Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përsëri në shtëpi në Kapernaum

Përsëri në shtëpi në Kapernaum

Kapitulli 26

Përsëri në shtëpi në Kapernaum

DERI tani fama e Jezuit është përhapur anekënd dhe shumë njerëz shkojnë tek ai në vendet e izoluara ku po qëndron. Megjithatë, pas disa ditësh, ai kthehet në Kapernaum pranë Detit të Galilesë. Shpejt, në të gjithë qytetin, përhapet lajmi se ai është kthyer dhe shumë njerëz vijnë për ta takuar në shtëpinë ku qëndron. Farisenj dhe mësues të Ligjit vijnë nga vende të largëta siç është Jerusalemi.

Turma është kaq e madhe, saqë ka zënë hyrjen dhe brenda nuk ka më vend për asnjë tjetër. Skena e krijuar është gati për një ngjarje vërtet të jashtëzakonshme. Ajo që ndodh në këtë rast është me rëndësi jetësore, sepse na ndihmon për të kuptuar se Jezui ka fuqi të eliminojë shkakun e vuajtjeve njerëzore dhe t’u kthejë shëndetin të gjithë njerëzve që ai zgjedh.

Ndërsa Jezui mëson turmën, katër burra sjellin në shtëpi, mbi një vig, një burrë të paralizuar. Ata duan që Jezui të shërojë shokun e tyre, por për shkak të turmës nuk hyjnë dot brenda. Çfarë zhgënjimi! Megjithatë, ata nuk dorëzohen. Ata ngjiten në çatinë e shtëpisë, bëjnë në të një vrimë dhe e ulin vigun poshtë bashkë me të paralizuarin, fare pranë Jezuit.

A zemërohet Jezui për faktin që e kanë ndërprerë? Jo, aspak! Përkundrazi, atij i bën përshtypje të thellë besimi i tyre. Ai i thotë të paralizuarit: «Mëkatet e tua të janë falur.» Por a mund t’i falë me të vërtetë mëkatet Jezui? Skribët dhe farisenjtë mendojnë se jo. Në zemrat e tyre ata arsyetojnë: «Kush është ky që thotë blasfemi? Kush mund t’i falë mëkatet, përveç vetëm Perëndisë?»

Duke i njohur mendimet e tyre, Jezui u thotë: «Ç’po arsyetoni në zemrat tuaja? Çfarë është më e lehtë, të thuhet, ‘Mëkatet e tua të janë falur’ apo të thuhet, ‘Çohu dhe ec’?»

Pastaj, ai i jep turmës dhe kritikëve të tij mundësinë për të parë një demonstrim të jashtëzakonshëm, që do të zbulojë se ai ka autoritetin për të falur mëkatet mbi tokë dhe se është në të vërtetë njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë. Ai i drejtohet të paralizuarit dhe e urdhëron: «Çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!» Dhe menjëherë ai çohet dhe del jashtë me vigun e tij para të gjithëve. Në habinë e tyre njerëzit lëvdojnë Perëndinë dhe thërrasin të emocionuar: «Një gjë të tillë se kemi parë kurrë!»

A e vërejtët se Jezui i përmendi mëkatet në lidhje me sëmundjet dhe se falja e mëkateve lidhet me fitimin e shëndetit fizik? Bibla shpjegon se prindi ynë i parë, Adami, mëkatoi dhe se ne të gjithë kemi trashëguar pasojat e atij mëkati, domethënë sëmundjet dhe vdekjen. Por gjatë sundimit të Mbretërisë së Perëndisë, Jezui do t’u falë mëkatet të gjithë njerëzve që e duan Perëndinë dhe i shërbejnë Atij, dhe atëherë të gjitha sëmundjet do të eliminohen. Sa bukur do të jetë! Marku 2:1-12; Luka 5:17-26; Mateu 9:1-8; Romakëve 5:12, 17-19.

▪ Në cilat rrethana ndodh një ngjarje vërtet e jashtëzakonshme?

▪ Si arriti i paralizuari deri te Jezui?

▪ Pse të gjithë ne jemi mëkatarë, por në ç’mënyrë dha shpresë Jezui se falja e mëkateve tona dhe shëndeti i përsosur janë të mundshme?