Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një udhëtim i fshehtë për në Jerusalem

Një udhëtim i fshehtë për në Jerusalem

Kapitulli 65

Një udhëtim i fshehtë për në Jerusalem

ËSHTË vjeshta e vitit 32 të e.s. dhe festa e tabernakujve është afër. Që prej Pashkës së vitit 31 të e.s., kur judenjtë u përpoqën ta vritnin, Jezui e ka kufizuar aktivitetin e tij kryesisht në Galile. Ka të ngjarë që, qysh prej asaj kohe, Jezui ta ketë vizituar Jerusalemin vetëm për të marrë pjesë në tri festat vjetore të judenjve.

Tani, vëllezërit e vet e nxitin Jezuin: «Nisu prej këndej dhe shko në Jude.» Jerusalemi është kryeqyteti i Judesë dhe qendra fetare e të gjithë vendit. Vëllezërit e tij arsyetojnë: «Askush, në fakt, nuk bën asgjë në fshehtësi, kur kërkon të njihet botërisht.»

Megjithëse Jakovi, Simoni, Jozefi dhe Juda nuk besojnë se vëllai i tyre i madh, Jezui, është me të vërtetë Mesia, ata duan që ai t’ua tregojë fuqinë e tij për të bërë mrekulli, të gjithë njerëzve të mbledhur me rastin e festës. Por, Jezui është i vetëdijshëm për rrezikun. «Bota nuk mund t’ju urrejë juve,—thotë ai,—por më urren mua, sepse unë dëshmoj për të se veprat e saj janë të mbrapshta.» Prandaj, Jezui u thotë vëllezërve të tij: «Ngjituni ju në këtë festë; unë nuk po ngjitem akoma në këtë festë.»

Festa e tabernakujve është një kremtim prej shtatë ditësh. Ajo mbyllet ditën e tetë me aktivitete solemne. Kjo festë shënon fundin e vitit bujqësor dhe është një periudhë gëzimi dhe falënderimesh. Disa ditë pasi vëllezërit e Jezuit janë nisur bashkë me grupin kryesor të udhëtarëve për të marrë pjesë në festë, ai dhe dishepujt e tij nisen në fshehtësi, pa u rënë njerëzve në sy. Ata marrin rrugën që kalon përmes Samarisë, në vend të asaj përgjatë lumit Jordan, nga kalon pjesa dërrmuese e njerëzve.

Meqenëse Jezui dhe shokët e tij të udhëtimit do të kenë nevojë për strehim në një nga fshatrat e Samarisë, ai dërgon përpara lajmëtarë, për të bërë përgatitjet. Por njerëzit, pasi mësojnë se Jezui është drejtuar për në Jerusalem, nuk pranojnë të bëjnë asgjë për të. Të indinjuar, Jakovi dhe Gjoni pyesin: «Zot, a do ti që të themi të zbresë zjarr nga qielli dhe t’i përvëlojë?» Por Jezui i qorton për faktin që kanë sugjeruar një gjë të tillë dhe vazhdojnë udhëtimin për në një fshat tjetër.

Ndërsa ecin rrugës, një skrib i thotë Jezuit: «Mësues, unë do të ndjek kudo që të shkosh.»

«Dhelprat i kanë strofkat dhe zogjtë e qiellit i kanë çerdhet,—përgjigjet Jezui,—por Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën.» Jezui po shpjegon se skribi ka për të përballuar vështirësi, nëse do të bëhet ithtari i Tij dhe duket se kjo nënkupton që skribi është tepër krenar për të pranuar një jetë të tillë.

Një burri tjetër, Jezui i thotë: «Ndiqmë!»

«Zot, më lejo më parë të shkoj e të varros atin tim»,—përgjigjet ai.

«Lëri të vdekurit t’i varrosin të vdekurit e vet,—i thotë Jezui,—por ti shko dhe prediko mbretërinë e Perëndisë.» Me sa duket, babai i këtij burri nuk kishte vdekur akoma, sepse po të kishte vdekur, vështirë se i biri do të ishte atje në këtë moment, duke dëgjuar Jezuin. Duket se ai po kërkon kohë, që të presë deri sa të vdesë i ati. Ai nuk është i përgatitur për ta vendosur Mbretërinë e Perëndisë në radhë të parë në jetën e tij.

Ndërsa vazhdojnë udhëtimin për në Jerusalem, një burrë tjetër i thotë Jezuit: «Zot, unë do të të ndjek ty, por më lejo më parë të ndahem me ata të familjes sime.»

Duke iu përgjigjur, Jezui thotë: «Asnjëri që ka vënë dorë në parmendë dhe kthehet e shikon prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e qiellit.» Ata që duan të jenë ithtarë të Jezuit duhet ta kenë shikimin të përqendruar në shërbimin e Mbretërisë. Ashtu si një brazdë ka të ngjarë të bëhet e shtrembër nëse ai që mban plugun nuk vazhdon të shikojë drejt përpara, po ashtu, të gjithë ata që e kthejnë shikimin prapa, nga ky sistem i vjetër gjërash, fare mirë mund të dalin jashtë nga rruga që të çon në jetën e përhershme. Gjoni 7:2-10; Luka 9:51-62; Mateu 8:19-22.

▪ Kush janë vëllezërit e Jezuit dhe çfarë mendojnë ata për të?

▪ Përse janë kaq të vrazhdë samaritanët dhe çfarë duan të bëjnë Jakovi dhe Gjoni?

▪ Cilat janë tri bisedat që bën Jezui gjatë rrugës dhe si e thekson ai nevojën për një shërbim vetësakrifikues?