Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mësime të mëtejshme gjatë ditës së shtatë

Mësime të mëtejshme gjatë ditës së shtatë

Kapitulli 68

Mësime të mëtejshme gjatë ditës së shtatë

DITA e fundit e festës së tabernakujve, dita e shtatë, nuk ka mbaruar ende. Jezui është duke mësuar në një pjesë të tempullit të quajtur ‘vendi i thesarit’. Me sa duket, ky vend ndodhet në zonën e quajtur Oborri i Grave, ku gjenden disa arka, në të cilat njerëzit depozitojnë kontributet e tyre.

Çdo natë të festës, kjo zonë e tempullit ndriçohet në mënyrë të veçantë. Këtu janë vendosur katër shandanë me përmasa gjigante, secili me nga katër legenë të mëdhenj, të mbushur me vaj. Drita e këtyre shandanëve, e cila vjen nga vaji që digjet në të 16 legenët, është mjaft e fortë sa për të ndriçuar gjatë natës një zonë përreth me rreze shumë të gjerë. Ajo që thotë tani Jezui mund t’u sjellë ndër mend dëgjuesve të tij pikërisht këtë pamje. «Unë jam drita e botës,—deklaron Jezui.—Kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.»

Farisenjtë kundërshtojnë, duke thënë: «Ti dëshmon për vetveten; dëshmimi yt nuk është i vërtetë.»

Duke iu përgjigjur, Jezui ua kthen: «Edhe pse dëshmoj për vetveten, dëshmimi im është i vërtetë, sepse unë e di se nga kam ardhur e ku po shkoj; ju, përkundrazi, nuk e dini as nga vij e as ku po shkoj.» Pastaj shton: «Unë jam ai që dëshmoj për vetveten dhe Ati që më ka dërguar dëshmon për mua.»

«Ku është Ati yt?»—duan të dinë farisenjtë.

«Ju nuk më njihni as mua, as Atin tim,—përgjigjet Jezui.—Po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim.» Ndonëse farisenjtë akoma duan ta arrestojnë Jezuin, askush nuk e prek atë.

«Unë po shkoj,—thotë edhe një herë Jezui.—Atje ku po shkoj unë, ju nuk mund të vini.»

Kur dëgjojnë këto fjalë, judenjtë fillojnë të pyesin veten: «Mos don të vrasë veten? Sepse thotë: ‘Ku shkoj unë, ju nuk mund të vini.’»

«Ju jeni nga këtu poshtë,—shpjegon Jezui.—Kurse unë jam nga atje lartë; ju jeni prej kësaj bote, unë nuk jam prej kësaj bote.» Pastaj shton: «Nëse nuk besoni se unë jam ai, ju do të vdisni në mëkatet tuaja.»—BR.

Natyrisht, Jezui po i referohet ekzistencës së tij paranjerëzore dhe faktit që është Mesia i premtuar ose Krishti. Sidoqoftë, ata e pyesin, pa dyshim me shumë përçmim: «Kush je ti?»

Duke parë se po e hedhin poshtë, Jezui u përgjigjet: «Po pse jam duke folur me ju?» Megjithatë, ai vazhdon duke thënë: «Ai që më ka dërguar është i vërtetë dhe gjërat që kam dëgjuar nga ai, unë ia them botës.» Pastaj deklaron: «Kur ta keni ngritur lart Birin e njeriut, atëhere do të njihni që jam unë dhe që nuk bëj asgjë me iniciativën time, por i them këto gjëra tamam siç më ka mësuar Ati. Dhe ai që më dërgoi është me mua; ai nuk më la vetëm, sepse unë bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë.»—BR.

Kur Jezui thotë këto fjalë, shumë njerëz besojnë tek ai. Këtyre njerëzve ai u thotë: «Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi; do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.»

«Ne jemi pasardhës të Abrahamit,—ndërhyjnë kundërshtarët e tij,—dhe s’kemi qenë kurrë skllevër të askujt; si mund të thuash ti: ‘Do të bëheni të lirë?’»

Megjithëse judenjtë kanë qenë shpeshherë nën sundimin e huaj, ata nuk njohin asnjë nga shtypësit, si zotëri të tyre. Ata nuk pranojnë të quhen skllevër. Por Jezui tregon se ata janë me të vërtetë skllevër. Në ç’mënyrë? «Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them,—thotë Jezui,—kush bën mëkatin është skllav i mëkatit.»

Mospranimi i skllavërisë së mëkatit i vendos judenjtë në një pozitë të rrezikshme. «Skllavi nuk rri gjithmonë në shtëpi,—shpjegon Jezui.—Ndërsa Biri rri përgjithmonë.» Përderisa një skllav nuk ka asnjë të drejtë trashëgimie, në çdo moment, ai mund të jetë në rrezik që të dëbohet. Vetëm një bir i lindur në shtëpi apo i adoptuar qëndron «përgjithmonë», domethënë, për aq kohë sa të jetojë.

«Pra, nëse Biri do t’ju bëjë të lirë,—vazhdon Jezui,—do të jeni me të vërtetë të lirë.» Prandaj, e vërteta që i bën njerëzit të lirë, është e vërteta në lidhje me Birin, Jezu Krishtin. Vetëm me anë të flijimit të jetës së tij të përsosur njerëzore, çdo njeri mund të çlirohet nga mëkati vdekjeprurës. Gjoni 8:12-36.

▪ Ku mëson Jezui ditën e shtatë? Çfarë ndodh gjatë natës atje dhe si lidhet kjo me mësimin e Jezuit?

▪ Çfarë thotë Jezui për origjinën e tij dhe çfarë duhet të zbulojë kjo mbi identitetin e tij?

▪ Në ç’mënyrë janë skllevër judenjtë, por cila e vërtetë do t’i bëjë ata të lirë?