Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një mësim mbi faljen

Një mësim mbi faljen

Kapitulli 64

Një mësim mbi faljen

ME SA duket, Jezui është akoma në shtëpinë në Kapernaum me dishepujt e tij. Pak më parë, ai ka folur me ta mbi mënyrën se si duhen zgjidhur mosmarrëveshjet mes vëllezërve, prandaj Pjetri e pyet: «Zot, nëse vëllai im mëkaton kundër meje, sa herë duhet ta fal?» Meqenëse mësuesit fetarë judenj e sugjerojnë faljen deri në tri herë, ka të ngjarë që Pjetrit t’i duket vetja shumë bujar, kur sugjeron: «Deri shtatë herë?»

Megjithatë, edhe vetë ideja për të numëruar rastet, është e gabuar. Jezui e korrigjon Pjetrin: «Unë po të them, jo deri shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë e shtatë herë!» (BR) Ai tregon se nuk duhet vendosur një kufi, për numrin e rasteve, në të cilat Pjetri duhet ta falë vëllanë e tij.

Për të ngulitur në mendjen e dishepujve, detyrimin që kanë për të falur, Jezui bën një ilustrim. Ai flet për një mbret, i cili dëshiron të bëjë llogaritë me skllevërit e tij. Përpara i sjellin një skllav, që i ka një borxh të stërmadh prej 60.000.000 denarësh. Por ky nuk ka absolutisht asnjë mundësi për t’ia larë. Jezui shpjegon se, për këtë arsye, mbreti urdhëron që ai, gruaja e tij dhe fëmijët, të shiten për të shlyer borxhin.

Atëherë, skllavi bie para këmbëve të zotërisë së tij dhe i lutet: «Zot, ki durim me mua dhe unë do t’i paguaj të gjitha.»

I shtyrë nga keqardhja për të, zotëria tregon mëshirë dhe ia fshin borxhin e stërmadh. Por menjëherë pas kësaj, vazhdon Jezui, ky skllav shkon dhe gjen një bashkëskllav, i cili i detyrohet vetëm 100 denarë. E mbërthen atë prej fyti dhe fillon ta shtrëngojë, ndërsa i thotë: «Më paguaj detyrimin që më ke.»

Por bashkëskllavi nuk i ka paratë. Prandaj, ai bie para këmbëve të skllavit ndaj të cilit është borxhli dhe i lutet: «Ki durim me mua dhe unë do t’i paguaj të gjitha.» Por ndryshe nga zotëria i tij, skllavi nuk tregohet i mëshirshëm dhe e fut bashkëskllavin e tij në burg.

Jezui vazhdon të tregojë se skllevërit e tjerë, që e kanë parë skenën, shkojnë dhe ia tregojnë zotërisë. I zemëruar, ai thërret skllavin. «Skllav i lig,—i thotë ai,—unë të fala gjithë atë borxh, kur ti m’u përgjërove. A nuk duhej që edhe ti, nga ana jote, të kishe mëshirë, për bashkëskllavin tënd, ashtu si edhe unë pata mëshirë për ty?» (BR) I nxehur nga kjo, zotëria ua dorëzon, këtë skllav të pamëshirshëm, rojeve të burgut, derisa ai të shlyejë të gjitha detyrimet e tij.

Pastaj, Jezui përfundon duke thënë: «Kështu do të veprojë me ju edhe Ati im qiellor, në qoftë se secili prej jush nuk e fal me gjithë zemër vëllanë e vet.»

Çfarë mësimi i shkëlqyer mbi faljen! Çdo lloj shkeljeje që një vëlla i krishterë mund të kryejë kundër nesh, është me të vërtetë e vogël në krahasim me borxhin e madh të mëkatit që Perëndia na ka falur. Për më tepër, Perëndia Jehova na ka falur me mijëra herë. Shpeshherë ne as që e kuptojmë se po mëkatojmë kundër tij. A nuk mund t’i falim ne, pra, vëllezërit tanë vetëm disa herë, edhe nëse kemi arsye të përligjur për t’u ankuar? Kujtoni se, ashtu si mësoi Jezui në Predikimin në Mal, Perëndia do të na i falë ‘fajet tona, ashtu si ne ua falim fajtorëve tanë’. Mateu 18:21-35; 6:12; Kolosianëve 3:13.

▪ Çfarë e nxit Pjetrin që të pyesë mbi faljen e vëllait të tij dhe, pse mund ta konsiderojë si shumë bujar sugjerimin për të falur shtatë herë?

▪ Çfarë ndryshimi ka mes reagimit të mbretit ndaj përgjërimit të skllavit për mëshirë dhe reagimit të skllavit ndaj përgjërimit të bashkëskllavit të tij?

▪ Çfarë mësojmë nga ilustrimi i Jezuit?