Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mesazhe nga qielli

Mesazhe nga qielli

Kapitulli 1

Mesazhe nga qielli

EGJITHË Bibla në fakt është një mesazh nga qielli, duke qenë se është siguruar nga Ati ynë qiellor për të na udhëzuar. Sidoqoftë, dy mesazhe të veçanta u shpallën pothuajse 2.000 vjet më parë nga një engjëll që qëndron «në prani të Perëndisë». Ai quhet Gabriel. Le të shikojmë se në ç’rrethana u bënë këto dy vizita të rëndësishme në tokë.

Është viti 3 p.e.s. Në kodrat e Judesë, ndoshta jo shumë larg Jerusalemit, jeton një prift i Jehovait me emrin Zaharia. Si ai, ashtu edhe gruaja e tij, Elizabeta, janë të moshuar dhe nuk kanë fëmijë. Zaharia ka radhën e shërbimit priftëror në tempullin e Perëndisë në Jerusalem. Papritur, në anën e djathtë të altarit të temjanit, shfaqet Gabrieli

Zaharia frikësohet së tepërmi, por Gabrieli e qetëson duke i thënë: «Mos u tremb, Zakaria, sepse lutja jote u plotësua dhe gruaja jote Elizabeta do të lindë një djalë, të cilit do t’ia vësh emrin Gjon.» Gabrieli vazhdon, duke shpallur se Gjoni ‘do të jetë i madh para Jehovait’ dhe se do t’i ‘bëjë gati Jehovait një popull të përgatitur’.

Por Zaharia nuk arrin ta besojë një gjë të tillë. Duket fare e pamundur që ai dhe Elizabeta të mund të kenë një fëmijë në atë moshë. Për këtë arsye Gabrieli i thotë: «Ti do të jesh i pagojë dhe nuk do të mund të flasësh deri në atë ditë kur të ndodhin këto gjëra, sepse nuk u ke besuar fjalëve të mia.»

Ndërkohë, jashtë, njerëzit po çuditen se përse Zaharia po vonohet kaq shumë në tempull. Kur më në fund del jashtë, ai nuk mund të flasë, por mund të bëjë vetëm shenja me duar dhe prej kësaj ata e kuptojnë se ka parë diçka të mbinatyrshme.

Pasi mbaron kohën e shërbimit në tempull, Zaharia kthehet në shtëpi. Dhe pas pak kohe ndodh ajo që u paratha, Elizabeta mbetet shtatzënë! Ndërsa pret lindjen e fëmijës, ajo qëndron në shtëpi, për pesë muaj larg nga njerëzit.

Më vonë Gabrieli shfaqet përsëri dhe a e dini se kujt i flet? Një vajze të pamartuar me emrin Maria nga qyteti i Nazaretit. Cili është mesazhi që shpall ai këtë herë? Dëgjoni! «[Ti] ke gjetur hir para Perëndisë,—i thotë Gabrieli Marisë.—Ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë dhe do t’ia vësh emrin Jezus.» Gabrieli shton: «Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; . . . dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë të sosur.»

Me siguri, Gabrieli ndihet i privilegjuar, ndërsa shpall këto mesazhe. Ndërsa lexojmë më shumë për Gjonin dhe Jezuin, do të kuptojmë akoma më mirë se përse këto dy mesazhe nga qielli janë kaq të rëndësishme. 2. Timoteut 3:16; Luka 1:5-33.

▪ Cilat janë dy mesazhet e rëndësishme që shpallen nga qielli?

▪ Kush i shpall mesazhet dhe cilëve u drejtohen ato?

▪ Përse është kaq e vështirë që të besohen këto mesazhe?