Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një shikim paraprak i lavdisë së Mbretërisë së Krishtit

Një shikim paraprak i lavdisë së Mbretërisë së Krishtit

Kapitulli 60

Një shikim paraprak i lavdisë së Mbretërisë së Krishtit

JEZUI ka mbërritur në Cezarenë e Filipit dhe tani është duke mësuar një turmë njerëzish, midis të cilëve janë edhe apostujt e tij. Ai bën këtë deklaratë që i habit jashtë mase: «Në të vërtetë, ju them se disa nga ata që janë të pranishëm këtu, nuk do të vdesin pa e shikuar më parë Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e vet.»

‘Çfarë kuptimi mund të kenë këto fjalë të Jezuit?’—mund të pyesin veten dishepujt. Rreth një javë më vonë, Jezui merr me vete Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin dhe ngjiten në një mal të lartë. Ka mundësi të jetë natë, pasi dishepujve u vjen gjumë. Ndërsa është duke u lutur, Jezui shpërfytyrohet para tyre. Fytyra e tij nis të rrëzëllejë si dielli dhe rrobat e tij bëhen të shndritshme si drita.

Pastaj shfaqen dy figura, të identifikuara si «Moisiu dhe Elija», të cilët fillojnë t’i flasin Jezuit për ‘largimin e tij që do të ndodhë në Jerusalem’. Duket se largimi i referohet vdekjes së Jezuit dhe ringjalljes që do të ndodhë pas saj. Në këtë mënyrë, kjo bisedë provon se vdekja e tij poshtëruese nuk është diçka që duhet shmangur, siç kishte dëshiruar Pjetri.

Tani që janë zgjuar plotësisht, dishepujt shohin dhe dëgjojnë të habitur. Edhe pse ky është një vizion, skena duket aq reale, saqë Pjetri fillon të marrë pjesë në të, duke thënë: «Zot, është mirë që ne jemi këtu; po të duash, do të ngremë këtu tri çadra; një për ty, një për Moisiun dhe një për Elijan.»

Ndërsa Pjetri është duke folur, një re e shndritshme i mbulon dhe një zë nga reja thotë: «Ky është Biri im, i dashuri, të cilin e kam miratuar; dëgjojeni!» (BR) Me të dëgjuar këtë zë, dishepujt bien me fytyrë për tokë. Por Jezui u thotë: «Çohuni dhe mos kini frikë!» Kur ngrihen, ata nuk shikojnë asnjë njeri tjetër, përveç Jezuit.

Ditën tjetër, ndërsa zbresin nga mali, Jezui u jep këtë urdhër: «Mos i flisni askujt për këtë vegim, derisa i Biri i njeriut të jetë ringjallur prej së vdekuri.» Shfaqja e Elijas në vizion ngre një pyetje në mendjet e dishepujve. «Vallë,—pyesin ata,—pse skribët thonë se duhet të vijë më parë Elija?»

«Elija ka ardhur,—u thotë Jezui,—dhe ata nuk e kanë njohur.» Jezui, sidoqoftë, po flet për Gjon Pagëzuesin, i cili përmbushi një rol të ngjashëm me atë të Elijas. Ashtu si Elija përgatiti rrugën për Eliseun, Gjoni përgatiti rrugën për Krishtin.

Sa shumë i forcon ky vizion, si Jezuin, ashtu edhe dishepujt e tij! Vizioni është, si të thuash, një shikim paraprak i lavdisë së Mbretërisë së Krishtit. Në të vërtetë, pikërisht ashtu siç kishte premtuar Jezui një javë më parë, dishepujt panë «Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e vet». Pas vdekjes së Jezuit, Pjetri shkroi se ‘kishin qenë dëshmitarë okularë të madhështisë së tij, kur ishin me të në malin e shenjtë’.

Farisenjtë kishin kërkuar një shenjë nga Jezui, për të provuar se ai ishte personi që, sipas premtimit të shkrimeve, do të bëhej Mbreti i zgjedhur i Perëndisë. Atyre nuk iu dha një shenjë e tillë. Nga ana tjetër, dishepujve të afërt të Jezuit, u është dhënë mundësia për të parë shpërfytyrimin e tij, gjë që u ka vërtetuar profecitë mbi Mbretërinë. Për këtë arsye, më vonë, Pjetri shkroi: «Ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike.» Mateu 16:13, Mateu 16:28—17:13; Marku 9:1-13; Luka 9:27-37; 2. Pjetrit 1:16-19.

▪ Në ç’mënyrë arrijnë disa ta shohin Krishtin duke ardhur në Mbretërinë e tij, para se të provojnë vdekjen?

▪ Në vizion, për çfarë i flasin Jezuit, Moisiu dhe Elija?

▪ Përse ky vizion është një ndihmë kaq forcuese për dishepujt?