Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush është në të vërtetë Jezui?

Kush është në të vërtetë Jezui?

Kapitulli 59

Kush është në të vërtetë Jezui?

KUR barka e Jezuit dhe e dishepujve të tij arrin në Betsaidë, njerëzit sjellin tek ai një njeri të verbër dhe i luten që ta prekë, në mënyrë që të shërohet. Duke e marrë për dore, Jezui e nxjerr burrin jashtë fshatit dhe pasi pështyn në sytë e tij, e pyet: «A sheh gjë?»—BR.

«Shikoj njerëz,—përgjigjet burri,—sepse vërej ca si pemë, por ato ecin andej këndej.» (BR) Atëherë, duke vënë duart mbi sytë e burrit, Jezui i rikthen shikimin dhe ai sheh qartë. Pastaj e dërgon në shtëpi, por e udhëzon që të mos hyjë në fshat.

Tani, Jezui niset bashkë me dishepujt e tij për në fshatrat e Cezaresë së Filipit, në skajin më verior të Palestinës. Për të arritur në vendin e bukur të Cezaresë së Filipit, që ndodhet afërsisht 350 metra mbi nivelin e detit, duhet bërë një rrugë e gjatë dhe e përpjetë, prej gati 50 kilometrash. Udhëtimi zgjat ndoshta dy ditë.

Gjatë udhëtimit, Jezui veçohet mënjanë për t’u lutur. Mbeten vetëm nëntë a dhjetë muaj deri në vdekjen e tij dhe ai është i shqetësuar për dishepujt. Tashmë, shumë nuk po e ndjekin më. Të tjerët duken se janë në një gjendje të turbullt dhe të zhgënjyer, pasi ai nuk pranoi kur populli u përpoq ta bënte mbret dhe nuk iu përgjigj sfidës së armiqve të tij për të shfaqur një shenjë, si provë të pozitës së tij si mbret. Po apostujt, çfarë mendojnë për identitetin e tij? Kur ata vijnë në vendin ku është duke u lutur Jezui, ai i pyet: «Kush thonë turmat se jam unë?»

«Disa thonë, Gjon Pagëzori,—përgjigjen ata,—të tjerë, Elija, të tjerë Jeremia ose një nga profetët.» Po, njerëzit mendojnë se Jezui është ndonjë nga këta burra, i ngritur nga vdekja.

«Po ju, kush thoni se jam unë?»—pyet Jezui.

Pjetri përgjigjet menjëherë: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë.»

Pasi shpreh miratimin ndaj përgjigjes së Pjetrit, Jezui thotë: «Unë po të them, ti je Pjetri dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kongregacionin tim dhe dyert e Hadesit nuk do ta mposhtin atë.» (BR) Këtu, Jezui bën të ditur për herë të parë, se do të ndërtojë një kongregacion dhe se madje edhe vdekja nuk do t’i mbajë të burgosur anëtarët e tij, pas një jete besimplote mbi tokë. Pastaj ai i thotë Pjetrit: «Unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve.»

Në këtë mënyrë, Jezui po tregon se Pjetrit do t’i jepen privilegje të veçanta. Kjo nuk do të thotë se Pjetrit i është dhënë vendi i parë midis apostujve dhe as do të thotë se ai është themeli i kongregacionit. Shkëmbi mbi të cilin do të ndërtohet kongregacioni është vetë Jezui. Por Pjetrit do t’i jepen tri çelësa me të cilët, si të thuash, ai do t’u hapë grupeve të ndryshme të njerëzve, mundësinë për të hyrë në Mbretërinë e qiejve.

Çelësin e parë, Pjetri do ta përdorte në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., për t’u treguar judenjve të penduar, se çfarë duhet të bëjnë për të shpëtuar. Çelësin e dytë do ta përdorte pak pas të parit, për t’u hapur samaritanëve besimtarë, mundësinë për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë. Më pas, në vitin 36 të e.s. ai do të përdorte çelësin e tretë, për t’u dhënë johebrenjve të parrethprerë, Kornelit dhe miqve të tij, të njëjtën mundësi.

Jezui vazhdon më tej bisedën e tij me apostujt. Ata zhgënjehen kur dëgjojnë prej tij për vuajtjet dhe vdekjen që e pret së shpejti në Jerusalem. Duke mos arritur të kuptojë se Jezui do të ringjallet në një jetë qiellore, Pjetri e merr Jezuin mënjanë. «Ji i mirë me veten, Zotëri,—i thotë ai.—Ti nuk do të kesh aspak këtë fund.» (BR) Duke i kthyer shpinën, Jezui i përgjigjet: «Shko prapa meje, Satana! Je për mua një gur pengese, sepse nuk mendon mendimet e Perëndisë, por ato të njerëzve.»—BR.

Me sa duket, përveç apostujve, me Jezuin janë duke udhëtuar edhe njerëz të tjerë, prandaj, tani ai i thërret pranë vetes dhe u shpjegon se nuk do të jetë e lehtë, për të qenë ithtarë të tij. «Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje,—thotë ai,—le ta mohojë vetveten, të marrë shtyllën e tij të mundimeve dhe të më ndjekë vazhdimisht. Sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë shpirtin e tij, do ta humbasë; por kushdo që e humbet shpirtin e tij për hirin tim dhe të lajmit të mirë, do ta shpëtojë atë.»—BR.

Po, nëse duan të provojnë se janë të denjë për favorin e tij, ithtarët e Jezuit duhet të jenë të guximshëm dhe vetësakrifikues. Ai thotë: «Sepse kujtdo që do t’i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia, në mes të këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar, për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut, kur të arrijë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e shenjtë.» Marku 8:22-38; Mateu 16:13-28; Luka 9:18-27.

▪ Pse është i shqetësuar Jezui për dishepujt e tij?

▪ Çfarë pikëpamjesh kanë njerëzit, për sa i përket identitetit të Jezuit?

▪ Cilat çelësa i jepen Pjetrit dhe si do të përdoren ata?

▪ Çfarë korrigjimi merr Pjetri dhe përse?