Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Këputin grurë të shtunën

Këputin grurë të shtunën

Kapitulli 31

Këputin grurë të shtunën

SHPEJT Jezui dhe dishepujt e tij largohen nga Jerusalemi për t’u kthyer në Galile. Është pranverë dhe tashmë gruri në fusha ka zënë kallinj. Dishepujt janë të uritur. Prandaj, ata këputin kallinj gruri dhe i hanë. Por, pasi është e shtunë, veprimet e tyre nuk kalojnë pa u vërejtur.

Pak më parë, në Jerusalem, krerët fetarë ishin përpjekur për ta vrarë Jezuin për shkeljet e supozuara të së shtunës. Tani farisenjtë bëjnë një akuzë: «Ja, dishepujt e tu po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën.»

Farisenjtë pohojnë se këputja e grurit dhe shkoqja e tij me duar për ta ngrënë është korrje dhe shirje. Por interpretimi i tyre i ngurtë, i asaj që do të thotë punë e ka bërë të shtunën një barrë, kur përkundrazi ishte menduar që të ishte një kohë e gëzueshme dhe ndërtuese frymësisht. Prandaj Jezui kundërshton duke përdorur shembuj biblikë për të treguar se Perëndia Jehova nuk kishte pasur kurrë ndër mend një aplikim të tillë, tepër strikt të ligjit të Tij të së shtunës.

Jezui u thotë se, kur ishin të uritur, Davidi dhe burrat e tij, ndaluan në tabernakull dhe hëngrën bukët e paraqitjes. Ato bukë të paraqitura para Jehovait tashmë ishin hequr dhe ishin zëvendësuar me bukë të freskëta dhe zakonisht, pas kësaj, mund të haheshin vetëm nga priftërinjtë. Megjithatë, për shkak të rrethanave, Davidi dhe burrat e tij nuk u dënuan për ngrënien e tyre.

Duke sjellë një shembull tjetër, Jezui thotë: «Nuk keni lexuar në ligj që në tempull, të shtunave, priftërinjtë e shkelin të shtunën e megjithatë nuk mëkatojnë?» Po, priftërinjtë vazhdojnë edhe të shtunave të therin dhe të bëjnë punë të tjera në tempull, për të përgatitur flijimet e kafshëve! «Dhe unë po ju them,—thotë Jezui,—se këtu është një më i madh se tempulli.»

Duke i qortuar farisenjtë, Jezui vazhdon: «Dhe po të dinit se çfarë do të thotë, ‘Unë dua mëshirë dhe jo flijime’, nuk do të kishit dënuar të pafajshmit.» Pastaj përfundon: «Sepse Biri i njeriut është Zot edhe i së shtunës.» Çfarë do të thotë Jezui me këtë? Ai po i referohet sundimit mijëvjeçar të Mbretërisë së tij paqësore.

Deri tani, për 6.000 vjet, njerëzimi ka vuajtur nën skllavërimin stërmundues të Satana Djallit, duke pasur në rend të ditës dhunën dhe luftërat. Por, nga ana tjetër, sundimi i madh shtunor i Krishtit do të jetë një kohë lehtësimi nga të gjitha këto vuajtje dhe shtypje. Mateu 12:1-8; Levitiku 24:5-9; 1. Samuelit 21:1-6; Numrat 28:9; Hozea 6:6.

▪ Çfarë akuze ngrihet kundër dishepujve të Jezuit dhe si i përgjigjet Jezui asaj?

▪ Çfarë mangësie të farisenjve nxjerr në dukje Jezui?

▪ Në ç’kuptim Jezui është ‘Zot i së shtunës’?