Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mëson Nikodemin

Mëson Nikodemin

Kapitulli 17

Mëson Nikodemin

NDËRSA është duke marrë pjesë në Pashkën e vitit 30 të e.s., Jezui kryen shumë shenja të jashtëzakonshme apo mrekulli. Si rezultat, shumë njerëz besojnë tek ai. Kjo i ka bërë përshtypje Nikodemit, një anëtar i Sinedrit, gjykatës së lartë judeje, i cili dëshiron të mësojë më shumë. Prandaj ai shkon të takojë Jezuin natën në errësirë, ndoshta duke pasur frikë se mos i prishet reputacioni që gëzon para krerëve të tjerë judenj, nëse e shikojnë.

«Mësues,—thotë ai,—ne e dimë se ti je një mësues i ardhur nga Perëndia, sepse askush nuk mund të bëjë shenjat që bën ti, në qoftë se Perëndia nuk është me të.» Duke iu përgjigjur, Jezui i tregon Nikodemit se për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë, një person duhet të ‘rilindë’.

Por, si mund të lindë dikush përsëri? «A mund të hyjë ai për së dyti në barkun e nënës së vet dhe të lindë?»—pyet Nikodemi.

Jo, të lindësh përsëri nuk ka këtë kuptim. «Kush nuk ka lindur nga uji dhe nga fryma,—shpjegon Jezui,—nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.» Kur Jezui u pagëzua dhe fryma e shenjtë zbriti mbi të, në këtë mënyrë ai lindi «nga uji dhe nga fryma». Në atë moment, duke deklaruar prej qiellit, «Ky është Biri im të cilin e kam miratuar» (BR), Perëndia lajmëroi se kishte lindur një bir frymor me perspektivën për të hyrë në Mbretërinë qiellore. Më vonë në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., të pagëzuar të tjerë do të marrin frymën e shenjtë dhe në këtë mënyrë do të lindin përsëri si bij frymorë të Perëndisë.

Por roli i Birit të veçantë njerëzor të Perëndisë është jetësor. «Ashtu si Moisiu e ngriti lart gjarprin në shkretëtirë,—i thotë Jezui Nikodemit,—kështu duhet të ngrihet lart Biri i njeriut, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përhershme.» Po, ashtu si izraelitët e kafshuar nga gjarpërinjtë helmues duhet të shikonin gjarprin prej bakri që të shpëtonin, po ashtu të gjithë njerëzit duhet të ushtrojnë besim në Birin e Perëndisë që të shpëtojnë nga gjendja e tyre e vdekshme.

Duke theksuar rolin e dashur të Jehovait në gjithë këtë, më pas Jezui i thotë Nikodemit: «Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përhershme.» Në këtë mënyrë, këtu në Jerusalem vetëm gjashtë muaj pas fillimit të shërbimit të tij, Jezui e bën të qartë se është mjeti i Perëndisë Jehova për shpëtimin e njerëzimit.

Jezui vazhdon t’i shpjegojë më tej Nikodemit se «Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta gjykojë botën», (BR) domethënë, jo për ta gjykuar në mënyrë të pafavorshme apo për ta ndëshkuar duke e dënuar racën njerëzore me shkatërrim. Përkundrazi, ashtu siç thotë Jezui, ai u dërgua «që bota të shpëtohet prej tij».

Duke pasur frikë, Nikodemi kishte ardhur te Jezui nën mbrojtjen e errësirës. Prandaj mbyllja që Jezui i bën bisedës është interesante: «Tani gjykimi është ky: Drita [e cila u personifikua nga Jezui me jetën dhe mësimet e tij] erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta. Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij; por kush bën të vërtetën vjen në drita, që veprat e tij të zbulohen, sepse u bënë në Perëndinë.» Gjoni 2:23-3:21; Mateu 3:16, 17; Veprat 2:1-4; Numrat 21:9.

▪ Çfarë e shtyn Nikodemin për të bërë vizitën dhe pse vjen natën?

▪ Ç’do të thotë të ‘rilindësh’?

▪ Si e ilustron Jezui rolin e tij në shpëtimin tonë?

▪ Ç’do të thotë se Jezui nuk erdhi për ta gjykuar botën?