Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Merrni masa për të ardhmen me mençuri praktike

Merrni masa për të ardhmen me mençuri praktike

Kapitulli 87

Merrni masa për të ardhmen me mençuri praktike

JEZUI sapo i ka treguar ilustrimin e djalit plëngprishës, një turme, mes së cilës gjenden dishepujt e tij, taksambledhës të pandershëm, mëkatarë të tjerë me nam, si dhe skribë e farisenj. Tani, duke iu drejtuar dishepujve, ai tregon një ilustrim që flet për një njeri të pasur, i cili ka marrë raporte negative në lidhje me administratorin apo ekonomin e shtëpisë së tij.

Sipas Jezuit, njeriu i pasur e thërret ekonomin dhe i thotë se ka ndër mend ta pushojë nga puna. «Ç’do të bëj unë tani, që zotëria im po ma heq administrimin?—pyet veten ekonomi.—Të gërmoj, s’e bëj dot dhe të lyp, më vjen turp. E di ç’do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e tyre, kur të hiqem nga administrimi.»

Ç’plan ka ekonomi? Ai thërret ata që janë borxhlinj ndaj zotërisë së tij. «Sa i detyrohesh zotërisë tim?»—pyet ai.

I pari përgjigjet: ‘2.200 litra vaj ulliri.’

‘Merre dëftesën tënde, ulu dhe shkruaj shpejt 1.100’,—i thotë ai atij.

Pastaj pyet një tjetër: «Po ti sa i detyrohesh?»

Ai thotë: ‘17.000 kilogramë grurë.’

‘Merre dëftesën tënde dhe shkruaj 14.000.’

Reduktimi i borxheve që i detyrohen njerëzit zotërisë së tij, është brenda kompetencave të ekonomit, përderisa ai është akoma përgjegjës për administrimin e çështjeve financiare të të zotit. Duke reduktuar shumat, ai bëhet mik me ata që mund t’i bëjnë, gjithashtu, favore kur të humbasë punën.

Kur dëgjon se çfarë ka ndodhur, zotërisë i bën përshtypje. Në fakt, ai ‘e lavdëron administratorin, ndonëse i padrejtë, sepse ka vepruar me mençuri praktike.’ (BR) Dhe me të vërtetë, Jezui shton: «Bijtë e këtij sistemi gjërash janë më të mençur në mënyrë praktike, në lidhje me brezin e tyre, sesa janë bijtë e dritës.»—BR.

Tani, duke nxjerrë mësimin për dishepujt e tij, Jezui nxit: «Bëjini miqtë me pasuri të padrejta sepse, kur këto do t’ju mungojnë, t’ju pranojnë në banesat e përjetshme.»

Jezui nuk po e lavdëron ekonomin për padrejtësinë e tij, por për mençurinë e tij praktike, largpamëse. Shpesh, «bijtë e këtij sistemi gjërash», me shkathtësi, i përdorin paratë ose pozitën e tyre për t’u bërë miq me ata njerëz, të cilët mund t’u bëjnë favore më vonë. Kështu, edhe shërbëtorët e Perëndisë, «bijtë e dritës», kanë nevojë t’i përdorin burimet e tyre materiale apo ‘pasuritë [e tyre] të padrejta’, në një mënyrë praktike, që të nxjerrin dobi ata vetë.

Por, siç thotë Jezui, këto pasuri, duhet t’i përdorin për t’u bërë miq me ata persona, të cilët mund t’i pranojnë «në banesat e përjetshme». Për anëtarët e kopesë së vogël, këto banesa janë në qiell, ndërsa për ‘delet e tjera’, janë në tokën parajsore. Përderisa vetëm Perëndia Jehova dhe Biri i tij mund të pranojnë njerëz në këto banesa, ne duhet të jemi të zellshëm në kultivimin e miqësisë me ta, duke përdorur çfarëdolloj ‘pasurie të padrejtë’ që zotërojmë për të mbështetur interesat e Mbretërisë. Atëherë, kur pasuritë materiale të dështojnë apo të prishen, siç do të ndodhë patjetër, e ardhmja jonë e përhershme do të jetë e siguruar.

Jezui vazhdon, duke thënë se ata që kujdesen besnikërisht, madje për këto gjëra materiale apo më të vogla, do të kujdesen besnikërisht edhe për gjëra me rëndësi më të madhe. «Pra,—vazhdon ai,—në qoftë se ju nuk keni qenë besnikë në pasuritë e padrejta, kush do t’ju besojë pasuritë e vërteta [që janë interesat frymore, apo të Mbretërisë]? Dhe, në qoftë se nuk keni qenë besnikë në pasurinë e tjetrit [interesat e Mbretërisë, të cilat Perëndia ua ka besuar shërbëtorëve të tij], kush do t’ju japë tuajën [çmimin e jetës në banesat e përjetshme]?»

Thjesht, nuk mund të jemi shërbëtorë të vërtetë të Perëndisë dhe, në të njëjtën kohë, skllevër të pasurive të padrejta, siç përfundon Jezui: «Asnjë shërbëtor shtëpie nuk mund të jetë skllav i dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe do të dojë tjetrin, ose do t’i ngjitet pas njërit dhe të përbuzë tjetrin. Ju nuk mund të jeni skllevër të Perëndisë dhe të Pasurive.»—BR. Luka 15:1, 2; 16:1-13; Gjoni 10:16.

▪ Si bëhet mik, ekonomi në ilustrimin e Jezuit, me ata që mund ta ndihmojnë më vonë?

▪ Çfarë janë ‘pasuritë e padrejta’ dhe si mund të bëjmë miq me anë të tyre?

▪ Kush mund të na pranojë në «banesat e përjetshme» dhe çfarë banesash janë këto?