Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Në Detin e Galilesë

Në Detin e Galilesë

Kapitulli 130

Në Detin e Galilesë

TANI, apostujt kthehen në Galile, ashtu siç i kishte udhëzuar më parë Jezui. Por ata nuk e dinë saktësisht se çfarë duhet të bëjnë atje. Pas pak, Pjetri i thotë Thomait, Natanaelit, Jakovit e vëllait të tij Gjonit, si dhe dy apostujve të tjerë: «Po shkoj të peshkoj.»

«Po vijmë edhe ne me ty»,—përgjigjen këta të gjashtë.

Gjatë gjithë natës ata nuk arrijnë të kapin asgjë. Megjithëkëtë, sapo bien rrezet e para të dritës, Jezui shfaqet në breg të detit, por dishepujt nuk e dallojnë që është ai. Jezui thërret: «O djema, a keni ndonjë gjë për të ngrënë?»

«Jo!»—thërrasin ata që nga barka.

«Hidhni rrjetën në të djathtë të barkës dhe do të gjeni»,—u thotë ai. Kur e hedhin, sasia e peshkut që zënë është kaq e madhe, saqë nuk janë në gjendje ta tërheqin rrjetën lart.

«Është Zoti»,—thërret Gjoni.

Me të dëgjuar këtë, Pjetri mbështillet me veshjen e tij të jashtme ngaqë i ka hequr rrobat dhe hidhet në det. Pastaj noton drejt bregut për gati 90 metra. Apostujt e tjerë e ndjekin me barkën e vogël, duke tërhequr pas rrjetën plot me peshq.

Kur arrijnë në breg, gjejnë një zjarr me qymyr, disa peshq sipër tij dhe bukë. «Sillni këtu disa nga peshqit që zutë tani»,—thotë Jezui. Pjetri hipën në barkë dhe e nxjerr rrjetën në breg. Në të gjenden 153 peshq të mëdhenj!

«Ejani të hani mëngjes»,—i fton Jezui.

Asnjëri prej tyre nuk ka guxim të pyesë, ‘Kush je ti’, sepse të gjithë e kuptojnë që është Jezui. Kjo është shfaqja e shtatë e Jezuit pas ringjalljes dhe e treta ndaj apostujve si grup. Tani ai shërben mëngjesin, duke i dhënë secilit ca bukë dhe peshk.

Kur mbarojnë së ngrëni, Jezui, ndoshta me shikimin nga sasia e madhe e peshkut të zënë, e pyet Pjetrin: «Simon nga Jona, a më do ti mua më shumë se këta?» Pa dyshim, me këtë ai do të thotë: ‘A je i lidhur me zanatin tënd si peshkatar, më shumë sesa me veprën për të cilën të stërvita?’

«Ti e di se unë të dua»,—përgjigjet Pjetri.

«Kulloti qengjat e mi»,—ia kthen Jezui.

Përsëri, për herë të dytë, ai e pyet: «Simon nga Jona, a më do ti mua?»

«Po, Zot, ti e di se unë të dua»,—përgjigjet me gjithë zemër Pjetri.

«Ki kujdes për delet e mia»,—e urdhëron Jezui përsëri.

Pastaj, akoma edhe një herë të tretë, ai pyet: «Simon nga Jona, a më do ti mua?»

Tani Pjetri trishtohet. Ndoshta ai po pyet veten nëse Jezui vë në dyshim besnikërinë e tij. Në fund të fundit, jo shumë kohë më parë, kur Jezui ishte në gjykim për jetën e tij, Pjetri mohoi tri herë se e njihte. Prandaj, Pjetri thotë: «Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua.»

«Kulloti delet e mia»,—e urdhëron Jezui për herë të tretë.

Në këtë mënyrë, Jezui e përdor Pjetrin si një shembull për t’u ngulitur në mendje të tjerëve veprën që dëshiron të bëjnë ata. Së shpejti ai do të ikë nga toka dhe dëshiron që ata të marrin drejtimin në shërbimin ndaj atyre që do të merren në vathën e deleve të Perëndisë.

Tani Jezui zbulon se, ashtu siç e lidhën dhe e ekzekutuan atë, sepse kreu veprën që i kishte ngarkuar Perëndia, edhe Pjetri do të përjetojë një përvojë të ngjashme. «Kur ti ishe i ri,—i thotë Jezui,—e ngjeshje vetveten dhe shkoje ku të doje; po kur të jesh plak, do t’i shtrish duart dhe dikush tjetër do të të ngjeshë e do të të çojë atje ku nuk doje.» Megjithatë, pavarësisht nga martirizimi që e pret Pjetrin, Jezui e nxit: «Ndiqmë!»

Duke u kthyer pas, Pjetri shikon Gjonin dhe pyet: «Zot, me të ç’do të bëhet?»

«Nëse unë dua që ai të mbetet derisa të vij unë,—përgjigjet Jezui,—ç’të duhet? Ti ndiqmë!» Këto fjalë të Jezuit u kuptuan nga shumë dishepuj sikur Jezui po thoshte që apostulli Gjon nuk do të vdiste kurrë. Por, ashtu siç shpjegoi më vonë apostulli Gjon, Jezui nuk tha se ai nuk do të vdiste, por thjesht tha: «Nëse unë dua që ky të mbetet derisa të vij unë, ç’të duhet?»

Më vonë Gjoni bëri edhe këtë pohim domethënës: «Janë edhe shumë gjëra të tjera që i bëri Jezusi, të cilat, po të shkruheshin një nga një, unë mendoj se nuk do të mjaftonte mbarë bota që t’i nxinte librat që do të mund të shkruheshin.» Gjoni 21:1-25; Mateu 26:32; 28:7, 10.

▪ Çfarë tregon se apostujt nuk e dinë saktësisht se ç’duhet të bëjnë në Galile?

▪ Si e njohin apostujt Jezuin në Detin e Galilesë?

▪ Sa herë është shfaqur deri tani Jezui që prej ringjalljes së tij?

▪ Si e thekson Jezui atë që dëshiron të bëjnë apostujt?

▪ Si e tregon Jezui mënyrën në të cilën do të vdesë Pjetri?

▪ Cilat pohime të Jezuit në lidhje me Gjonin u keqkuptuan nga shumë dishepuj?