Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Këshilla për Martën dhe udhëzime mbi lutjen

Këshilla për Martën dhe udhëzime mbi lutjen

Kapitulli 74

Këshilla për Martën dhe udhëzime mbi lutjen

GJATË shërbimit të tij në Jude, Jezui hyn në fshatin e Betanisë. Këtu jetojnë Marta, Maria dhe vëllai i tyre, Lazri. Ndoshta Jezui është njohur me këta të tre që në fillimet e shërbimit të tij dhe kështu, tashmë është një mik i ngushtë i tyre. Sido që të jetë, tani Jezui shkon në shtëpinë e Martës dhe ajo e mirëpret.

Marta mezi pret që t’i ofrojë Jezuit gjërat më të mira që ka. Në të vërtetë, është një nder shumë i madh që të kesh vizitor në shtëpi Mesinë e premtuar! Kështu që Marta jep e merr për të përgatitur një tryezë me të gjitha të mirat dhe i kushton kujdes edhe shumë imtësive të tjera që kanë si qëllim ta bëjnë qëndrimin e Jezuit sa më të kënaqshëm dhe të rehatshëm.

Nga ana tjetër, Maria, motra e Martës, ulet pranë këmbëve të Jezuit dhe e dëgjon. Pas pak, Marta i afrohet Jezuit dhe i thotë: «Zot, a nuk të intereson që ime motër më la vetëm të shërbej? I thuaj, pra, të më ndihmojë.»

Por Jezui nuk pranon t’i thotë asgjë Marisë. Përkundrazi, ai këshillon Martën për faktin që merakoset tepër për gjërat materiale. «Martë, Martë,—e qorton ai butësisht,—ti je në ankth dhe e shqetësuar për shumë gjëra. Megjithatë, vetëm disa gjëra janë të nevojshme ose vetëm një.» (BR) Jezui po thotë se nuk duhet harxhuar medoemos shumë kohë, duke përgatitur shumë gjëra për një vakt. Vetëm disa gjëra ose edhe vetëm një, është e mjaftueshme.

Qëllimet e Martës janë të mira; ajo dëshiron të jetë një amvisë mikpritëse. Por, me kujdesin e saj të ankthshëm për gjërat materiale, ajo po humbet rastin për të marrë udhëzime, nga vetë Biri i Perëndisë! Prandaj Jezui përfundon duke thënë: «Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që asaj nuk do t’i hiqet.»

Më vonë, në një rast tjetër, një dishepull i bën Jezuit një kërkesë, duke thënë: «Zot, na mëso të lutemi, ashtu siç i mësoi Gjoni dishepujt e vet.» Ndoshta ky dishepull nuk ka qenë i pranishëm rreth një vit e gjysmë më parë, kur Jezui dha lutjen model në Fjalimin e tij në Mal. Prandaj, Jezui përsërit po ato udhëzime, por më pas vazhdon me një ilustrim që thekson nevojën për të qenë këmbëngulës në lutje.

«A ka midis jush njeri,—fillon Jezui,—që ka një mik dhe i shkon në mesnatë e i thotë: ‘Mik më jep hua tri bukë, sepse më erdhi nga udha miku im dhe unë s’kam çfarë t’i vë përpara’; dhe ai, nga brenda, duke u përgjigjur, i thotë: ‘Mos më bezdis, dera është tashmë e mbyllur dhe fëmijët e mi ranë në shtrat me mua; nuk mund të çohem të t’i jap’? Unë po ju them se, edhe nëse nuk çohet t’ia japë sepse e ka mik, do të çohet, gjithsesi, për shkak të insistimit të tij dhe do t’i japë të gjitha bukët që i nevojiten.»

Me anë të këtij krahasimi, Jezui nuk ka qëllim që të nënkuptohet se Perëndia Jehova nuk është i gatshëm t’iu përgjigjet kërkesave, siç ishte miku në historinë që tregoi. Jo, Jezui po ilustron faktin se, nëse një mik që nuk është i gatshëm për të ndihmuar, i përgjigjet kërkesave të vazhdueshme, sa më shumë do të veprojë kështu Ati ynë i dashur qiellor! Për këtë arsye, Jezui shton: «Prandaj unë po ju them: ‘Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet.’ Sepse kushdo që kërkon, merr, kushdo që kërkon, gjen dhe kujtdo që troket, do t’i hapet.»—BR.

Pastaj, Jezui i referohet etërve njerëzorë të papërsosur e mëkatarë, duke thënë: «Dhe cili nga ju është baba i tillë që, po t’i kërkojë bukë djali, i jep një gur? Ose po t’i kërkojë një peshk, në vend të peshkut i jep një gjarpër? Ose po t’i kërkojë një vezë i jep një akrep? Nëse ju, pra, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj qiellor do t’u dhurojë frymën e shenjtë atyre që ia kërkojnë.» Vërtet, çfarë inkurajimi nxitës jep Jezui për të qenë ngulmues në lutje! Luka 10:38–11:13.

▪ Përse jepet Marta pas kaq shumë përgatitjeve për Jezuin?

▪ Çfarë bën Maria dhe pse Jezui lavdëron atë, në vend se Martën?

▪ Çfarë e shtyn Jezuin që të përsëritë udhëzimet e tij mbi lutjen?

▪ Si e ilustron Jezui nevojën për të qenë këmbëngulës në lutje?