Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lind ai që do të përgatitë rrugën

Lind ai që do të përgatitë rrugën

Kapitulli 3

Lind ai që do të përgatitë rrugën

EDHE pak dhe Elizabeta ka për të lindur. Gjatë këtyre tre muajve të fundit, Maria ka qëndruar bashkë me të. Por tani ka ardhur koha që Maria t’i përshëndetë dhe të bëjë një udhëtim të gjatë për t’u kthyer në shtëpi. Afërsisht pas gjashtë muajsh edhe ajo do të lindë një fëmijë.

Pasi largohet Maria, s’kalon shumë dhe Elizabeta lind. Çfarë gëzimi kur më në fund lindja mbaron me sukses dhe Elizabeta me fëmijën gëzojnë shëndet të plotë! Kur Elizabeta ia tregon të voglin fqinjëve dhe të afërmve, të gjithë gëzohen bashkë me të.

Sipas Ligjit të Perëndisë, çdo fëmijë mashkull në Izrael, tetë ditë pas lindjes së tij duhet rrethprerë. Me këtë rast vijnë për vizitë miq dhe të afërm. Ata thonë se fëmijës i duhet vënë emri i të atit, Zaharia. Por Elizabeta ndërhyn me vendosmëri. «Jo,—thotë ajo,—por përkundrazi do të quhet Gjon.» A e mbani mend, ky është emri që engjëlli Gabriel kishte thënë se i duhej vënë fëmijës.

Por miqtë e tyre kundërshtojnë duke thënë: «S’ka njeri në fisin tënd që të quhet me këtë emër.» Pastaj, me anë të shenjave, pyesin të atin se çfarë emri do që t’i vihet djalit. Pasi kërkon një tabelë për të shkruar, për çudinë e të gjithëve, Zaharia shkruan: «Emri i tij është Gjon.»

Në këtë moment, Zaharias, në mënyrë të mrekullueshme i rikthehet të folurit. Ndoshta e mbani mend se Zaharia e humbi aftësinë e të folurit kur nuk i besoi njoftimit të Gabrielit, sipas të cilit Elizabeta do të lindte një fëmijë. Kështu, kur Zaharia fillon të flasë, të gjithë fqinjët e tij habiten dhe thonë me vete: «Vallë kush do të jetë ky fëmijë?»

Tani, Zaharia, i mbushur me frymën e shenjtë, ngazëllon duke thënë: «Bekuar qoftë Jehovai, Perëndia i Izraelit, sepse e ka kthyer vëmendjen e tij dhe ka kryer çlirimin ndaj popullit të tij. Dhe ka ngritur një bri shpëtimi në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të tij!» (BR) Ky «bri shpëtimi», sigurisht, është Zotëria Jezu, i cili s’ka lindur akoma. Zaharia thotë se me anë të tij, Perëndia ‘do të na lejojë që, pasi të çlirohemi nga duart e armiqve tanë, të mund t’i shërbejmë pa frikë, në shenjtëri e në drejtësi përpara tij, të gjitha ditët e jetës sonë’.

Më pas Zaharia profetizon për të birin, Gjonin: «Por sa për ty, o fëmijë i vogël, ti do të quhesh profet i Më të Lartit, sepse do të shkosh përpara Jehovait për të bërë gati rrugët e tij, për t’i dhënë njohuri për shpëtim popullit të tij nëpërmjet faljes së mëkateve të tyre, për shkak të dhembshurisë së butë të Perëndisë tonë. Me këtë dhembshuri një agim do të na vizitojë prej së larti, për t’u dhënë dritë atyre që ulen në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për të drejtuar me mbarësi këmbët tona në udhën e paqes.»—BR.

Ndërkohë, Maria, e cila në mënyrë të dukshme është akoma e pamartuar, ka mbërritur në shtëpinë e saj në Nazaret. Çfarë do t’i ndodhë kur të bëhet e dukshme se është shtatzënë? Luka 1:56-80; Levitiku 12:2, 3.

▪ Sa më i madh është Gjoni nga Jezui?

▪ Çfarë ndodhi kur Gjoni mbushi tetë ditë?

▪ Në ç’mënyrë Perëndia e ka drejtuar vëmendjen nga populli i tij?

▪ Cila është vepra që u paratha se duhet të bëjë Gjoni?