Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Këshilla të mëtejshme korrigjuese

Këshilla të mëtejshme korrigjuese

Kapitulli 63

Këshilla të mëtejshme korrigjuese

NDËRSA Jezui dhe apostujt e tij janë akoma në shtëpinë në Kapernaum, përveç faktit se kush është më i madhi, diskutohet edhe diçka tjetër. Edhe kjo ngjarje mund të ketë ndodhur, ndërsa ishin duke u kthyer në Kapernaum, në ndonjë moment kur Jezui nuk ka qenë i pranishëm personalisht. Apostulli Gjon raporton: «Ne pamë një njeri që nuk na ndjek, që i dëbonte demonët në emrin tënd dhe ia ndaluam sepse ai nuk na ndjek.»

Me sa duket, Gjoni i konsideron apostujt si i vetmi ekip shëruesish të autorizuar. Prandaj, ai mendon se atij njeriu nuk i takonte të kryente vepra të fuqishme, pasi nuk bënte pjesë në grupin e tyre.

Por Jezui këshillon: «Mos ia ndaloni, sepse s’ka njeri që mund të bëjë një vepër të fuqishme në emrin tim dhe fill pas kësaj të flasë keq për mua. Sepse kush nuk është kundër nesh, është me ne. Në fakt, kushdo që do t’ju japë të pini një gotë ujë në emrin tim, sepse jeni të Krishtit, në të vërtetë po ju them se me siguri nuk do ta humbasë shpërblimin e vet.»

Për të qenë nga ana e Jezuit, nuk ishte e domosdoshme që ky burrë ta ndiqte fizikisht. Kongregacioni i krishterë nuk ishte ngritur akoma, prandaj fakti që ai nuk bënte pjesë në grupin e tyre, nuk do të thoshte që i përkiste një kongregacioni tjetër. Ai kishte me të vërtetë besim te emri i Jezuit dhe për këtë arsye kishte sukses në dëbimin e demonëve. Ajo që po bënte, ishte diçka e ngjashme me atë që, siç tha Jezui, meritonte shpërblim. Jezui tregon se për këtë që po bën, ai nuk do ta humbasë shpërblimin e tij.

Por, po sikur fjalët dhe veprimet e apostujve të ishin bërë pengesë për atë njeri? Kjo do të ishte shumë serioze! Jezui vëren: «Kush do të skandalizojë një nga këta të vegjlit që besojnë në mua, do të ishte më mirë për të t’i varet në qafë një gur mulliri dhe të hidhet në det.»

Jezui thotë se ithtarët e tij duhet të heqin nga jeta e tyre çfarëdolloj gjëje që mund të bëhet shkak pengese për ta, edhe nëse e kanë po aq të shtrenjtë sa edhe dora, këmba ose syri. Më mirë të jenë pa një gjë të shtrenjtë dhe të hyjnë në Mbretërinë e Perëndisë, sesa ta mbajnë atë dhe të hidhen në Gehena (një grumbull mbeturinash që digjen, afër Jerusalemit), e cila simbolizon shkatërrimin e përhershëm.

Gjithashtu, Jezui paralajmëron: «Ruhuni se përbuzni ndonjë nga këta të vegjlit, sepse unë po ju them se engjëjt e tyre në qiej shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim që është në qiej.» Pastaj ai ilustron se sa të çmuar janë këta «të vegjël», duke treguar për një burrë që zotëron njëqind dele, por humb njërën prej tyre. Jezui shpjegon se burri do t’i lërë të 99 delet e tjera për të kërkuar të humburën dhe me ta gjetur, do të gëzohet më shumë për të, sesa për 99 të tjerat. «Kështu,—thotë në përfundim Jezui,—është vullneti i Atit tuaj që është në qiej, që asnjë nga këta të vegjlit të mos humbasë.»

Ndoshta, duke pasur ndër mend grindjen e apostujve me njëri-tjetrin, Jezui i nxit: «Kini kripë në vetvete dhe jetoni në paqe me njëri-tjetrin.» Kripa i bën më të pëlqyeshme ushqimet që s’kanë shije. Në të njëjtën mënyrë, kripa figurative e bën atë që thuhet, më të lehtë për t’u pranuar. Pasja e kësaj kripe ndihmon në ruajtjen e paqes.

Megjithatë, për shkak të papërsosmërisë njerëzore, do të ndodhin ndonjëherë edhe grindje serioze. Jezui jep udhëzime edhe për trajtimin e tyre. «Nëse vëllai yt kryen një mëkat,—thotë Jezui,—shko, zbuloje fajin e tij vetëm mes teje dhe atij. Nëse të dëgjon, e ke fituar vëllanë tënd.» (BR) Por në qoftë se nuk të dëgjon, Jezui këshillon: «Merr me vete edhe një ose dy vetë, që çdo fjalë të vërtetohet nga goja e dy ose tre dëshmitarëve.»

Vetëm si mjet të fundit, thotë Jezui, referoja çështjen «kongregacionit» (BR), që do të thotë, mbikëqyrësve përgjegjës të kongregacionit, të cilët mund të japin një vendim gjyqësor. Nëse mëkatari nuk e pranon vendimin e tyre, Jezui përfundon duke thënë: «Le të jetë për ty si pagan ose tagrambledhës.»

Në marrjen e vendimeve të tilla, është e nevojshme që mbikëqyrësit t’u përmbahen ngushtësisht udhëzimeve që gjenden në Fjalën e Perëndisë. Duke vepruar kështu, kur ata gjykojnë se një individ është fajtor dhe meriton ndëshkim, gjykimi ‘tashmë do të jetë lidhur edhe në qiell’. Dhe kur ata ‘të zgjidhin në tokë’, domethënë, kur të gjykojnë se dikush është i pafajshëm, gjykimi tashmë do të jetë ‘zgjidhur edhe në qiell’. Në këto diskutime gjyqësore, Jezui thotë se ‘kudo që janë dy a tre të bashkuar në emrin tim, unë jam në mes tyre’. Mateu 18:6-20; Marku 9:38-50; Luka 9:49, 50.

▪ Përse në ditët e Jezuit nuk ishte e domosdoshme që dikush ta ndiqte atë?

▪ Sa serioze është çështja, kur dikush bëhet shkak pengese për një të vogël dhe si e ilustron Jezui rëndësinë e këtyre të vegjëlve?

▪ Çfarë mund ta ketë shtyrë Jezuin për t’i inkurajuar dishepujt që të kenë kripë midis tyre?

▪ Cila është domethënia e ‘lidhjes’ dhe e ‘zgjidhjes’?