Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Krenarët dhe të përulurit

Krenarët dhe të përulurit

Kapitulli 39

Krenarët dhe të përulurit

PASI përmend virtytet e Gjon Pagëzuesit, Jezui e drejton vëmendjen ndaj njerëzve krenarë dhe të paqëndrueshëm që janë përreth. Ai deklaron se ky brez «është si ata fëmijët që ulen në pazare dhe u thërrasin shokëve të tyre të lojës, duke thënë: ‘Ne i ramë flautit për ju, por ju nuk kërcyet; ne vajtuam, por ju nuk e goditët veten nga hidhërimi’».—BR.

Çfarë do të thotë Jezui me këtë? Ai shpjegon: «Erdhi Gjoni që as hante, as pinte dhe ata thonë: ‘Ai ka një demon.’ Erdhi Biri i njeriut që ha dhe pi dhe ata thonë: ‘Ja një grykës dhe një pijanec, miku i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve.’»

Është e pamundur që të kënaqet populli. Asgjë nuk u pëlqen. Gjoni ka bërë një jetë asketike dhe vetëmohuese si një nazire, në përputhje me deklaratën e engjëllit që tha: «[Ai] nuk do të pijë as verë, as pije dehëse.» E megjithatë, njerëzit thonë se ai është i pushtuar nga demonët. Nga ana tjetër, Jezui nuk ndjek një mënyrë asketike jetese, por jeton si gjithë të tjerët dhe ata e akuzojnë për teprime.

Sa e vështirë është të kënaqen njerëzit! Ata janë si shokët e lojës, disa prej të cilëve nuk pranojnë të kërcejnë, kur fëmijët e tjerë i bien flautit ose nuk hidhërohen, kur shokët e tyre vajtojnë. Megjithatë, Jezui thotë: «Mençuria është provuar e drejtë nga veprat e saj.» (BR) Po, faktet, pra veprat, e bëjnë të qartë se akuzat kundër Gjonit dhe Jezuit janë të rreme.

Jezui vazhdon duke qortuar në mënyrë të veçantë tri qytete: Korazinin, Betsaidën dhe Kapernaumin, në të cilat ai ka kryer pjesën më të madhe të veprave të tij të fuqishme. Jezui thotë se, nëse ato vepra do t’i kishte bërë në qytetet fenikase të Tiros dhe Sidonit, këto qytete do të ishin penduar duke u mbuluar me thes dhe duke u ulur në hi. Duke dënuar Kapernaumin, i cili me sa duket ka qenë për të qendra e aktivitetit, gjatë periudhës së shërbimit të tij, Jezui deklaron: «Në Ditën e Gjyqit do të jetë më e përballueshme për vendin e Sodomës sesa për ju.»—BR.

Pastaj, Jezui i jep lavdi publikisht, Atit të tij qiellor. Ai nxitet për ta bërë këtë, nga fakti që Perëndia ua fsheh të vërtetat e çmueshme frymore të mençurve dhe intelektualëve, por ua zbulon këto gjëra të mrekullueshme të përulurve ose si të thuash, fëmijëve.

Së fundi, Jezui bën këtë ftesë tërheqëse: «Ejani tek unë o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaja. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë.»

Në ç’mënyrë ofron çlodhje Jezui? E bën këtë, duke siguruar çlirim nga traditat skllavëruese, me të cilat krerët fetarë e kanë ngarkuar popullin ku përfshihen, për shembull, rregullat kufizuese për mbajtjen e së shtunës. Ai tregon, gjithashtu, se si mund të gjejnë çlirim ata që ndiejnë peshën shtypëse të sundimit nga ana e autoriteteve politike si dhe ata që ndiejnë peshën e mëkateve të tyre, për shkak të një ndërgjegjeje të vrarë. Ai u zbulon këtyre njerëzve të brengosur se si mund të falen mëkatet e tyre dhe si mund të gëzojnë një marrëdhënie të çmuar me Perëndinë.

Zgjedha e ëmbël që ofron Jezui është dedikimi i plotë ndaj Perëndisë, duke pasur mundësinë për t’i shërbyer Atit tonë të dhembshur e të mëshirshëm qiellor. Ndërsa barra e lehtë, të cilën ua ofron atyre që shkojnë tek ai, është bindja ndaj kërkesave të Perëndisë për jetën, që janë urdhërimet e tij të shkruara në Bibël. Dhe bindja ndaj tyre nuk është aspak e rëndë. Mateu 11:16-30; Luka 1:15; 7:31-35; 1. Gjonit 5:3.

▪ Në ç’kuptim janë si fëmjët, njerëzit krenarë dhe të paqëndrueshëm të brezit të Jezuit?

▪ Çfarë e nxit Jezuin që të lavdërojë Atin e tij qiellor?

▪ Në cilat mënyra janë rënduar njerëzit dhe çfarë çlirimi u ofron Jezui?