Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lindja e Jezuit: Ku dhe kur?

Lindja e Jezuit: Ku dhe kur?

Kapitulli 5

Lindja e Jezuit: Ku dhe kur?

PERANDORI i perandorisë romake, Cezar Augusti, ka nxjerrë një dekret sipas të cilit të gjithë duhet të kthehen në qytetet e lindjes për t’u regjistruar. Për këtë arsye, Jozefi udhëton për në Bethlehem që është vendlindja e tij.

Në Bethlehem kanë ardhur shumë njerëz për t’u regjistruar, prandaj Jozefi dhe Maria nuk gjejnë vend tjetër për të qëndruar përveçse në një stallë. Në këtë vend ku mbahen gomarët dhe kafshët e tjera lind Jezui. Maria e mbështjell Jezuin me rripa rrobe dhe e shtrin në një grazhd, vend ku hidhet ushqimi për kafshët.

Sigurisht, ishte Jehovai ai që i drejtoi gjërat në mënyrë që Cezar Augusti të nxirrte ligjin e regjistrimit. Kjo gjë bëri të mundur lindjen e Jezuit në Bethlehem, i cili ishte qyteti që prej shumë kohësh ishte parathënë në shkrime se do të ishte vendlindja e sundimtarit të premtuar.

Çfarë nate e rëndësishme që është! Jashtë në fusha, një dritë e shndritshme vezullon rreth një grupi barinjsh. Ajo është lavdia e Jehovait! Dhe një engjëll i Jehovait u thotë: «Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin, sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një shpëtimtar, që është Krishti, Zoti. Dhe kjo do t’ju vlejë si shenjë; ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellë me pelena, të shtrirë në një grazhd.» Papritur, shumë engjëj të tjerë shfaqen dhe këndojnë: «Lavdi Perëndisë në vendet më të larta dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!»

Me t’u larguar engjëjt, barinjtë thonë me njëri-tjetrin: «Le të shkojmë deri në Bethlehem për të parë ç’ka ndodhur dhe ç’na bëri të ditur Zoti.» Ata nisen me nxitim dhe e gjejnë Jezuin pikërisht aty ku u kishte thënë engjëlli. Kur barinjtë u treguan se çfarë u kishte thënë engjëlli, të gjithë ata që dëgjonin u mrekulluan. Maria ndërkohë i ruan të gjitha këto fjalë dhe i mban në zemrën e saj.

Sot shumë njerëz besojnë se Jezui ka lindur më 25 dhjetor. Por gjatë dimrit në Bethlehem bien shumë shira dhe bën shumë ftohtë. Në atë periudhë të vitit, barinjtë nuk do të ishin jashtë në fusha gjatë natës bashkë me kopetë e tyre. Gjithashtu, Cezari i Romës, vështirë se do t’i kërkonte një populli që tashmë ishte gati për t’u rebeluar kundër tij, që të bënte një udhëtim për t’u regjistruar, në pikë të dimrit. Është e dukshme se Jezui ka lindur diku aty nga fillimi i vjeshtës. Luka 2:1-20; Mikea 5:2.

▪ Përse udhëtojnë për në Bethlehem Jozefi dhe Maria?

▪ Çfarë gjëje e mrekullueshme ndodh natën në të cilën lind Jezui?

▪ Si e dimë që Jezui nuk lindi më 25 dhjetor?