Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një mision mëshire për në Jude

Një mision mëshire për në Jude

Kapitulli 89

Një mision mëshire për në Jude

DISA javë më parë, gjatë festës së dedikimit në Jerusalem, judenjtë u përpoqën ta vrisnin Jezuin. Për këtë arsye ai shkoi në veri, me sa duket, në një zonë që nuk ishte shumë larg Detit të Galilesë.

Së fundi, ai është drejtuar përsëri për në jug drejt Jerusalemit, duke predikuar gjatë rrugës nëpër fshatrat e Peresë, një krahinë në lindje të lumit Jordan. Pasi ka treguar ilustrimin e të pasurit dhe Lazrit, ai vazhdon t’u mësojë dishepujve të tij, gjëra që kishte mësuar edhe më parë ndërsa ishte në Galile.

Ai thotë, për shembull, se do të ishte më mirë për një njeri «t’i varnin në qafë një gur mulliri dhe ta hidhnin në det», sesa të bëhej gur pengese për një nga ‘të vegjlit’ e Perëndisë. Gjithashtu, ai thekson nevojën për të falur, duke shpjeguar: «Edhe sikur [një vëlla] të mëkatonte shtatë herë në ditë kundër teje dhe shtatë herë në ditë do të kthehet te ti duke thënë: ‘Pendohem’, fale.»

Kur dishepujt i bëjnë një kërkesë, duke i thënë «na e shto besimin», Jezui përgjigjet: «Po të kishit besim në masën e një fare sinapi, do të mund t’i thoshit këtij mani të zi: ‘Shkulu dhe mbillu në det’ dhe ai do t’ju bindej.» (BR) Kështu, edhe pak besim mund të kryejë gjëra të mëdha.

Pas kësaj, Jezui tregon një situatë reale, e cila ilustron qëndrimin e duhur që duhet të ketë një shërbëtor i Perëndisë së Plotfuqishëm. «Cili nga ju, po të ketë një shërbëtor që i lëron tokën ose i kullot kopenë,—vëren Jezui,— do t’i thotë kur ai kthehet nga fusha në shtëpi: ‘Eja menjëherë në tryezë’? A nuk do t’i thotë përkundrazi: ‘Ma bëj gati darkën, përvishu e më shërbe që unë të ha e të pi e pastaj të hash dhe të pish edhe ti’? Do ta falënderoj ndoshta atë shërbëtor sepse i zbatoi ato që i ishin urdhëruar? Mendoj se jo. Kështu edhe ju, kur të keni bërë të gjitha ato që ju urdhërohen, thoni: ‘Jemi shërbëtorë të padobishëm. Bëmë atë që kishim për detyrë të bënim.’» Kështu, pra, shërbëtorët e Perëndisë nuk duhet të mendojnë se, duke i shërbyer po i bëjnë ndonjë favor Perëndisë. Përkundrazi, ata duhet të mbajnë mend gjithmonë privilegjin që kanë për ta adhuruar atë, si pjesëtarë të besuar të familjes së tij.

Me sa duket, menjëherë pasi Jezui bën këtë ilustrim, mbërrin një lajmëtar. Atë e kanë dërguar Maria dhe Marta, motrat e Lazrit që jetojnë në Betani të Judesë. «Zot, ja, ai që ti e do shumë është i sëmurë»,—thotë lajmëtari.

Jezui ia kthen: «Kjo sëmundje nuk është për vdekje, po për lavdinë e Perëndisë, që nëpërmjet saj të përlëvdohet Biri i Perëndisë.» Pasi qëndron dy ditë aty ku është, Jezui u thotë dishepujve të tij: «Të kthehemi përsëri në Jude.» Por ata i kujtojnë: «Mësues, pak më parë judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë dhe ti po shkon përsëri atje?»

«Nuk janë vallë dymbëdhjetë, orët e ditës?—pyet Jezui duke u përgjigjur.—Kur dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote, por nëse dikush ecën natën, pengohet sepse drita nuk është në të.»

Me sa duket, Jezui dëshiron të thotë se «orët e ditës», ose koha që Perëndia i ka caktuar për shërbimin e tij në tokë, nuk kanë mbaruar akoma dhe deri në atë kohë, askush nuk mund t’i bëjë asnjë të keqe. Ai duhet ta shfrytëzojë plotësisht kohën e shkurtër të «ditës» që i ka mbetur, sepse pas saj do të vijë ‘nata’ kur armiqtë e tij do ta vrasin.

Jezui shton: «Mikun tonë Llazarin e ka zënë gjumi, por unë po shkoj ta zgjoj.»

Duke menduar siç duket, se Lazri po pushon në gjumë dhe se kjo është një shenjë e mirë për shërimin e tij, dishepujt përgjigjen: «Zot, po të flejë, do të shpëtojë.»

Atëherë, Jezui u thotë atyre troç: «Llazari ka vdekur. Edhe unë gëzohem për ju që nuk isha atje, që të besoni; por le të shkojmë tek ai.»

Megjithëse e kupton se Jezui mund të vritet në Jude, Thomai ka dëshirë ta mbështesë atë, prandaj i nxit dishepujt e tjerë: «Të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të.» Kështu, duke vënë jetën në rrezik, dishepujt e shoqërojnë Jezuin në këtë mision mëshire për në Jude. Luka 13:22; 17:1-10; Gjoni 10:22, 31, 40-42; 11:1-16.

▪ Ku ka predikuar Jezui kohët e fundit?

▪ Çfarë mësimesh përsërit Jezui dhe çfarë situate reale përshkruan ai, për të ilustruar cilin mësim?

▪ Çfarë lajmi merr Jezui dhe çfarë nënkupton ai me ‘ditë’ dhe ‘natë’?

▪ Çfarë do të thotë Thomai me fjalët, ‘Të shkojmë edhe ne që të vdesim me të’?