Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kryerja e veprave të mira të shtunën

Kryerja e veprave të mira të shtunën

Kapitulli 29

Kryerja e veprave të mira të shtunën

ËSHTË pranvera e vitit 31 të e.s. Kanë kaluar disa muaj që nga koha kur Jezui i foli gruas te pusi në Samari, ndërsa ishte duke udhëtuar nga Judea për në Galile.

Tani, pasi ka mësuar gjerësisht në të gjithë Galilenë, Jezui niset përsëri për në Jude, ku fillon të predikojë në sinagoga. Në krahasim me vëmendjen që i kushton shërbimit në Galile, Bibla tregon pak për aktivitetin e Jezuit në Jude, gjatë kësaj vizite si dhe gjatë muajve që ai kaloi këtu, fill pas Pashkës së kaluar. Me sa duket, në Jude nuk iu përgjigjën shërbimit të tij në mënyrë po aq të favorshme, sa edhe në Galile.

Shpejt, Jezui niset për në kryeqytetin e Judesë, Jerusalem, me rastin e Pashkës së vitit 31 të e.s. Këtu, pranë një porte të qytetit, Porta e Deleve, gjendet pellgu i quajtur Betzata, ku vijnë shumë të sëmurë, të verbër dhe të çalë. Ata besojnë se mund të shërohen duke u futur në ujin e pellgut, kur ai është i trazuar.

Është e shtunë dhe Jezui shikon te pellgu një burrë, i cili ka qenë sëmurë për 38 vjet. I vetëdijshëm për kohëzgjatjen e madhe të sëmundjes së burrit, Jezui pyet: «A dëshiron të shërohesh?»

Ai i përgjigjet Jezuit: «Zot, unë s’kam njeri që, kur lëviz uji, të më fusë në pellg dhe ndërsa unë po shkoj, një tjetër zbret para meje.»

Jezui i thotë: «Çohu merre vigun tënd dhe ec.» Dhe menjëherë burri shërohet, merr vigun e tij dhe fillon të ecë!

Por kur e shohin judenjtë, i thonë: «Është e shtunë dhe nuk është e ligjshme për ty të ngresh vigun tënd.»

Burri u përgjigjet: «Ai që më shëroi më tha, ‘Merre vigun tënd dhe ec’.»

«Kush është ai njeri që të tha, ‘Merre vigun tënd dhe ec’?»—pyesin ata. Jezui ishte tërhequr për shkak të turmës dhe i shëruari nuk ia dinte emrin. Megjithatë, më vonë, Jezui dhe burri takohen në tempull dhe ai e mëson se kush e kishte shëruar.

Kështu, burri i shëruar shkon te judenjtë që t’u thotë se ishte Jezui ai që i kishte kthyer shëndetin. Me të mësuar këtë, judenjtë shkojnë te Jezui. Për cilën arsye? Mos ndoshta për të mësuar se çfarë i jep mundësi për të bërë këto gjëra të mrekullueshme? Jo. Përkundrazi, për ta kapur në gabim për faktin se i bën këto gjëra të mira të shtunën. Madje ata fillojnë edhe ta persekutojnë! Luka 4:44; Gjoni 5:1-16.

▪ Sa kohë ka kaluar afërsisht që nga vizita e fundit e Jezuit në Jude?

▪ Pse është kaq shumë i frekuentuar pellgu i quajtur Betzata?

▪ Çfarë mrekullie kryen Jezui te ky pellg dhe si reagojnë judenjtë?