Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nuk arrijnë ta zënë Jezuin në grackë

Nuk arrijnë ta zënë Jezuin në grackë

Kapitulli 108

Nuk arrijnë ta zënë Jezuin në grackë

PËR arsye se Jezui ka mësuar në tempull dhe sapo u ka treguar armiqve të tij fetarë tri ilustrime që demaskojnë ligësinë e tyre, farisenjtë janë të zemëruar dhe këshillohen për ta zënë në grackë, duke e bërë të thotë diçka, për të cilën të mund ta arrestojnë. Ata thurrin një komplot dhe dërgojnë dishepujt e tyre bashkë me ithtarë të partisë së Herodit, që të përpiqen ta kapin në gabim.

«Mësues,—thonë këta burra,—ne e dimë se ti je i vërtetë dhe që mëson udhën e Perëndisë në të vërtetë, pa marrë parasysh njeri, sepse ti nuk shikon pamjen e jashtme të njerëzve. Na thuaj, pra: ‘Si e mendon? A është e ligjshme t’i paguhet taksa Cezarit apo jo?’»

Jezui nuk mashtrohet nga kjo lajkë. Ai e kupton që nëse thotë se ‘Jo, nuk është e ligjshme apo e drejtë të paguhet kjo taksë’, do të jetë fajtor për nxitje të kryengritjeve kundër Romës. Ndërsa, po të thotë se ‘Po, duhet ta paguani këtë taksë’, judenjtë, të cilët ndiejnë neveri për zgjedhën romake, do ta urrejnë. Prandaj, ai përgjigjet: «Përse më tundoni o hipokritë? Më tregoni monedhën e taksës.»

Kur i sjellin një të tillë, ai pyet: «E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?»

«E Cezarit»,—përgjigjen ata.

«Jepini, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë.» Kur këta burra dëgjojnë përgjigjen mjeshtërore të Jezuit, mbeten të mrekulluar dhe largohen duke e lënë të qetë.

Duke parë se farisenjtë nuk kanë arritur të gjejnë asgjë kundër Jezuit, saducenjtë, të cilët thonë se nuk ka ringjallje, i afrohen atij dhe e pyesin: «Mësues, Moisiu ka thënë: ‘Nëse dikush vdes pa lënë fëmijë, i vëllai le të martohet me gruan e tij, për t’i lindur trashëgimtarë vëllait të tij. Tani ndër ne ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq dhe duke mos pasë trashëgimtarë, ia lë gruan vëllait të vet. Kështu edhe i dyti dhe i treti, deri tek i shtati. Në fund vdiq edhe gruaja. Në ringjallje, pra, e kujt nga këta të shtatë do të jetë gruaja? Sepse të gjithë e patën grua.»

Duke iu përgjigjur, Jezui thotë: «A nuk është pikërisht për këtë që jeni në gabim, sepse nuk i njihni as shkrimet, as pushtetin e Perëndisë? Sepse kur njerëzit do të ringjallen së vdekuri as do të martohen, as do të martojnë, por do të jenë si engjëj në qiell. Sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk keni lexuar në librin e Moisiut se si foli Perëndia nga ferrishta duke thënë: ‘Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit?’ Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por Perëndia i të gjallëve. Ju, pra, po gaboni shumë.»

Përsëri turmat mbeten të habitura nga përgjigjja e Jezuit. Madje edhe disa prej skribëve pranojnë: «Mësues, mirë fole.»

Kur farisenjtë shikojnë se Jezui ua ka mbyllur gojën saducenjve, ata vijnë tek ai në grup. Për ta vënë përsëri në provë, një skrib midis tyre pyet: «Mësues, cili është urdhërimi më i madh i ligjit?»

Jezui ia kthen: «I pari është: ‘Dëgjo, o Izrael, Jehovai, Perëndia ynë është një Jehova dhe ti duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.’ I dyti, është ky: ‘Duhet ta duash të afërmin tënd si veten tënde.’ Nuk ka asnjë urdhërim tjetër më të madh se këta.» (BR) Në fakt, Jezui shton: «Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.»

«Mirë, mësues, the sipas së vërtetës,—bie dakord skribi.—Ka vetëm një Perëndi dhe s’ka asnjë tjetër përveç tij; dhe ta duash me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë shpirt dhe me gjithë forcë, dhe ta duash të afërmin porsi vetvetja vlen më tepër se të gjithë olokaustet dhe flijimet.»

Duke vënë re se skribi është përgjigjur në mënyrë inteligjente, Jezui i thotë: «Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë.»

Deri tani, Jezui ka mësuar në tempull për tri ditë rresht, të dielën, të hënën e të martën. Ndërsa njerëzit e kanë dëgjuar me kënaqësi, krerët fetarë duan ta vrasin, por deri tani përpjekjet e tyre kanë dështuar. Mateu 22:15-40; Marku 12:13-34; Luka 20:20-40.

▪ Çfarë komploti thurrin farisenjtë për ta zënë Jezuin në grackë dhe çfarë do të kishte ndodhur nëse ai do të ishte përgjigjur me një po ose me një jo?

▪ Si bën Jezui që të dështojnë përpjekjet e saducenjve për ta zënë në grackë?

▪ Cilën përpjekje të mëtejshme bëjnë farisenjtë për ta vënë Jezuin në provë dhe cili është përfundimi?

▪ Gjatë shërbimit të tij përfundimtar në Jerusalem, për sa ditë mëson Jezui në tempull dhe me çfarë rezultati?