e prishur. Nga ana tjetër, fryti i prishur i farisenjve, domethënë akuzat absurde dhe kundërshtimi i tyre pa bazë kundrejt Jezuit, provon se ata vetë janë të prishur. «O pjellë nepërkash,—bërtet Jezui,—si mund të flisni mirë, kur jeni të këqij? Sepse ç’ka zemra qet goja.»

Meqënëse fjalët tona pasqyrojnë gjendjen e zemrës sonë, ajo që themi përbën një bazë për gjykim. «Unë po ju them,—thotë Jezui,—se ditën e gjyqit, njerëzit do të japin llogari për çdo fjalë të kotë që kanë thënë. Sepse në bazë të fjalëve të tua do të justifikohesh dhe në bazë të fjalëve të tua do të dënohesh.»

Ndonëse Jezui ka kryer gjithë ato vepra të fuqishme, farisenjtë thonë: «Mësues, ne duam të shohim ndonjë shenjë prej teje.» Edhe pse, këta njerëz nga Jerusalemi, mund të mos i kenë parë personalisht mrekullitë e tij, lidhur me to ekzistojnë dëshmi okulare të pamohueshme. Prandaj Jezui u thotë krerëve fetarë judenj: «Ky brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por asnjë shenjë nuk do t’i jepet, përveç shenjës së profetit Jona.»

Duke shpjeguar se çfarë do të thotë me këtë, Jezui vazhdon: «Në fakt, ashtu si Jona qëndroi tri ditë e tri netë në barkun e peshkut të madh, kështu Biri i njeriut do të qëndrojë tri ditë e tri netë në zemër të tokës.» Pas gëlltitjes nga peshku, Jonai doli jashtë sikur të ishte ringjallur, prandaj në këtë mënyrë, Jezui po parathotë se do të vdesë dhe ditën e tretë do të ngrihet në jetë. Megjithatë, krerët fetarë judenj, e hedhin poshtë ‘shenjën e Jonës’, edhe më vonë pasi Jezui ringjallet.

Për këtë arsye, Jezui thotë se banorët e Ninevisë, të cilët u penduan pas predikimit të Jonait, do të ngrihen në gjyq për të dënuar judenjtë që po e hedhin poshtë Jezuin. Në mënyrë të ngjashme, ai bën një krahasim me mbretëreshën e Shebës, e cila erdhi nga skajet më të largëta të tokës, për të dëgjuar mençurinë e Solomonit dhe u mrekullua nga ato që pa dhe dëgjoi. «Dhe ja,—vëren Jezui,—këtu është një më i madh se Solomoni.»

Më pas, Jezui bën një ilustrim që flet për një njeri, nga i cili del një frymë e papastër. Mirëpo, ky njeri nuk e mbush vendin e mbetur bosh me gjëra të mira dhe për këtë arsye pushtohet edhe nga shtatë frymëra të tjera të liga. «Kështu do t’i ndodhë edhe këtij brezi të mbrapshtë»,—thotë Jezui. Kombi i Izraelit ishte pastruar dhe ishte korrigjuar, ngjashëm largimit të përkohshëm të një fryme të papastër. Por, refuzimi i profetëve të Perëndisë, nga ana e kombit, që arrin kulmin me kundërshtimin ndaj vetë Krishtit, zbulon se gjendja e tij e ligë, tani, është shumë herë më e keqe se e mëparshmja.

Ndërsa Jezui është duke folur, vijnë nëna dhe vëllezërit e tij dhe qëndrojnë në fund të turmës. Prandaj, dikush thotë: «Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë atje jashtë dhe duan të flasin me ty.»

«Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?»—pyet Jezui. Duke e shtrirë dorën drejt dishepujve të tij, ai thotë: «Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi. Sepse kushdo që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej, më është vëlla, motër dhe nënë.» Në këtë mënyrë, Jezui tregon se, pavarësisht se sa të forta janë lidhjet që e bashkojnë me familjarët e tij, marrëdhënia që ka me dishepujt, është akoma më e shtrenjtë. Mateu 12:33-50; Marku 3:31-35; Luka 8:19-21.

▪ Në ç’mënyrë, farisenjtë nuk arrijnë ta bëjnë të shkëlqyer, as ‘pemën’, as ‘frytin’?

▪ Ç’është ‘shenja e Jonës’ dhe në ç’mënyrë hidhet poshtë, më vonë, ajo?

▪ Në ç’kuptim, populli i Izraelit në shekullin e parë, është ngjashëm njeriut prej të cilit ka dalë një frymë e papastër?

▪ Si e thekson Jezui marrëdhënien e ngushtë që ka me dishepujt?