Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Në festën e tabernakujve

Në festën e tabernakujve

Kapitulli 66

Në festën e tabernakujve

KANË kaluar gati tre vjet që nga pagëzimi i tij dhe Jezui është bërë i famshëm. Mijëra e mijëra njerëz kanë parë mrekullitë e tij dhe në mbarë vendin është folur për aktivitetin e tij. Tani, ndërsa njerëzit mblidhen në Jerusalem për Festën e Tabernakujve, fillojnë ta kërkojnë. «Ku është ai?»—duan të dinë ata.

Jezui është bërë objekt polemikash. «Ai është i mirë»,—thonë disa. «Jo, madje ai e mashtron popullin»,—pohojnë disa të tjerë. Gjatë ditëve të para të festës, dëgjohen shumë biseda nën zë, të këtij lloji. Megjithatë, askush nuk e merr guximin të flasë hapur në favor të Jezuit. Kjo ndodh sepse njerëzit i frikësohen hakmarrjes nga ana e krerëve judenj.

Kur tashmë ka kaluar gjysma e festës, vjen Jezui. Ai shkon në tempull dhe njerëzit mahniten nga aftësia e tij e jashtëzakonshme e të mësuarit. Pasi Jezui nuk i ka frekuentuar kurrë shkollat rabinike, judenjtë mrekullohen dhe thonë: «Si i ditka ky shkronjat pa pasur studiuar?»

«Ajo që mësoj nuk është e imja,—shpjegon Jezui,—por i përket atij që më dërgoi. Nëse dikush dëshiron të bëjë vullnetin e Tij, do të dijë në lidhje me mësimin nëse është nga Perëndia apo nëse unë flas nga vetja ime.» (BR) Mësimet e Jezuit i përmbahen ngushtësisht ligjit të Perëndisë. Kështu që duhet të jetë e dukshme se ai kërkon lavdinë e Perëndisë dhe jo të tijën. «A nuk jua ka dhënë Moisiu ligjin?»—pyet Jezui. Duke i qortuar ai thotë: «E pra, asnjë nga ju nuk e vë në praktikë ligjin.»

«Pse kërkoni të më vritni?»—pyet atëherë Jezui.

Turma e njerëzve, e përbërë ndoshta nga vizitorë të ardhur me rastin e festës, nuk është në dijeni të këtyre tentativave. Ata e konsiderojnë të paimagjinueshme që dikush të dojë të vrasë një mësues kaq të mrekullueshëm. Prandaj, ata mendojnë se diçka nuk shkon te Jezui, përderisa mendon në këtë mënyrë. «Ti ke një demon,—thonë ata,—kush kërkon të të vrasë?»

Edhe pse turma mund të mos e kuptojë, krerët judenj duan ta vrasin Jezuin. Një vit e gjysmë më parë, kur Jezui shëroi një njeri ditën e shtunë, ata krerë u përpoqën ta vrisnin. Prandaj, tani Jezui nxjerr në pah paarsyetueshmërinë e tyre, duke pyetur: «Në qoftë se një njeri merr rrethprerjen të shtunën, që të mos shkelet ligji i Moisiut, ju zemëroheni kundër meje sepse shërova tërësisht një njeri të shtunën? Mos gjykoni sipas pamjes së jashtme, por gjykoni sipas drejtësisë!»

Disa banorë të Jerusalemit që janë në dijeni të kësaj situate, tani thonë: «A nuk është ky ai që kërkojnë ta vrasin? E megjithatë, ja, ai po flet lirisht dhe nuk i thonë asgjë; mos kanë njohur krerët se ai është me të vërtetë Krishti?» Pastaj këta banorë të Jerusalemit shpjegojnë se përse nuk besojnë që Jezui është Krishti: «Ne e dimë se nga është ai; ndërsa kur të vijë Krishti, askush nuk do ta dijë se nga është.»

Jezui përgjigjet: «Ju më njihni dhe e dini se nga jam, megjithatë unë s’kam ardhur nga vetja, por ai që më ka dërguar është i vërtetë dhe ju nuk e njihni. Por unë atë e njoh, sepse jam nga ai dhe ai më dërgoi.» Sapo e dëgjojnë këtë, ata përpiqen ta kapin, ndoshta për ta futur në burg apo për ta vrarë. Por nuk ia dalin dot, sepse nuk ka ardhur koha që Jezui të vdesë.

Sidoqoftë, shumë fillojnë të besojnë në Jezuin, ashtu si duhet të bëjnë, në fakt. Në fund të fundit, Jezui ka ecur mbi ujë, ka pushuar erëra, ka qetësuar dete të stuhishme, ka ushqyer në mënyrë të mrekullueshme mijëra njerëz me pak bukë e ca peshq, ka shëruar të sëmurët, ka bërë të çalët të ecin, të verbërve u ka hapur sytë, ka shëruar të lebrosurit dhe madje ka ngritur të vdekurit në jetë. Prandaj ata pyesin: «Kur të vijë Krishti a do të bëjë më shumë shenja se këto që ka bërë ky?»

Kur farisenjtë e dëgjojnë turmën që pëshpërit këto gjëra, ata dhe krerët e priftërinjve, dërgojnë roje për të arrestuar Jezuin. Gjoni 7:11-32.

▪ Kur vjen Jezui në festë dhe çfarë po thonë njerëzit për të?

▪ Cila mund të jetë arsyeja për të cilën disa thonë se Jezui ka një demon?

▪ Çfarë mendimi kanë për Jezuin banorët e Jerusalemit?

▪ Përse shumë njerëz besojnë te Jezui?