Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përgjegjësia e dishepujve

Përgjegjësia e dishepujve

Kapitulli 84

Përgjegjësia e dishepujve

PASI largohet nga shtëpia e fariseut të shquar, i cili me sa duket është anëtar i Sinedrit, Jezui vazhdon rrugën drejt Jerusalemit. Atë e ndjekin turma të mëdha. Por cilat janë motivet e tyre? Çfarë përfshin faktikisht të qenët një dishepull i vërtetë i tij?

Ndërsa vazhdojnë udhëtimin, Jezui u drejtohet turmave dhe ndoshta i trondit kur thotë: «Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, po, madje edhe shpirtin e vet, nuk mund të jetë dishepulli im.»—BR.

Çfarë do të thotë Jezui me këtë? Këtu, Jezui nuk po thotë se ithtarët e tij duhet të urrejnë, në kuptimin e vërtetë të fjalës, të afërmit e tyre. Në vend të kësaj, ata duhet t’i urrejnë në kuptimin që duhet t’i duan më pak nga sa duan Jezuin. Për paraardhësin e Jezuit, Jakobin, thuhet se ‘urrente’ Lean dhe donte Rahilën, gjë që do të thotë se e donte Lean më pak se motrën e saj, Rahilën.

Merr parasysh, gjithashtu, faktin që Jezui tha se një dishepull i tij, duhet të urrejë «madje edhe shpirtin e vet» ose jetën e vet. Përsëri, ajo që do të thotë Jezui është, se një dishepull i vërtetë duhet ta dojë Atë, madje më shumë nga sa do jetën e vet. Kështu, Jezui është duke theksuar faktin, se të bëhesh dishepull i tij, është një përgjegjësi serioze. Nuk është diçka që merret përsipër, pa një shqyrtim të kujdesshëm.

Të qenët dishepull i Jezuit, përfshin vështirësi dhe persekutime, siç vazhdon të tregojë ai: «Kushdo që nuk e mbart shtyllën e vet të mundimeve dhe nuk vjen pas meje nuk mund të jetë dishepulli im.» Kështu, një dishepull i vërtetë duhet të jetë i gatshëm të përballojë të njëjtën peshë sharjesh që duroi edhe Jezui, duke përfshirë nëse është e nevojshme, madje edhe vdekjen nga duart e armiqve të Perëndisë, të cilën Jezui do të përjetojë së shpejti.

Prandaj, të qenët dishepull i Krishtit, është një çështje, të cilën turmat që e ndjekin duhet ta analizojnë me shumë kujdes. Jezui e thekson këtë fakt me anë të një ilustrimi. «Kush nga ju, pra,—thotë ai,—kur do të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta mbaruar? Që atëherë, kur t’i ketë hedhur themelet e të mos mund ta përfundojë, të mos fillojnë e të tallen, duke thënë: ‘Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi të përfundojë.’»

Kështu, me anë të këtij ilustrimi, Jezui po u tregon turmave që po e ndjekin se, përpara se të bëhen dishepuj të tij, ata duhet të jenë plotësisht të bindur se mund të përmbushin gjithçka që përfshihet në të, ashtu si një njeri, i cili kur do të ndërtojë një kullë, sigurohet përpara se të fillojë nëse i ka të ardhurat për ta përfunduar. Duke bërë një ilustrim tjetër, Jezui vazhdon:

«Ose cili mbret, kur niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të gjykojë nëse mund ta përballojë me dhjetë mijë, atë që po vjen kundër me njëzet mijë? Në mos, ndërsa ai është ende larg, i dërgon një delegacion për të biseduar për paqe.»

Pastaj, Jezui thekson qëllimin e ilustrimeve të tij, duke thënë: «Kështu, pra, secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im.» Kjo është ajo që turmat të cilat ndjekin Jezuin, madje të gjithë njerëzit që mësojnë për Krishtin, duhet të jenë të gatshëm të bëjnë. Ata duhet të jenë gati të sakrifikojnë gjithçka që kanë, të gjitha zotërimet e tyre, duke përfshirë edhe vetë jetën e tyre, nëse duan të jenë dishepujt e tij. Po ju, a jeni të gatshëm ta bëni këtë?

«Kripa është e mirë»,—vazhdon Jezui. Në Predikimin në Mal, ai tha se dishepujt e tij janë «kripa e tokës», në kuptimin që ata kanë një ndikim ruajtës midis njerëzve ashtu si kripa e vërtetë ka aftësi ruajtëse. «Por nëse kripa bëhet e amësht, me se do të mund t’i kthehet shija? Ajo nuk vlen as për tokë, as për pleh,—përfundon Jezui,—por hidhet tutje. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.»

Në këtë mënyrë Jezui tregon se edhe ata që kanë qenë dishepuj të tij për një farë kohe, nuk duhet ta dobësojnë vendosmërinë e tyre për të vazhduar. Nëse bëjnë kështu, ata do të bëhen të pavlefshëm, objekt talljesh në këtë botë dhe të papërshtatshëm para Perëndisë, në fakt do të sjellin sharje mbi të. Për këtë arsye, ashtu si kripa e amësht dhe e ndotur, ata do të hidhen jashtë, po, do të shkatërrohen. Luka 14:25-35; Zanafilla 29:30-33, BR; Mateu 5:13.

▪ Çfarë kuptimi ka ‘urrejtja’ e të afërmve dhe e vetvetes?

▪ Cilat janë dy ilustrimet që bën Jezui dhe çfarë kuptimi kanë?

▪ Cili është qëllimi i komenteve përmbyllëse të Jezuit mbi kripën?