Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nevoja për lutje dhe për përulësi

Nevoja për lutje dhe për përulësi

Kapitulli 94

Nevoja për lutje dhe për përulësi

MË PARË, kur ishte në Jude, Jezui bëri një ilustrim në lidhje me rëndësinë e këmbënguljes në lutje. Tani, gjatë udhëtimit të tij të fundit për në Jerusalem, ai thekson përsëri nevojën për të mos hequr dorë nga lutja. Ka të ngjarë që Jezui të jetë akoma në Samari apo në Galile, kur u tregon dishepujve të tij këtë ilustrim tjetër:

«Në një qytet ishte një gjykatës që nuk kishte frikë nga Perëndia dhe nuk kishte respekt për njeri. Tani, po në atë qytet, ishte një grua e ve që shkonte tek ai duke thënë: ‘Ma jep të drejtën para kundërshtarit tim.’ Për një farë kohe ai nuk deshi ta bënte, por pastaj tha me vete: ‘Megjithëse nuk kam frikë nga Perëndia dhe s’kam respekt për asnjeri, duke qenë se kjo grua e ve po vazhdon të më mërzitë, do t’ia jap të drejtën, sepse, duke më ardhur vazhdimisht, do të më raskapitë.’»

Pastaj, Jezui bën zbatimin e tregimit të tij, duke thënë: «Dëgjojeni atë që tha gjykatësi, edhe pse i padrejtë! Sigurisht, a nuk do të sjellë, pra, Perëndia drejtësi për të zgjedhurit e tij, të cilët i thërrasin atij ditë e natë, edhe pse ai është shpirtmadh kundrejt tyre?»—BR.

Jezui nuk do që të lërë të nënkuptohet se Perëndia është në ndonjë farë mënyre si gjykatësi i padrejtë. Përkundrazi, nëse madje një gjykatës i padrejtë u përgjigjet përgjërimeve të vazhdueshme, atëherë, as që duhet vënë në dyshim se Perëndia, i cili është i drejtë dhe i mirë në mënyrë absolute, do të përgjigjet nëse shërbëtorët e tij nuk heqin dorë nga lutja. Prandaj, Jezui vazhdon: «Unë po ju them, [Perëndia] do të bëjë me shpejtësi drejtësi për ta.»—BR.

Shpesh, drejtësia u mohohet njerëzve me pozitë të ulët dhe të varfër, ndërsa njerëzit me influencë dhe të pasur, zakonisht janë të privilegjuar. Megjithatë, Perëndia, do të sigurohet, jo vetëm që të ligjtë të ndëshkohen siç e meritojnë, por edhe që shërbëtorët e tij të trajtohen me drejtësi, duke u dhënë atyre jetën e përhershme. Por sa prej njerëzve besojnë plotësisht se Perëndia do të bëjë me shpejtësi drejtësi?

Duke iu referuar, në mënyrë të veçantë, besimit në fuqinë e lutjes, Jezui pyet: «Kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë besim në tokë?» Edhe pse pyetja mbetet pa përgjigje, ajo mund të lërë të kuptohet se një besim i tillë nuk do të jetë i zakonshëm kur Krishti të vijë në pushtetin e Mbretërisë.

Midis dëgjuesve të Jezuit, janë disa që ndihen plotësisht të sigurt në vetvete për besimin e tyre. Ata e konsiderojnë veten të drejtë dhe i shikojnë të tjerët me përbuzje. Në këtë grup njerëzish mund të përfshihen madje edhe disa nga dishepujt e Jezuit. Prandaj, ai u drejton atyre ilustrimin vijues:

«Dy njerëz u ngjitën në tempull për t’u lutur; njëri ishte farise dhe tjetri tagrambledhës. Fariseu rrinte në këmbë dhe lutej në vetvete kështu: ‘O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, grabitqarë, të padrejtë, kurorëshkelës dhe as si ai tagrambledhës. Unë agjëroj dy herë në javë dhe paguaj të dhjetën e gjithçkaje që kam.’»

Farisenjtë janë të famshëm për shfaqjet publike të drejtësisë, me qëllim që t’u bëjnë përshtypje të tjerëve. E hëna dhe e enjtja janë ditët e zakonshme të agjërimit të tyre të vetimponuar dhe me përpikmëri ata paguajnë të dhjetën, madje për çdo barishte të vogël të fushës. Disa muaj më parë, gjatë Festës së Tabernakujve, u bë i dukshëm përçmimi i tyre për njerëzit e thjeshtë, kur thanë: «Kjo turmë që nuk e njeh ligjin [domethënë, interpretimin që i bëjnë farisenjtë] është e mallkuar.»

Duke vazhduar ilustrimin, Jezui tregon për një individ të tillë «të mallkuar»: «Kurse tagrambledhësi rrinte larg dhe as që guxonte t’i çonte sytë drejt qiellit; por rrihte kraharorin e vet duke thënë: ‘O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj mua mëkatarit.’» Për arsye se tagrambledhësi i ka pranuar me përulësi mangësitë e veta, Jezui thotë: «Unë po ju them: Ky njeri zbriti në shtëpinë e tij i provuar më i drejtë se tjetri; sepse kushdo që e lartëson veten do të përulet, por ai që e përul veten do të lartësohet.»—BR.

Kështu, Jezui thekson edhe një herë nevojën për të qenë të përulur. Të rritur në një shoqëri, në të cilën ndihet shumë ndikimi i farisenjve të vetquajtur të drejtë dhe pozita e rangu theksohen gjithmonë, nuk është për t’u çuditur që edhe dishepujt e Jezuit të jenë ndikuar. Prapëseprapë, sa mësime të shkëlqyera jep Jezui mbi përulësinë! Luka 18:1-14; Gjoni 7:49.

▪ Përse gjykatësi i padrejtë e plotëson kërkesën e gruas së ve dhe çfarë mësimi del nga ilustrimi i Jezuit?

▪ Çfarë lloj besimi do të kërkojë Jezui kur të vijë?

▪ Kujt ia drejton Jezui ilustrimin mbi fariseun dhe tagrambledhësin?

▪ Cili qëndrim i farisenjve duhet shmangur?