Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nderohet para se të lindë

Nderohet para se të lindë

Kapitulli 2

Nderohet para se të lindë

PASI engjëlli Gabriel i tregon Marisë, kësaj vajze të re, se do të lindë një djalë që do të bëhet një mbret i përhershëm, Maria pyet: «Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?»

«Fryma e shenjtë do të vijë mbi ty,—shpjegon Gabrieli—dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë.»

Për ta ndihmuar Marinë që ta besojë mesazhin e tij, Gabrieli vazhdon duke thënë: «Dhe ja, Elisabeta e afërmja jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, mbeti shtatzënë me një djalë; dhe ky është muaji i gjashtë për të, që e quanin shterpë; sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme.»

Maria i pranon fjalët e Gabrielit. Dhe ja se si reagon ajo. «Ja shërbëtorja e Zotit!—thërret me gëzim.—Le të më ndodhë sipas fjalës sate.»

Pak pasi largohet Gabrieli, Maria përgatitet dhe shkon për vizitë tek Elizabeta, e cila jeton me burrin e saj, Zaharian, në zonën malore të Judesë. Nga Nazareti ku e ka shtëpinë Maria udhëtimi është ndoshta tri ose katër ditë i gjatë.

Kur më në fund arrin në shtëpinë e Zaharias, ajo hyn dhe përshëndet. Menjëherë, Elisabeta e mbushur me frymën e shenjtë i drejtohet duke i thënë: «Ti je e bekuar ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd. Dhe përse po më ndodh kjo, që nëna e Zotit tim të vijë tek unë? Sepse, ja, sapo arriti në veshët e mi zëri i përshëndetjes sate, fëmija nga gëzimi kërceu në barkun tim.»

Me të dëgjuar këto fjalë, Maria përgjigjet me mirënjohje të thellë: «Shpirti im madhëron Jehovain dhe fryma ime nuk mund të mos ngazëllojë në Perëndinë, Shpëtimtarin tim, sepse ai e ka parë pozitën e përulur të skllaves së tij. Sepse, ja, tani e tutje të gjithë brezat do të më shpallin të lumtur, sepse i Fuqishmi ka bërë vepra të mëdha për mua.» (BR) Megjithatë, pavarësisht nga favori që i është treguar, Maria e drejton të gjithë nderimin nga Perëndia. «I Shenjtë është emri i tij!—thotë ajo.—Dhe mëshira e tij shtrihet nga brezi në brez për ata që e druajnë.»

Maria vazhdon ta lëvdojë Perëndinë me një këngë profetike të frymëzuar, duke shpallur: «Ai veproi pushtetshëm me krahun e vet; i shpërndau krenarët me mendimet e zemrave të tyre; i përmbysi pushtetarët nga fronet e tyre dhe i ngriti të përulurit; i mbushi me të mira të uriturit dhe i ktheu duarbosh të pasurit. Ai e ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke i kujtuar për mëshirën e tij, ashtu si ua pati deklaruar etërve tanë, Abrahamit dhe pasardhësve të tij, përgjithmonë.»

Maria qëndron gati tre muaj me Elizabetën dhe padyshim që e ndihmon shumë gjatë këtyre javëve të fundit të shtatzënisë së saj. Është vërtet një gjë e shkëlqyeshme fakti që këto dy gra, shtatzëna falë Perëndisë, mund të qëndrojnë së bashku në këtë periudhë të bekuar të jetës së tyre!

A e vutë re nderimin që iu dha Jezuit madje edhe para se të lindte? Elizabeta e quajti ‘Zoti im’ dhe fëmija i saj ende i palindur kërceu nga gëzimi, kur u shfaq për herë të parë Maria. Nga ana tjetër, më vonë disa të tjerë, siç do të shikojmë, nuk e trajtuan me respekt Marinë dhe fëmijën e saj akoma të palindur. Luka 1:26-56.

▪ Çfarë i thotë Gabrieli Marisë për ta ndihmuar që të kuptonte se si do të mbetej shtatzënë?

▪ Si u nderua Jezui para se të lindte?

▪ Çfarë thotë Maria në një këngë profetike në lavdi të Perëndisë?

▪ Për sa kohë qëndron Maria me Elizabetën dhe përse është e përshtatshme që ajo të qëndrojë me të gjatë kësaj periudhe?