Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Objekt polemikash

Objekt polemikash

Kapitulli 41

Objekt polemikash

PAK kohë pasi ka qenë i ftuar në shtëpinë e Simonit, Jezui fillon udhëtimin e dytë të predikimit në Galile. Në udhëtimin e tij të mëparshëm në këtë territor, atë e shoqëronin dishepujt e tij të parë: Pjetri, Andrea, Jakovi dhe Gjoni. Por tani, atë e shoqërojnë të 12 apostujt dhe, gjithashtu, disa gra. Midis tyre janë Maria Magdalena, Suzana dhe Joana, burri i së cilës është një funksionar i mbretit Herod.

Ndërsa ritmi i shërbimit të Jezuit intensifikohet, shtohen, gjithashtu, edhe polemikat mbi aktivitetin e tij. Jezuit i sjellin një burrë të pushtuar nga një demon, i cili është, gjithashtu, i verbër dhe memec. Kur Jezui e shëron, duke e çliruar nga kontrolli i demonit dhe duke i kthyer mundësinë, si për të folur, ashtu edhe për të dëgjuar, turmat mbeten të shtangura. Njerëzit fillojnë të thonë: «Mos është ky Biri i Davidit?»

Turma e mbledhur rreth shtëpisë ku po qëndron Jezui bëhet kaq e madhe, saqë ai dhe dishepujt e tij nuk kanë mundësi, madje as për të ngrënë. Përveç atyre që mendojnë se ai mund të jetë «Biri i Davidit» sipas premtimit, janë të pranishëm edhe disa skribë dhe farisenj që kanë ardhur që nga Jerusalemi për ta diskredituar. Kur familjarët e Jezuit dëgjojnë për trazimin që ishte krijuar rreth tij, ata vijnë që ta marrin me vete. Për cilën arsye?

E pra, edhe vëllezërit e Jezuit nuk besojnë akoma se Jezui është Biri i Perëndisë. Gjithashtu, zhurma dhe grindjet që janë shkaktuar në publik për shkak të tij, nuk pajtohen me karkakteristikat që ata kanë parë te Jezui, gjatë fëmijërisë së tij në Nazaret. Prandaj ata besojnë se Jezui ka ndonjë problem serioz mendor. «Nuk është në vete»,—thonë ata dhe duan ta kapin e ta largojnë prej andej.

Megjithatë dëshmitë janë të qarta se Jezui e shëroi njeriun e pushtuar nga demoni. Skribët dhe farisenjtë e dinë se nuk mund ta mohojnë vërtetësinë e këtij fakti. Prandaj, për ta diskredituar, ata u thonë njerëzve: «Ky i dëbon demonët vetëm me fuqinë e Beelzebubit, princit të demonëve.»

Duke ua njohur mendimet, Jezui i thërret skribët dhe farisenjtë pranë vetes e u thotë: «Çdo mbretëri, që përçahet në vetvete, shkon drejt shkatërrimit dhe çdo qytet ose shtëpi, që përçahet në vetvete, nuk shkon gjatë. Atëherë, në qoftë se Satanai dëbon Satananë, ai është përçarë në vetvete dhe si mund të qëndrojë mbretëria e tij?»

Çfarë logjike dërrmuese! Meqënëse farisenjtë pohojnë se disa njerëz nga radhët e tyre kanë dëbuar demonë, Jezui, gjithashtu, pyet: «Në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebubit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj?» Me fjalë të tjera, akuza që ata bëjnë kundër Jezuit duhet t’i aplikohet atyre po aq sa edhe Jezuit. Pastaj Jezui paralajmëron: «Por nëse unë i dëboj djajtë me ndihmën e frymës së Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mes tuaj.»

Për të ilustruar faktin se dëbimi i demonëve, është dëshmi e pushtetit që ai ka mbi Satanain, Jezui thotë: «Si mund të hyjë dikush në shtëpinë e të fuqishmit dhe t’i grabitë pasurinë, po të mos e ketë lidhur më parë të fuqishmin? Vetëm atëherë ai do të mund t’ia plaçkitë shtëpinë. Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shkapërderdh.» Duket qartë që farisenjtë janë kundër Jezuit, duke treguar se janë vegla të Satanait. Ata janë duke i larguar izraelitët prej tij.

Për këtë arsye, Jezui i paralajmëron këta kundërshtarë satanikë se ‘blasfemia kundër frymës së shenjtë nuk do të falet’. Ai shpjegon: «Kujtdo që thotë një fjalë kundër Birit të njeriut, do t’i falet, por kujtdo që flet kundër frymës së shenjtë, nuk do t’i falet, jo, as në këtë sistem gjërash e as në atë që do të vijë.» (BR) Ata skribë dhe farisenj e kanë kryer atë mëkat të pafalshëm duke ia atribuar, me shpirtligësi, Satanait, atë që qartësisht është një vepër e mrekullueshme e frymës së shenjtë të Perëndisë. Mateu 12:22-32; Marku 3:19-30; Luka 8:1-3; Gjoni 7:5.

▪ Si ndryshon udhëtimi i dytë i predikimit që bëri Jezui në Galile, nga ai i pari?

▪ Përse familjarët përpiqen ta marrin me vete Jezuin?

▪ Si orvaten farisenjtë t’i diskreditojnë mrekullitë e Jezuit dhe si i përgënjeshtron ai ata?

▪ Për çfarë janë fajtorë ata farisenj dhe përse?