Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një mësim mbi mëshirën

Një mësim mbi mëshirën

Kapitulli 40

Një mësim mbi mëshirën

KA MUNDËSI që Jezui të jetë akoma në Nain, ku së fundi ka ringjallur birin e një të veje ose ndoshta duke vizituar ndonjë qytet aty afër. Një farise me emrin Simon dëshiron ta njohë më nga afër atë që po kryen këto vepra kaq të jashtëzakonshme. Kështu, ai e fton Jezuin që të hanë së bashku.

Duke e parë këtë rast si një mundësi për të ndihmuar ata që do të jenë të pranishëm, Jezui e pranon ftesën, ashtu siç ka pranuar ftesat edhe për të ngrënë me taksambledhësit dhe mëkatarët. Megjithatë, kur hyn në shtëpinë e Simonit, Jezuit nuk i kushtohet ai kujdes i përzemërt që u tregohet zakonisht mysafirëve.

Këmbët e mbathura me sandale nxehen dhe bëhen pis kur ecet në rrugë me pluhur, prandaj është traditë që të tregohet mikpritje, duke u larë këmbët mysafirëve, me ujë të freskët. Por, Jezuit nuk ia lajnë këmbët kur vjen. As nuk i japin puthjen e mirëseardhjes sipas etiketës së zakonshme. Po ashtu nuk i hedhin vaj në flokë, siç është zakon, në shenjë mikpritjeje.

Gjatë ngrënies, ndërsa mysafirët janë shtrirë pranë tavolinës, një grua e paftuar hyn në dhomë pa bërë zhurmë. Ajo është e njohur në qytet si grua që bën një jetë imorale. Ka të ngjarë që ajo t’i ketë dëgjuar mësimet e Jezuit dhe midis të tjerash edhe ftesën për ‘të gjithë ata që janë të rënduar, që të shkojnë tek ai për të gjetur prehje’. Kështu, duke qenë e prekur thellë nga ato që ka parë dhe dëgjuar, tani ajo kërkon Jezuin.

Gruaja afrohet pas Jezuit, te tavolina dhe ulet në gjunjë pranë këmbëve të tij. Ndërsa lotët i bien mbi këmbët e tij, ajo i than me flokët e saj. Gjithashtu, merr vaj të parfumuar nga paguri i saj dhe ndërsa i puth këmbët me butësi, e derdh vajin mbi to. Simoni shikon me një vështrim mosaprovues. «Nëse ky do të ishte një profet,—arsyeton ai,—do ta dinte çfarë lloj njeriu është gruaja që po e prek, sepse ajo është një mëkatare.»

Duke e kuptuar se çfarë po mendon, Jezui i thotë: «Simon, kam diçka për të të thënë.»

«Mësues, fol»,—përgjigjet ai.

«Një huadhënës kishte dy huamarrës,—fillon Jezui.—Njëri i kishte borxh pesëqind denarë dhe tjetri pesëdhjetë. Meqë ata nuk kishin të paguanin, ai ua fali borxhin të dyve. Sipas teje, cili nga ata do ta dojë më shumë?»

«Ma do mendja,—thotë Simoni, ndoshta me një shfaqje indiference për pyetjen në dukje të pavend—ai, të cilit i fali më shumë.»

«Gjykove drejt»,—i thotë Jezui. Dhe pastaj duke u drejtuar nga gruaja, i thotë Simonit: «A e sheh këtë grua? Unë hyra në shtëpinë tënde dhe ti nuk më dhe ujë për të larë këmbët; ajo, përkundrazi, m’i lau këmbët me lot dhe m’i fshiu me flokët e kresë. Ti nuk më dhe as edhe një puthje; por ajo, qysh sa hyra, nuk pushoi së puthuri këmbët e mia. Ti nuk ma vajose kokën me vaj; kurse ajo m’i vajosi këmbët me vaj erëkëndshëm.»

Kjo grua, në këtë mënyrë, ka dhënë dëshmi të pendimit të sinqertë, për të kaluarën e saj imorale. Për këtë arsye, Jezui përfundon, duke thënë: «Prandaj unë po të them se mëkatet e saj të shumta i janë falur, sepse ka dashur shumë; por kujt i falen pak, do pak.»

Jezui, në asnjë mënyrë, nuk po e justifikon imoralitetin ose nuk po mbyll sytë para tij. Në vend të kësaj, kjo ngjarje zbulon se ai i kupton me dhembshuri njerëzit që bëjnë gabime në jetë, por që tregojnë se u vjen keq për këto dhe kështu vijnë te Krishti për t’u lehtësuar. Duke i ofruar freskim të vërtetë, Jezui i thotë gruas: «Mëkatet e tua të janë falur. . . . Besimi yt të shpëtoi; shko në paqe!» Luka 7:36-50; Mateu 11:28-30.

▪ Si e pret Jezuin, ai që e ka ftuar, Simoni?

▪ Kush e kërkon Jezuin dhe pse?

▪ Çfarë ilustrimi bën Jezui dhe ç’mësim nxjerr prej tij?