Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mohimet në oborr

Mohimet në oborr

Kapitulli 120

Mohimet në oborr

PASI e braktisin Jezuin në kopshtin e Gjetsemanisë dhe ia mbathin të frikësuar bashkë me apostujt e tjerë, në njëfarë pike Pjetri dhe Gjoni ndalojnë. Ndoshta ata e arrijnë Jezuin, ndërkohë që e çojnë në shtëpinë e Anës. Kur Ana e dërgon Jezuin te kryeprifti Kajafa, Pjetri dhe Gjoni e ndjekin nga njëfarë distance, me sa duket të lëkundur midis frikës për jetën dhe shqetësimit të thellë për atë që do t’i ndodhë Zotërisë së tyre.

Kur mbërrijnë në shtëpinë e madhe të Kajafës, Gjoni arrin të futet në oborr meqë kryeprifti e njeh. Ndërsa Pjetrin e lënë jashtë, te dera. Por pas pak, Gjoni kthehet dhe flet me portieren, një shërbëtore, kështu Pjetrin e lejojnë të hyjë.

Është ftohtë, prandaj shërbëtorët e shtëpisë dhe oficerët e kryepriftit kanë ndezur një zjarr me qymyr. Pjetri bashkohet me ta për t’u ngrohur, ndërsa pret rezultatin e gjykimit të Jezuit. Atje nën dritën e zjarrit flakërues, portierja që e ka lënë të hyjë, e shikon më mirë Pjetrin. «Edhe ti ishe me Jezusin, Galileasin»,—thërret ajo.

I turbulluar ngaqë është identifikuar, Pjetri mohon para të gjithëve se e njeh Jezuin. «Nuk e njoh, nuk e kuptoj se çfarë thua»,—thotë ai.

Pas kësaj, Pjetri shkon pranë portës. Atje, një vajzë tjetër e vëren dhe gjithashtu, u thotë atyre që janë pranë: «Edhe ky ishte me Jezusin, Nazareasin.» Por, edhe një herë Pjetri e mohon këtë, duke u betuar: «Unë nuk e njoh atë njeri.»

Pjetri qëndron në oborr, duke u përpjekur të bjerë në sy sa më pak që të jetë e mundur. Ndoshta në këtë moment ai befasohet nga kënga e një gjeli që dëgjohet në errësirën e natës, pak para agimit. Ndërkohë gjykimi i Jezuit që siç duket zhvillohet në një pjesë të shtëpisë mbi oborr vazhdon akoma. Pa dyshim Pjetri dhe të tjerët që presin poshtë, i shikojnë vajtje-ardhjet e dëshmitarëve të ndryshëm që i sjellin për të dëshmuar.

Ka kaluar rreth një orë që nga hera e fundit që Pjetri u identifikua si një nga shoqëruesit e Jezuit. Tani disa prej atyre që janë përreth i afrohen dhe i thonë: «Sigurisht, edhe ti je një nga ata, sepse e folura jote të tradhton!» Njëri prej tyre është një i afërm i Malkut, i atij të cilit Pjetri i preu veshin. «A s’të pashë në kopsht me të?»—thotë ai.

«Unë nuk e njoh atë njeri»,—pohon Pjetri me forcë. Në fakt ai përpiqet t’i bindë se e kanë gabim, duke mallkuar dhe duke u betuar për këtë gjë, domethënë duke i uruar të keqen vetes nëse nuk po thotë të vërtetën.

Pikërisht sapo Pjetri mohon për herë të tretë, këndon një gjel. Në këtë moment, Jezui që me sa duket ka dalë në një ballkon mbi oborr, kthehet dhe shikon drejt tij. Pjetrit menjëherë i kujtohet ajo që i tha Jezui vetëm disa orë më parë në dhomën e sipërme: «Para se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë.» I dërrmuar nga pesha e mëkatit të vet, Pjetri del jashtë dhe qan me hidhërim.

Si mundi të ndodhte një gjë e tillë? Si mundi Pjetri ta mohonte Zotërinë e tij tri herë me radhë brenda pak kohe, pas gjithë asaj sigurie që pati për forcën e tij frymore? Rrethanat, padyshim, e gjejnë Pjetrin të papërgatitur. E vërteta shtrembërohet dhe Jezui paraqitet si një kriminel i poshtër. E drejta paraqitet si e gabuar, ndërsa i pafajshmi si fajtor. Kështu për shkak të presioneve të situatës së krijuar, Pjetri e ka humbur ekuilibrin. Papritur ndjenja e tij e besnikërisë është turbulluar; për hidhërimin e tij, ai është paralizuar nga frika e njeriut. Mos na ndodhtë kurrë një gjë e tillë! Mateu 26:57, 58, 69-75; Marku 14:30, 53, 54, 66-72; Luka 22:54-62; Gjoni 18:15-18, 25-27.

▪ Si arrijnë Pjetri dhe Gjoni të hyjnë në oborrin e kryepriftit?

▪ Çfarë ndodh në shtëpi, ndërsa Pjetri dhe Gjoni janë në oborr?

▪ Sa herë këndon gjeli dhe sa herë mohon Pjetri se e njeh Jezuin?

▪ Çfarë do të thotë që Pjetri mallkon dhe betohet?

▪ Çfarë e bën Pjetrin që të mohojë se e njeh Jezuin?