Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përpjekje të mëtejshme për të vrarë Jezuin

Përpjekje të mëtejshme për të vrarë Jezuin

Kapitulli 81

Përpjekje të mëtejshme për të vrarë Jezuin

MEQENËSE është dimër, Jezui po ecën në portikun e tempullit, i njohur si shtyllnaja e Solomonit. Ky vend gjendet përgjatë tempullit. Këtu, judenjtë e rrethojnë Jezuin dhe fillojnë t’i thonë: «Deri kur do të na mbash pezull? Nëse je Krishti, na e thuaj haptas.»

«Unë jua kam thënë,—përgjigjet Jezui,—por ju nuk besoni.» Jezui nuk u kishte thënë atyre drejtpërdrejt se ai ishte Krishti, siç ia kishte thënë gruas samaritane te pusi. Megjithatë, faktikisht, ai ua kishte zbuluar atyre identitetin e tij, kur u kishte shpjeguar se vinte prej së larti dhe se kishte ekzistuar para Abrahamit.

Sidoqoftë, Jezui dëshiron që njerëzit të arrijnë vetë në përfundimin se ai është Krishti, duke krahasuar aktivitetin e tij, me atë që Bibla paratha se do të kryente Krishti. Kjo është arsyeja për të cilën, kohë më parë, i kishte urdhëruar dishepujt e tij që të mos i thoshin askujt se ai ishte Krishti. Dhe, për këtë arsye, ai vazhdon t’u thotë tani këtyre judenjve armiqësorë: «Veprat që bëj në emër të Atit tim, janë ato që dëshmojnë për mua. Por ju nuk besoni.»

Po përse nuk besojnë ata? Mos vallë ngaqë mungojnë provat që Jezui është Krishti? Jo, arsyeja është ajo që tregon Jezui, kur u thotë: «Ju nuk jeni nga delet e mia. Delet e mia e dëgjojnë zërin tim dhe unë i njoh ato, dhe ato më ndjekin mua. Dhe unë u jap atyre jetë të përhershme dhe ato, në asnjë mënyrë, nuk do të shkatërrohen kurrë, e askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime. Ajo ç’ka më ka dhënë Ati im, është diçka më e madhe se çdo gjë tjetër dhe askush nuk mund t’i rrëmbejë ato nga dora e Atit tim.»

Pastaj, Jezui përshkruan marrëdhënien e ngushtë që ka me Atin e tij, duke shpjeguar: «Unë dhe Ati jemi një.» Përderisa Jezui është në tokë dhe Ati i tij është në qiell, është e qartë që Jezui nuk po thotë se ai dhe Ati i tij janë një, në kuptimin e mirfilltë apo fizik. Në vend të kësaj, ai do të thotë se ata janë një në qëllime, se janë në unitet.

Të inatosur nga fjalët e Jezuit, judenjtë marrin gurë për ta vrarë, ashtu siç kishin bërë edhe më parë, gjatë festës së tabernakujve apo të kasolleve. Duke u bërë ballë me guxim vrasësve të tij të mundshëm Jezui thotë: «Ju tregova shumë vepra të mira nga Ati im; për cilën nga këto më vrisni me gurë?»

«Ne nuk të godasim me gurë për një vepër të shkëlqyer,—përgjigjen ata,—por për blasfemi, sepse ti, ndonëse je njeri e bën veten një perëndi.» (BR) Përse e thonë këtë judenjtë, ndërkohë që Jezui nuk pohoi kurrë se ishte perëndi?

Me sa duket, arsyeja është se Jezui i atribuon vetes fuqi që sipas tyre, i përkasin vetëm Perëndisë. Për shembull, ai sapo kishte thënë për «delet»: «Unë u jap atyre jetën e përjetshme», gjë që asnjë njeri nuk mund ta bëjë. Megjithatë, judenjtë nuk e marrin parasysh faktin që Jezui pranon se e merr autoritetin nga Ati i tij.

Që e konsideron veten më të vogël se Perëndia, Jezui e tregon më pas, duke pyetur: «A nuk është shkruar në ligjin tuaj [në Psalmin 82:6]: “Unë thashë: ‘Ju jeni perëndi’ ”? Nëse ai i quan Perëndi ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Perëndisë, . . . ju thoni se ai, që Ati e ka shenjtëruar dhe e ka dërguar në botë, blasfemon, sepse ka thënë: ‘Unë jam Biri i Perëndisë’?»

Përderisa Shkrimet quajnë «perëndi», madje edhe disa gjykatës të padrejtë njerëzorë, çfarë gabimi mund të gjejnë këta judenj te Jezui, kur thotë, «Unë jam Biri i Perëndisë»? Jezui shton: «Nëse unë nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni. Por nëse i bëj, edhe po të mos më besoni mua, u besoni të paktën veprave, që të njihni e të besoni se Ati është në mua e unë në të.»

Kur Jezui thotë këtë, judenjtë përpiqen ta kapin. Por ai u shpëton atyre, ashtu si më parë në festën e tabernakujve. Ai largohet nga Jerusalemi dhe, duke kaluar matanë lumit Jordan, shkon në vendin ku Gjoni kishte filluar të pagëzonte, afërsisht katër vjet më parë. Duket se ky vend nuk është shumë larg nga bregu jugor i Detit të Galilesë, pak a shumë dy ditë udhëtim nga Jerusalemi.

Këtu, vijnë te Jezui shumë njerëz nga Jerusalemi dhe fillojnë të thonë: «Gjoni në të vërtetë nuk bëri as edhe një shenjë të vetme, por të gjitha gjërat që Gjoni tha në lidhje me këtë njeri ishin të vërteta.» (BR) Kështu, shumë veta në këtë vend e besojnë Jezuin. Gjoni 10:22-42; 4:26; 8:23, 58; Mateu 16:20.

▪ Në çfarë mënyre do Jezui që njerëzit ta identifikojnë si Krishti?

▪ Në ç’kuptim Jezui dhe Ati janë një?

▪ Me sa duket, përse judenjtë thonë se Jezui e bën veten një perëndi?

▪ Në ç’mënyrë, citimi i Jezuit nga Psalmet, tregon që ai nuk e konsideron veten të barabartë me Perëndinë?