Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përgatit dishepujt për largimin e tij

Përgatit dishepujt për largimin e tij

Kapitulli 116

Përgatit dishepujt për largimin e tij

DARKA e përkujtimit ka mbaruar, por Jezui dhe apostujt e tij janë akoma në dhomën e sipërme. Edhe pse së shpejti do të largohet, Jezui ka ende shumë gjëra për t’u thënë. «Zemra juaj mos u trondittë,—i ngushëllon ai apostujt.—Besoni në Perëndi.» Por shton: «Besoni edhe në mua.»

«Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa,—vazhdon Jezui.—Unë po shkoj t’ju përgatis një vend . . . që aty ku jam unë, të jeni edhe ju. Ju e dini se ku po shkoj dhe e njihni edhe udhën.» Apostujt nuk e kuptojnë që Jezui po flet për ikjen në qiell, prandaj Thomai e pyet: «Zot, ne nuk e dimë se ku po shkon; pra, si mund ta njohim udhën?»

«Unë jam udha, e vërteta dhe jeta»,—përgjigjet Jezui. Po, vetëm duke pranuar atë dhe duke imituar mënyrën e tij të të jetuarit, njerëzit mund të hyjnë në shtëpinë qiellore të Atit, sepse Jezui thotë: «Askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.»

«Zot, na e trego Atin,—kërkon Filipi,—dhe na mjafton.» Filipi, me sa duket, po kërkon që Jezui t’u japë një shfaqje të dukshme të Perëndisë, si ato që u ishin dhënë në vizione, Moisiut, Elisë dhe Isaisë, në kohët e lashta. Por, faktikisht, apostujt kanë diçka shumë më të mirë sesa vizionet e atij lloji, siç vëren Jezui: «Kaq kohë që unë jam me ju dhe ti nuk më ke njohur akoma, o Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin.»

Jezui e pasqyron në mënyrë kaq të përsosur personalitetin e Atit të tij, saqë të jetosh me të e ta vëzhgosh, është në fakt, sikur të shohësh me të vërtetë Atin. Megjithatë, Ati është më i madh se Biri, siç pranon Jezui: «Fjalët që po ju them, nuk i them nga vetja.» Me të drejtë, Jezui ia jep të gjithë meritën për mësimet e tij, Atit të tij qiellor.

Sa inkurajuese duhet të jenë për apostujt, fjalët që Jezui u thotë tani: «Kush beson në mua do të bëjë edhe ai veprat që bëj unë; madje do të bëjë [vepra] edhe më të mëdha se këto.» Jezui nuk do të thotë me këtë se dishepujt e tij do të përdorin fuqi të mbinatyrshme më të mëdha sesa ato që përdori ai. Jo, në vend të kësaj ai do të thotë se ata do ta vazhdojnë shërbimin për një kohë shumë më të gjatë, mbi një territor shumë më të madh dhe ndaj shumë më tepër personave.

Jezui nuk do t’i braktisë dishepujt pas largimit të tij. «Çfarëdo të kërkoni në emrin tim,—premton ai,—do ta bëj.» Më tej, ai thotë: «Do t’i kërkoj Atit dhe ai do t’ju japë një ndihmës tjetër që të jetë përherë me ju, frymën e së vërtetës.» Më vonë, pas ngjitjes në qiell, ai derdh mbi dishepujt e tij frymën e shenjtë, këtë ndihmës tjetër.

Largimi i Jezuit është afër, siç thotë vetë ai: «Edhe pak kohë dhe bota nuk do të më shohë më.» Jezui do të jetë një krijesë frymore, të cilën asnjë njeri nuk do mund ta shohë. Megjithatë, edhe një herë, Jezui u premton apostujve të tij të besueshëm: «Po ju do të më shihni; sepse unë jetoj, edhe ju do të jetoni.» Po, Jezui, jo vetëm që do t’u shfaqet atyre në trajtë njerëzore pas ringjalljes së tij, por në kohën e duhur do t’i ringjallë ata për të jetuar bashkë me të në qiell si krijesa frymore.

Tani, Jezui shpall një rregull elementare: «Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t’i dëftehem atij.»

Në këtë moment, apostulli Juda, ai që quhet edhe Tade, ndërhyn duke thënë: «Zot, si vallë do të na dëftehesh neve dhe jo botës?»

«Nëse ndokush më do,—përgjigjet Jezui,—do ta zbatoj fjalën time; edhe Ati im do ta dojë. . . . Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia.» Ndryshe nga ithtarët e tij të bindur, bota nuk i përfill mësimet e Krishtit. Prandaj, ai nuk u zbulohet atyre.

Gjatë shërbimit të tij tokësor, Jezui u ka mësuar shumë gjëra apostujve të tij. Si do t’i mbajnë mend të gjitha ato, sidomos duke parë që deri në këtë moment ata akoma nuk kanë mundur të kuptojnë edhe aq shumë? Lumturisht, Jezui premton: «Ndihmësi, fryma e shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, ai do t’ju mësojë gjithçka dhe do t’ju sjellë ndër mend gjithçka që ju kam thënë.»—BR.

Duke i ngushëlluar përsëri, Jezui u thotë: «Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time. . . . Zemra juaj mos u trondittë.» Vërtet, Jezui po largohet, por ai shpjegon: «Po të më donit, do të gëzoheshit sepse unë thashë: ‘Po shkoj tek Ati’; sepse Ati është më i madh se unë.»

Koha që i ka mbetur Jezuit për të qëndruar me ta është e shkurtër. «Nuk do të flasë më shumë me ju,—thotë ai,—sepse po vjen sundimtari i botës. Dhe ai nuk ka asnjë pushtet mbi mua.» (BR) Satana Djalli, ai që ka mundur të hyjë te Juda dhe ta ketë nën ndikim, është sundimtari i botës. Por Jezui nuk ka asnjë dobësi të shkaktuar nga mëkati, të cilën Satanai mund ta shfrytëzojë për ta larguar nga shërbimi i Perëndisë.

Pasja e një marrëdhënieje të ngushtë

Pas Darkës së Përkujtimit, Jezui i ka inkurajuar apostujt e tij me anë të një bisede joformale me zemër të hapur. Ndoshta ka kaluar mesnata. Prandaj, Jezui i nxit apostujt: «Çohuni, ikim prej këndej!» Megjithatë para se të largohen, Jezui i shtyrë nga dashuria që ka për ta, vazhdon të flasë duke bërë një ilustrim nxitës.

«Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati është vreshtari»,—fillon ai. Vreshtari i madh, Perëndia Jehova, e mbolli këtë hardhi kur mirosi Jezuin me frymën e shenjtë në pagëzimin e tij, në vjeshtën e vitit 29 të e.s. Megjithatë, Jezui vazhdon të tregojë se hardhia simbolizon më tepër sesa vetëm atë, duke thënë: «Çdo shermend që nuk jep fryt në mua, ai e heq; kurse çdo shermend që jep fryt, ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt. . . . Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua. Unë jam hardhia, ju jeni shermendet.»

Gjatë Rrëshajëve, 51 ditë më vonë, apostujt dhe të tjerë bëhen shermende të hardhisë kur mbi ta derdhet fryma e shenjtë. Më në fund, ata që bëhen shermende të kësaj hardhie figurative janë 144.000 persona. Së bashku me trungun e hardhisë, Jezu Krishtin, këta formojnë një hardhi simbolike që prodhon frytet e Mbretërisë së Perëndisë.

Jezui shpjegon se cili është çelësi për të prodhuar fryt: «Kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë.» Por, siç thotë Jezui, nëse dikush nuk jep fryt ai ‘hidhet jashtë si shermendi dhe thahet; pastaj mblidhet, hidhet në zjarr dhe digjet’. Nga ana tjetër, Jezui premton: «Nëqoftëse qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju jepet.»

Më tej, Jezui u thotë apostujve të tij: «Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt dhe kështu do të jeni dishepujt e mi.» Fryti që kërkon Perëndia nga shermendet, është shfaqja e cilësive të ngjashme me ato të Krishtit, në veçanti e dashurisë. Përveç kësaj, përderisa Krishti ishte një lajmëtar i Mbretërisë së Perëndisë, fryti i kërkuar përfshin gjithashtu, edhe aktivitetin e bërjes së dishepujve siç bëri ai.

«Qëndroni në dashurinë time»,—nxit tani Jezui. Por, si mund ta bëjnë dishepujt këtë? «Po të zbatoni urdhërimet e mia,—thotë ai,—do të qëndroni në dashurinë time.» Duke vazhduar, Jezui shpjegon: «Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve. Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij.»

Pas disa orëve, Jezui do ta demonstrojë këtë dashuri të jashtëzakonshme, duke dhënë jetën në dobi të apostujve të tij dhe të të gjithë të tjerëve që do të ushtrojnë besim në të. Shembulli i tij duhet t’i shtyjë ithtarët e tij që të kenë të njëjtën dashuri vetësakrifikuese për njëri-tjetrin. Kjo dashuri do t’i identifikojë ata, ashtu siç pohoi Jezui më parë: «Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»

Duke treguar se kush janë miqtë e tij, Jezui thotë: «Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që ju urdhëroj. Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç’bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njihni të gjitha gjërat që kam dëgjuar nga Ati im.»

Çfarë marrëdhënieje e çmueshme: të jesh mik i ngushtë i Jezuit! Por që të vazhdojnë të gëzojnë këtë marrëdhënie, dishepujt e tij duhet të «vazhdojnë të prodhojnë fryt». (BR) Nëse e bëjnë këtë, Jezui thotë se ‘çfarëdo gjë që t’i kërkojnë Atit në emrin e tij, ai do t’ua japë’. Padyshim, ky është një shpërblim i madh për prodhimin e frytit të Mbretërisë! Pasi i nxit përsëri apostujt që të ‘duan njëri-tjetrin’, Jezui shpjegon se bota do t’i urrejë. Megjithatë ai i ngushëllon: «Nëse bota ju urren, ta dini se më ka urryer mua para jush.» Më pas, Jezui zbulon se përse i urren bota ithtarët e tij duke thënë: «Sepse nuk jeni nga bota, por unë ju kam zgjedhur nga bota, prandaj bota ju urren.»

Duke shpjeguar më tej arsyen e urrejtjes së botës, Jezui vazhdon: «Të gjitha këto gjëra do t’jua bëjnë për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin atë [Perëndinë Jehova] që më ka dërguar.» Në fakt veprat e mrekullueshme të Jezuit i dënojnë ata që e urrejnë, siç vëren ai: «Po të mos kisha bërë në mes tyre vepra që askush tjetër nuk ka bërë, nuk do të kishin faj; por tani, përkundrazi, e kanë parë dhe më kanë urryer mua dhe Atin tim.» Në këtë mënyrë, siç thotë Jezui, përmbushet shkrimi që thotë: «Më kanë urryer pa shkak.»

Ashtu si edhe më parë, Jezui i ngushëllon përsëri apostujt duke u premtuar t’u dërgojë ndihmësin, frymën e shenjtë, që është forca aktive e fuqishme e Perëndisë. «Ai [ndihmësi] dëshmon për mua. Edhe ju, gjithashtu, do të dëshmoni.»

Këshilla të mëtejshme para largimit

Jezui dhe apostujt janë gati për të dalë nga dhoma e sipërme. «Jua kam thënë këto gjëra që të mos pengoheni»,—vazhdon ai. (BR) Pastaj jep këtë paralajmërim serioz: «Do t’ju përjashtojnë nga sinagogat; madje po vjen ora kur, kushdo që t’ju vrasë, do të mendojë se i ka kryer një shërbim Perëndisë.»

Padyshim, apostujt tronditen thellësisht nga ky paralajmërim. Edhe pse më parë Jezui u kishte thënë se bota do t’i urrente, ai nuk u kishte treguar kaq haptas se do të vriteshin. «Por nga fillimi këto fjalë nuk jua pata thënë,—shpjegon ai,—sepse isha me ju.» Megjithatë, sa gjë e shkëlqyer është që ai po i parapërgatit me këto informacione, përpara se të largohet!

«Por tani,—vazhdon Jezui,—unë shkoj tek ai që më ka dërguar dhe askush nga ju s’po më pyet: ‘Ku po shkon?’» Pak më parë, në po atë mbrëmje, ata e kishin pyetur se ku po shkonte, por tani janë kaq të tronditur nga ato që u ka thënë, saqë nuk po e pyesin më tej mbi këtë gjë. Siç thotë Jezui: «Për shkak se ju thashë këto gjëra, trishtimi ka mbushur zemrën tuaj.» Apostujt janë të trishtuar, jo vetëm sepse kanë mësuar se do të hasin persekutim të tmerrshëm dhe se do të vriten, por edhe sepse Zotëria i tyre do të largohet.

Prandaj, Jezui shpjegon: «Është për dobinë tuaj që unë po shkoj, sepse nëse unë nuk shkoj, ndihmësi nuk do të vijë në asnjë mënyrë te ju, por nëse iki, unë do t’jua dërgoj.» (BR) Si njeri, Jezui mund të jetë vetëm në një vend në një moment të caktuar, por kur të jetë në qiell, ai do të mund të dërgojë ndihmësin, frymën e shenjtë të Perëndisë, në çdo vend të tokës që të jenë ithtarët e tij. Prandaj, ikja e Jezuit do të jetë e dobishme.

Jezui thotë se fryma e shenjtë «do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim». Mëkati i botës, domethënë dështimi për të ushtruar besim në Birin e Perëndisë, do të ekspozohet. Përveç kësaj, me anë të ngjitjes së Jezuit tek Ati, do të jepet një dëshmi bindëse e drejtësisë së tij. Gjithashtu, dështimi i përpjekjeve të Satanait dhe të botës së tij të ligë për të thyer integritetin e Jezuit, është një dëshmi bindëse që sunduesi i botës ka marrë një gjykim të pafavorshëm.

«Kam edhe shumë gjëra për t’ju thënë,—vazhdon Jezui,—por ato ende ju nuk mund t’i mbani.» Për këtë arsye, Jezui premton se kur të derdhë frymën e shenjtë, që është forca aktive e Perëndisë, ajo do t’i udhëheqë ata drejt kuptimit të këtyre gjërave, në varësi të aftësisë së tyre për t’i kapur ato.

Apostujt nuk arrijnë të kuptojnë veçanërisht se Jezui do të vdesë dhe pastaj do t’u shfaqet përsëri pas ringjalljes. Prandaj, pyesin njëri-tjetrin: «Ç’është kjo që po na thotë: ‘Pas pak nuk do të më shihni më’ dhe: ‘E përsëri e një kohë e shkurtër e do të më shihni’ dhe: ‘Sepse unë po shkoj tek Ati’?»

Jezui e kupton se ata duan ta pyesin, prandaj u thotë: «Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: ju do të qani dhe do të mbani zi dhe bota do të gëzohet. Ju do të pikëlloheni, por pikëllimi juaj do të kthehet në gëzim.» Më vonë, po atë ditë mbasdite, kur Jezui vritet krerët fetarë botërorë gëzohen, por dishepujt pikëllohen. Megjithatë, kur Jezui ringjallet pikëllimi i tyre kthehet në gëzim! Dhe gëzimi i tyre vazhdon kur gjatë Rrëshajëve ai u jep atyre autoritet për të qenë dëshmitarët e tij, duke derdhur mbi ta frymën e shenjtë të Perëndisë!

Duke e krahasuar situatën e apostujve me atë të një gruaje gjatë dhembjeve të lindjes, Jezui thotë: «Gruaja, kur lind, ka dhembje, sepse i erdhi ora.» Por Jezui vëren se ajo nuk e kujton më vuajtjen pasi lind fëmijën dhe i inkurajon apostujt duke thënë: «Kështu edhe ju tani jeni në dhembje, por unë do t’ju shoh përsëri [kur të ringjallem] dhe zemra juaj do të gëzohet dhe askush nuk do t’ua heq gëzimin tuaj.»

Deri në këtë kohë, apostujt nuk kanë bërë kurrë kërkesa në emër të Jezuit. Por tani, ai thotë: «Çdo gjë që t’i kërkoni Atit në emrin tim, ai do t’jua japë. . . . Ai vetë në fakt ju do, sepse ju më deshët mua dhe keni besuar se unë dola nga Perëndia. Unë dola nga Ati dhe erdha në botë; përsëri po e lë botën dhe kthehem tek Ati.»

Fjalët e Jezuit i inkurajojnë shumë apostujt. «Prandaj ne besojmë se ke dalë nga Perëndia»,—thonë ata. «A besoni tani?»—pyet Jezui. «Ja, po vjen ora, madje tashmë ka ardhur, në të cilën ju do të shpërndaheni, secili për punë të vet dhe do të më lini vetëm.» Sado e pabesueshme që mund të duket, kjo ndodh përpara përfundimit të po kësaj nate!

«Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua.» Jezui përfundon: «Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën.» Jezui e mundi botën, duke kryer me besnikëri vullnetin e Perëndisë, pavarësisht nga të gjitha gjërat që u përpoqën të bënin Satanai dhe bota e tij, për të thyer integritetin e tij.

Lutja përmbyllëse në dhomën e sipërme

I shtyrë nga dashuria e thellë që ka për ta, Jezui i ka përgatitur apostujt për largimin e tij të afërt. Tani, pasi i ka këshilluar dhe ngushëlluar gjerësisht, ai ngre sytë drejt qiellit dhe i lutet Atit të tij: «Përlëvdo Birin tënd, që edhe biri yt të të përlëvdojë, sepse ti i ke dhënë pushtet mbi çdo mish, që t’u japë jetë të përjetshme të gjithë atyre që ti ia ke dhënë.»

Çfarë teme entuziazmuese paraqet Jezui: jeta e përhershme! Duke qenë se i është dhënë «pushtet mbi çdo mish», ai mund t’i aplikojë dobitë e flijimit të tij shpërblyes mbi të gjithë njerëzimin e vdekshëm. Megjithatë, ai u jep «jetë të përjetshme» vetëm atyre të cilët Ati i aprovon. Duke zhvilluar temën e jetës së përhershme, Jezui vazhdon lutjen e tij:

«Kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.» Po, shpëtimi varet nga marrja e njohurisë, si për Perëndinë, ashtu edhe për Birin e tij. Megjithatë, nevojitet më shumë sesa thjesht njohuri në nivelin mendor.

Një individ duhet të arrijë t’i njohë ata nga afër dhe të zhvillojë me ta një miqësi intime. Duhet të mendojë si mendojnë ata për çështjet e ndryshme dhe t’i shohë gjërat me sytë e tyre. Dhe mbi të gjitha, duhet të përpiqet të imitojë cilësitë e tyre të pashoqe në marrëdhëniet me të tjerët.

Jezui vazhdon të lutet: «Unë të kam përlëvduar mbi tokë; unë e kam kryer veprën që më ke dhënë të bëj.» Duke qenë, pra, se deri tani e ka përmbushur caktimin e tij dhe duke qenë i sigurt për suksesin në të ardhmen, ai lutet: «Tani, pra, më përlëvdo, o Atë, pranë teje, me lavdinë që unë e kisha pranë teje para se të bëhej bota.» Po, Jezui tani kërkon që të kthehet përsëri në lavdinë e tij të mëparshme qiellore me anë të një ringjalljeje.

Duke bërë një përmbledhje të veprës së tij kryesore në tokë, Jezui thotë: «Unë ia kam dëftuar emrin tënd njerëzve që ti m’i ke dhënë nga bota; ishin të tutë dhe ti m’i ke dhënë; dhe ata e kanë zbatuar fjalën tënde.» Jezui e përdori emrin e Perëndisë Jehova gjatë shërbimit dhe e shqiptoi korrekt atë, megjithatë ai bëri më shumë se kaq për t’ua dëftuar emrin e Perëndisë apostujve të tij. Ai, gjithashtu, zgjeroi njohurinë dhe çmueshmërinë e tyre mbi Jehovain, mbi personalitetin e tij dhe mbi qëllimet e tij.

Duke e nderuar Jehovain si Eprorin e tij, si Ai nën të cilin shërben, Jezui me përulësi pranon: «Unë u kam dhënë atyre gjërat që ti më ke dhënë; dhe ata i kanë pranuar dhe kanë njohur se me të vërtetë unë dola nga ti, dhe kanë besuar se ti më ke dërguar.»

Duke bërë një dallim midis ithtarëve të tij dhe pjesës tjetër të njerëzimit, Jezui vazhdon të lutet: «Unë nuk lutem në lidhje me botën, por në lidhje me ata që më ke dhënë . . . Kur isha me ta unë vigjëloja mbi ta . . . dhe i kam ruajtur dhe asnjë prej tyre nuk është shkatërruar përveç birit të shkatërrimit.» (BR) Ky është Judë Iskarioti. Pikërisht në këtë moment, Juda po kryen misionin e tij të ulët të tradhtimit të Jezuit. Në këtë mënyrë, pa e ditur, ai është duke përmbushur Shkrimet.

«Bota i ka urryer,—vazhdon të lutet Jezui.—Unë nuk kërkoj që ti t’i heqësh nga bota, por që ti t’i mbrosh nga i ligu. Ata nuk janë nga bota, sikurse unë nuk jam nga bota.» Ithtarët e Jezuit janë në botë, në këtë shoqëri të organizuar njerëzore të sunduar nga Satanai, por ata janë dhe duhet të qëndrojnë gjithmonë të ndarë prej saj dhe prej ligësisë së saj.

«Shenjtëroi në të vërtetën,—vazhdon Jezui,—fjala jote është e vërteta.» Këtu Jezui i referohet ‘të vërtetës’, Shkrimeve Hebreje prej të cilave citoi vazhdimisht. Por edhe gjërat që ai u mësoi dishepujve të tij dhe ato që shkruan ata më vonë nën frymëzim si Shkrimet e Krishtere Greke, janë po ashtu ‘e vërteta’. Kjo e vërtetë mund ta shenjtërojë një person, mund ta ndryshojë tërësisht jetën e tij dhe mund ta bëjë atë një person të ndarë nga bota.

Tani, Jezui lutet jo ‘vetëm për ta, por edhe për ata që besojnë në të me anë të fjalës së tyre’. Pra, Jezui lutet për ata që do të jenë ithtarët e tij të mirosur si dhe për dishepujt e tjerë të ardhshëm të cilët gjithashtu, duhet të mblidhen në ‘një kope’. Çfarë kërkon ai për të gjithë këta?

«Që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty, . . . që ata të jenë një, ashtu si ne jemi një.» Jezui dhe Ati i tij nuk janë një person i vetëm, në kuptimin e mirfilltë të fjalës, por janë në përputhje mbi të gjitha gjërat. Jezui lutet që edhe dishepujt e tij të gëzojnë të njëjtin unitet, në mënyrë që «bota të njohë që ti më ke dërguar dhe që i ke dashur, ashtu si më ke dashur mua».

Tani, Jezui i bën Atit të tij qiellor një kërkesë në favor të atyre që do të jenë ithtarët e tij të mirosur. Për çfarë? «Që atje ku jam unë, të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë, që ta shohin lavdinë time që ti më ke dhënë, sepse ti më ke dashur para themelimit të botës», domethënë para se Adami dhe Eva të ngjiznin pasardhës. Shumë përpara asaj kohe, Perëndia e ka dashur Birin e tij të vetëmlindur, i cili më pas u bë Jezu Krishti.

Në përfundim të lutjes, Jezui thekson edhe një herë: «Unë i kam bërë të njohur emrin tënd dhe do të bëj ta njohin akoma, që dashuria, me të cilën ti më ke dashur mua, të jetë në ta dhe unë në ta.» Për apostujt, mësimi i emrit të Perëndisë ka përfshirë njohjen personalisht të dashurisë së Perëndisë. Gjoni 14:1–17:26; 13:27, 35, 36; 10:16; Luka 22:3, 4; Eksodi 24:10; 1. Mbretërve 19:9-13; Isaia 6:1-5; Galatasve 6:16; Psalmet 35:19; 69:4; Proverbat 8:22, 30.

▪ Ku po shkon Jezui dhe ç’përgjigje merr Thomai në lidhje me rrugën që të çon atje?

▪ Me anë të kërkesës së tij, me sa duket, çfarë do Filipi që t’i tregojë Jezui?

▪ Përse dikush që ka parë Jezuin, ka parë gjithashtu edhe Atin?

▪ Në ç’kuptim ithtarët e Jezuit do të bëjnë vepra më të mëdha se veprat e tij?

▪ Në ç’kuptim Satanai nuk ka asnjë ndikim mbi Jezuin?

▪ Kur e mbolli Jehovai hardhinë simbolike dhe në ç’mënyrë e kur bëhen të tjerët pjesë e hardhisë?

▪ Sa shermendë ka, më në fund, hardhia simbolike?

▪ Çfarë fryti kërkon Perëndia prej shermendeve?

▪ Si mund të jemi miq të Jezuit?

▪ Përse bota i urren ithtarët e Jezuit?

▪ Cili paralajmërim i Jezuit i trondit apostujt e tij?

▪ Përse apostujt nuk e pyesin më Jezuin se ku po shkon?

▪ Çfarë nuk arrijnë të kuptojnë në veçanti apostujt?

▪ Çfarë ilustrimi përdor Jezui për të treguar se situata e apostujve do të ndryshojë nga pikëllimi në gëzim?

▪ Çfarë thotë Jezui se do të bëjnë së shpejti apostujt?

▪ Si e mund Jezui botën?

▪ Në ç’kuptim Jezuit i është dhënë «pushtet mbi çdo mish»?

▪ Çfarë do të thotë të marrësh njohuri për Perëndinë dhe për Birin e tij?

▪ Në cilat mënyra e dëfton Jezui emrin e Perëndisë?

▪ Çfarë është «e vërteta» dhe si e ‘shenjtëron’ ajo një të krishterë?

▪ Në ç’kuptim Perëndia, Biri i tij dhe të gjithë adhuruesit e vërtetë janë një?

▪ Kur ndodhi ‘themelimi i botës’?