Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Në kërkim të të humburve

Në kërkim të të humburve

Kapitulli 85

Në kërkim të të humburve

JEZUI dëshiron fort të kërkojë dhe të gjejë ata që, me përulësi, duan t’i shërbejnë Perëndisë. Prandaj, ai gjen dhe flet me çdo njeri mbi Mbretërinë, duke përfshirë madje edhe mëkatarë famëkeq. Tani, disa njerëz të tillë i afrohen pranë për ta dëgjuar.

Duke parë këtë, farisenjtë dhe skribët e kritikojnë Jezuin për shoqërimin me këta njerëz, të cilët ata i konsiderojnë si të padenjë. Ata murmuritin: «Ky i pranon mëkatarët dhe ha bashkë me ta.» Sa do ta ulte kjo gjë dinjitetin e tyre! Farisenjtë dhe skribët i trajtojnë njerëzit e zakonshëm si pluhur nën këmbët e tyre. Në fakt, ata përdorin shprehjen hebreje ‛am ha’aʹrets, «njerëz të tokës [të dheut]», për të treguar se sa i përçmojnë këta njerëz.

Nga ana tjetër, Jezui i trajton të gjithë me dinjitet, me dashamirësi dhe dhembshuri. Si rezultat, shumë nga këta njerëz të thjeshtë, duke përfshirë edhe persona të njohur si keqbërës, mezi presin ta dëgjojnë. Por ç’të themi për kritikën që i bëjnë farisenjtë Jezuit për përpjekjet e tij në favor të atyre që ata i konsiderojnë të padenjë?

Jezui i përgjigjet kundërshtimit të tyre me anë të një ilustrimi. Ai flet nga këndvështrimi i vetë farisenjve, sikur ata të jenë të drejtë dhe të sigurt në kopenë e Perëndisë, ndërsa njerëzit e përçmuar ‛am ha’aʹrets, të kenë devijuar dhe të jenë në një gjendje të humbur. Dëgjoni pyetjen e tij:

«Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t’i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretëtirë dhe nuk shkon pas asaj që humbi derisa ta gjejë? Dhe, kur e gjen, e merr mbi supe gjithë gaz dhe kur arrin në shtëpi, i thërret miqtë dhe fqinjët dhe u thotë: ‘Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur.’»

Pastaj Jezui bën aplikimin e tregimit të tij, duke shpjeguar: «Dhe unë po ju them, se po kështu, në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen.»

Farisenjtë e mbajnë veten për të drejtë dhe si të tillë nuk e ndiejnë se kanë nevojë të pendohen. Kur disa prej tyre e kritikuan Jezuin, afërsisht dy vjet më parë, ngaqë kishte ngrënë me taksambledhësit dhe mëkatarët, ai u tha: «Unë nuk erdha për të thirrur në pendim të drejtët, por mëkatarët.» Farisenjtë e vetëquajtur të drejtë, të cilët nuk e shohin nevojën për t’u penduar, nuk sjellin gëzim në qiell. Por mëkatarët e penduar me të vërtetë, po.

Për ta theksuar dyfish faktin se kthimi i mëkatarëve të humbur shkakton një gëzim të madh, Jezui bën edhe një ilustrim tjetër. Ai thotë: «Cila grua që ka dhjetë dhrahmi dhe humbet një nga ato, nuk ndez llambën, nuk fshin shtëpinë dhe nuk kërkon me kujdes derisa ta gjejë? Dhe, kur e gjen, fton tok shoqet dhe fqinjët, duke thënë: ‘Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta dhrahminë që kisha humbur.’»

Pastaj, Jezui bën një aplikim të ngjashëm. Ai vazhdon duke thënë: «Po kështu po ju them: do të ketë gëzim në mes të engjëjve të Perëndisë për një mëkatar të vetëm që pendohet.»

Sa i jashtëzakonshëm është ky interesim i dashur i engjëjve të Perëndisë, për rikthimin e mëkatarëve të humbur! Kjo sidomos, duke menduar që këtyre njerëzve, dikur të konsideruar të thjeshtë, ‛am ha’aʹrets të përçmuar, në fund u jepet mundësia për të qenë anëtarë të Mbretërisë qiellore të Perëndisë. Si rezultat, ata fitojnë në qiell një pozitë që është më e lartë sesa ajo e vetë engjëjve! Por në vend se të ndihen xhelozë apo të shpërfillur, engjëjt, me përulësi, mbajnë parasysh se këta njerëz mëkatarë kanë hasur dhe kapërcyer në jetë situata që i kanë bërë të aftë për të shërbyer si mbretër dhe priftërinj qiellorë që i kuptojnë njerëzit dhe që janë të mëshirshëm. Luka 15:1-10; Mateu 9:13; 1. Korintasve 6:2, 3; Zbulesa 20:6.

▪ Përse Jezui shoqërohet me mëkatarë të njohur dhe çfarë kritike i bëjnë farisenjtë?

▪ Si i konsiderojnë farisenjtë njerëzit e zakonshëm?

▪ Çfarë ilustrimesh përdor Jezui dhe çfarë mund të mësojmë prej tyre?

▪ Përse gëzimi i engjëjve është diçka e jashtëzakonshme?