Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur Lazri ringjallet

Kur Lazri ringjallet

Kapitulli 91

Kur Lazri ringjallet

TANI, Jezui bashkë me ata që e shoqërojnë, arrijnë te varri i Lazrit. Faktikisht, ai është një shpellë, me një gur të vendosur në hyrje. «Hiqeni gurin»,—thotë Jezui.

Por Marta kundërshton, pasi akoma nuk e ka kuptuar se çfarë ka ndër mend të bëjë Jezui. «Zot,—thotë ajo,—ai tashmë qelbet, sepse ka vdekur prej katër ditësh.»

Por Jezui pyet: «A nuk të thashë se po të besosh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë?»

Kështu, guri hiqet. Atëherë, Jezui ngre sytë dhe lutet: «O Atë, të falënderoj që më ke dëgjuar. Unë e dija mirë se ti gjithnjë më dëgjon, por i kam thënë këto për turmën që është përreth, që të besojnë se ti më ke dërguar.» Jezui lutet publikisht, në mënyrë që njerëzit ta dinë se ajo që ka për të bërë, do të kryhet në saje të fuqisë që merr nga Perëndia. Pastaj, ai thërret me zë të lartë: «Llazar, eja jashtë!»

Me të thënë këtë, Lazri del jashtë. Duart dhe këmbët i ka akoma të lidhura me rripat mbështjellës të varrimit dhe fytyrën e ka të mbuluar me një pëlhurë. «Zgjidheni dhe lëreni të shkojë»,—thotë Jezui.

Duke parë këtë mrekulli, shumë prej judenjve që kishin ardhur për të ngushëlluar Marinë dhe Martën, besojnë te Jezui. Disa të tjerë, përkundrazi, largohen për t’u treguar farisenjve se çfarë ka ndodhur. Ata dhe krerët e priftërinjve, organizojnë menjëherë një mbledhje të Sinedrit, gjykatës së lartë judeje.

Në Sinedër bëjnë pjesë, kryeprifti aktual Kajafa, farisenj e saducenj, krerë priftërinjsh, si dhe kryepriftërinj të mëparshëm. Këta ankohen: «Ç’të bëjmë? Ky njeri po bën shumë shenja. Po ta lëmë të vazhdojë kështu, të gjithë do të besojnë në të, do të vijnë romakët dhe do të shkatërrojnë vendin dhe kombin tonë.»

Edhe pse krerët fetarë e pranojnë se Jezui «bën shumë shenja», e vetmja gjë për të cilën shqetësohen, është pozita dhe autoriteti i tyre. Ringjallja e Lazrit është një goditje veçanërisht e fuqishme për saducenjtë, duke qenë se ata nuk besojnë te ringjallja.

Tani, Kajafa, i cili ndoshta është një saduce, merr fjalën dhe thotë: «Ju nuk dini asgjë dhe nuk arrini të kuptoni se është për dobinë tuaj që të vdesë një njeri në favor të popullit dhe jo që i tërë kombi të shkatërrohet.»—BR.

Perëndia ndikoi mbi Kajafën për të thënë këtë, sepse më pas apostulli Gjon shkruan: «Këtë ai [Kajafa] nuk e tha nga vetja.» Ajo që donte të thoshte faktikisht Kajafa, ishte se Jezui duhej vrarë që të mos lejohej të kërcënonte më tej pozitën e tyre autoritare dhe me influencë. Megjithatë, sipas Gjonit ‘Kajafa profetizoi se Jezui duhej të vdiste jo vetëm për kombin, por edhe për t’i mbledhur në një, bijtë e Perëndisë’. Dhe me të vërtetë, është qëllimi i Perëndisë që Biri i tij të vdesë si shpërblesë për të gjithë.

Tani, Kajafa ia del që ta bindë Sinedrin të bëjë plane për ta vrarë Jezuin. Por Jezui, i cili ka mundësi t’i ketë marrë vesh këto plane nga Nikodemi, një anëtar i Sinedrit që është miqësor ndaj tij, largohet nga vendi. Gjoni 11:38-54.

▪ Përse Jezui lutet publikisht para se të ringjallë Lazrin?

▪ Si reagojnë ata që e shohin këtë ringjallje?

▪ Si bëhet e dukshme ligësia e anëtarëve të Sinedrit?

▪ Çfarë kishte ndër mend Kajafa, por, për shpalljen e cilës profeci e përdori Perëndia?