Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Largohet nga shtëpia e Jairit dhe viziton përsëri Nazaretin

Largohet nga shtëpia e Jairit dhe viziton përsëri Nazaretin

Kapitulli 48

Largohet nga shtëpia e Jairit dhe viziton përsëri Nazaretin

KJO, ka qenë një ditë shumë e ngarkuar për Jezuin, duke filluar që nga udhëtimi në det nga Dekapoli, shërimi i gruas me fluks gjaku, e deri te ringjallja e bijës së Jairit. Por dita ende nuk ka mbaruar. Me sa duket, ndërsa Jezui largohet nga shtëpia e Jairit, dy burra të verbër e ndjekin nga pas, duke thërritur: «Ki mëshirë për ne, Biri i Davidit!»

Duke e quajtur Jezuin «Biri i Davidit», këta burra po shprehin, në këtë mënyrë, besimin se Jezui është trashëgimtari i fronit të Davidit dhe se rrjedhimisht është Mesia i premtuar. Megjithatë, Jezui bën sikur nuk ua vë veshin thirrjeve të tyre për ndihmë, ndoshta për të vënë në provë vendosmërinë e tyre. Por dy burrat nuk dorëzohen. Ata e ndjekin Jezuin deri në vendin ku banon dhe kur ai hyn në shtëpi, ata futen brenda pas tij.

Atje, Jezui i pyet: «A besoni se unë mund ta bëj këtë gjë?»

«Po o Zot»,—përgjigjen ata me besim.

Prandaj, duke u prekur sytë, Jezui u thotë: «U bëftë sipas besimit tuaj.» Menjëherë ata mund të shikojnë! Pas kësaj, Jezui i urdhëron rreptësisht: «Ruhuni se mos e merr vesh njeri.» Por ata, të mbushur me gëzim, e shpërfillin urdhërin e Jezuit dhe flasin për të, në të gjithë zonën.

Tamam, ndërsa po largohen këta burra, njerëzit sjellin një burrë të pushtuar nga një demon, i cili e ka bërë memec. Jezui e dëbon demonin dhe në moment, burri fillon të flasë. Turmat mbeten të mahnitura nga këto mrekulli dhe thonë: «Nuk është parë kurrë një gjë e tillë në Izrael.»

Të pranishëm janë edhe disa farisenj. Ata nuk mund t’i mohojnë mrekullitë, por në mosbesimin e tyre të ligë, përsëritin akuzën lidhur me burimin e veprave të fuqishme të Jezuit, duke thënë: «Ai i dëbon demonët me ndihmën e princit të demonëve.»

Pak pas këtyre ngjarjeve, Jezui kthehet në qytetin e tij, në Nazaret, por kësaj radhe i shoqëruar nga dishepujt. Përafërsisht një vit më parë, ai ka vizituar sinagogën dhe ka mësuar atje. Edhe pse në fillim njerëzit u mrekulluan nga fjalët e tij të këndshme, më pas ata u ndien të ofenduar nga mësimet e tij dhe u përpoqën ta vritnin. Tani, duke treguar mëshirë, Jezui bën edhe një përpjekje tjetër për t’i ndihmuar bashkëqytetarët e tij të dikurshëm.

Ndërkohë që në vendet e tjera njerëzit grumbullohen në turma rreth Jezuit, këtu me sa duket nuk ndodh një gjë e tillë. Për këtë arsye, të shtunën, ai shkon për të mësuar në sinagogë. Shumica e atyre që e dëgjojnë, mbeten të mahnitur. «Ku e mori ky njeri këtë mençuri dhe këto vepra të fuqishme?—pyesin ata.—A nuk është ky biri i zdrukthëtarit? A nuk quhet nëna e tij Mari dhe vëllezërit e tij Jakob, Jozef, Simon e Judë? Dhe motrat e tij, a nuk janë të gjitha me ne? Atëherë, ku i mori ky njeri të gjitha këto?»—BR.

‘Jezui është një banor i thjeshtë i këtij vendi, si të gjithë ne,—arsyetojnë ata.—E kemi parë qysh fëmijë dhe ia njohim familjen. Si mund të jetë ai Mesia?’ Kështu, pavarësisht nga të gjitha dëshmitë, si mençuria e tij e madhe dhe mrekullitë që bën, ata e hedhin poshtë Jezuin. Lidhja intime që kanë me të, është një pengesë edhe për vetë familjarët e tij dhe kjo e shtyn Jezuin të arrijë në këtë përfundim: «Asnjë profet nuk përçmohet, veçse në vendlindjen e vet dhe shtëpinë e vet.»

Në të vërtetë, Jezui habitet me mungesën e tyre të besimit. Prandaj ai nuk kryen asnjë mrekulli atje, përveç shërimit të disa njerëzve të sëmurë, duke vënë duart mbi ta. Mateu 9:27-34; 13:54-58; Marku 6:1-6; Isaia 9:7.

▪ Çfarë tregojnë se besojnë burrat e verbër, duke e quajtur Jezuin «Biri i Davidit»?

▪ Çfarë shpjegimi kanë sajuar farisenjtë për mrekullitë e Jezuit?

▪ Përse është tregues i mëshirës, fakti që Jezui kthehet për të ndihmuar njerëzit në Nazaret?

▪ Si e presin Jezuin në Nazaret dhe pse?