Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mrekullia e dytë ndërsa është në Kanë

Mrekullia e dytë ndërsa është në Kanë

Kapitulli 20

Mrekullia e dytë ndërsa është në Kanë

ARSYEJA për të cilën Jezui kthehet në vendin e tij, pas një fushate të gjerë predikimi në Jude, nuk është për të pushuar. Përkundrazi, në Galile, që është vendi ku është rritur, ai fillon një shërbim akoma më të madh. Por, dishepujt e tij, në vend se të qëndrojnë me të, kthehen në familjet e tyre dhe në punët e tyre të mëparshme.

Çfarë mesazhi fillon të predikojë Jezui? Këtë: «Mbretëria e Perëndisë është afër. Pendohuni dhe besoni ungjillin.» Cili është reagimi? Galileasit e pranojnë Jezuin. Ai nderohet nga të gjithë. Megjithatë, këtë nuk e bëjnë në mënyrë të veçantë për hir të mesazhit të tij, por më tepër për faktin se shumë prej tyre, disa muaj më parë, kanë qenë në Jerusalem me rastin e Pashkës dhe kanë parë shenjat e jashtëzakonshme që ai ka kryer.

Me sa duket, shërbimin e tij madhështor të Galilesë, Jezui e fillon në Kanë. Më parë, siç mund t’ju kujtohet, pasi ishte kthyer nga Judea, ai e kishte shndërruar ujin në verë, në një dasmë që po bëhej atje. Tani, në këtë rast të dytë, fëmija i një zyrtari të mbretit Herod Antipa, është shumë sëmurë. Me të dëgjuar se Jezui ka ardhur nga Judea në Kanë, ky zyrtar vjen që nga Kapernaumi, ku banon, për të gjetur Jezuin. I pikëlluar, burri i lutet atij: ‘Të lutem, eja menjëherë, para se të më vdesë fëmija.’

Jezui i përgjigjet: ‘Shko në shtëpi. Djali yt është shëruar!’ Zyrtari i Herodit beson dhe nis udhëtimin e gjatë të kthimit për në shtëpi. Rrugës ai takon shërbëtorët e tij, të cilët kanë ardhur me nxitim për t’i thënë se çdo gjë shkon mirë, djali i tij është shëruar. ‘Kur u bë më mirë?’,—pyet ai.

‘Dje, në orën një pas mesdite’,—përgjigjen ata.

Zyrtari e kupton se kjo është pikërisht ora në të cilën Jezui i tha, ‘Djali yt është shëruar’. Pas kësaj, ai dhe familja e tij, bëhen dishepuj të Krishtit.

Në këtë mënyrë, Kana është favorizuar, si vendi, ku për dy herë me radhë, Jezui ka kryer mrekulli, për të lajmëruar kthimin e tij nga Judea. Natyrisht, këto nuk janë të vetmet mrekulli që ai ka kryer deri tani, por ato janë domethënëse, sepse kanë shënuar kthimin e tij në Galile.

Tani, Jezui drejtohet për në qytetin e tij, Nazaret. Çfarë e pret atje? Gjoni 4:43-54; Marku 1:14, 15; Luka 4:14, 15.

▪ Çfarë ndodh me dishepujt e Jezuit kur ai kthehet në Galile dhe si pritet ai nga njerëzit?

▪ Çfarë mrekullie kryen Jezui dhe si ndikon ajo mbi ata që përfshihen në të?

▪ Në ç’mënyrë, pra, u favorizua Kana nga Jezui?