Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një sundimtar i dëshirueshëm mbinjerëzor

Një sundimtar i dëshirueshëm mbinjerëzor

Kapitulli 53

Një sundimtar i dëshirueshëm mbinjerëzor

KUR Jezui ushqen në mënyrë të mrekullueshme ata mijëra njerëz, të gjithë mbeten të mahnitur. «Me të vërtetë ky është profeti që duhet të vijë në botë»,—thonë ata dhe arrijnë në përfundimin se Jezui, jo vetëm që duhet të jetë profeti më i madh se Moisiu, por edhe se ai mund të bëhet një sundimtar shumë i dëshirueshëm. Kështu, ata bëjnë plane për ta kapur dhe për ta bërë mbret.

Por, Jezui e kupton se çfarë planesh janë duke bërë njerëzit. Kështu që largohet menjëherë, për të shmangur mundësinë që ta marrin me forcë. Ai i shpërndan turmat dhe i detyron dishepujt që të hipin në barkë e të kthehen në Kapernaum. Më pas, ai tërhiqet në mal për t’u lutur. Atë natë Jezui qëndron atje, krejt i vetëm.

Pak para agimit, Jezui vështron nga vendi i lartë në të cilin ndodhet dhe vëren valët e detit të ngritura nga një erë e fuqishme. Nën dritën e hënës, e cila është pothuajse e plotë, pasi është pragu i Pashkës, Jezui shquan barkën dhe dishepujt e tij në të, duke luftuar për të çarë përpara në drejtim të kundërt me valët. Ata u japin rremave me sa fuqi që kanë.

Kur e sheh këtë, Jezui zbret nga mali dhe fillon të ecë mbi ujë, në mes të valëve, drejt barkës. Kur Jezui e arrin, barka ka bërë nja pesë a gjashtë kilometra. Megjithatë, ai vazhdon të ecë, sikur të ketë ndër mend të kalojë më tutje. Kur e shohin, dishepujt bërtasin: «Është një vegim!»—BR.

Duke i qetësuar, Jezui përgjigjet: «Jam unë, mos kini frikë.»

Por Pjetri thotë: «Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra.»

«Eja!»—përgjigjet Jezui.

Atëherë, Pjetri, si del jashtë barkës, ecën mbi ujë në drejtim të Jezuit. Por, duke parë stuhinë e erës, Pjetrin e zë frika dhe meqë fillon të fundoset, thërret: «O Zot, shpëtomë!»

Menjëherë, duke shtrirë dorën, Jezui e kap dhe i thotë: «O njeri besimpak, pse dyshove?»

Pasi Pjetri dhe Jezui kthehen në barkë, era pushon dhe dishepujt mbeten të habitur nga kjo. Por a duhet të habiten? Nëse do ta kishin kapur ‘kuptimin e ndodhisë së bukëve’, duke kuptuar mrekullinë e madhe që Jezui kishte kryer disa orë më parë kur ushqeu mijëra njerëz vetëm me pesë bukë dhe dy peshq të vegjël, atëherë nuk do t’u ishte dukur kaq i habitshëm fakti që ai mund të ecte mbi ujë dhe mund të pushonte erën. Sidoqoftë, tani, dishepujt përkulen para Jezuit dhe i thonë: «Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë.»

Brenda një kohe të shkurtër, ata mbërrijnë në Genesaret, një vend shumë i bukur dhe pjellor afër Kapernaumit. Atje ankorojnë barkën. Por kur zbresin në breg, njerëzit e njohin Jezuin dhe shkojnë në zonën përreth, për të gjetur ata që janë të sëmurë. Kur i sjellin të sëmurët në vigjet e tyre, këta shërohen plotësisht, vetëm duke prekur thekët e mantelit të Jezuit.

Ndërkohë, turma që e kishte parë Jezuin kur ushqeu në mënyrë të mrekullueshme mijëra njerëz, zbulon se Jezui është larguar. Prandaj, kur vijnë disa barka të vogla nga Tiberiada, ata hipin në to dhe lundrojnë drejt Kapernaumit për të kërkuar Jezuin. Kur e gjejnë, ata e pyesin: «Mësues, kur erdhe këtu?» Por, siç do ta shohim pas pak, Jezui i qorton ata. Gjoni 6:14-25; Mateu 14:22-36; Marku 6:45-56.

▪ Pasi ushqen në mënyrë të mrekullueshme mijëra njerëz, çfarë duan t’i bëjnë njerëzit Jezuit?

▪ Çfarë shikon Jezui nga mali në të cilin është tërhequr dhe çfarë bën pas kësaj?

▪ Përse dishepujt nuk duhet të jenë kaq të habitur nga këto gjëra?

▪ Çfarë ndodh pasi ata arrijnë në breg?