Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse erdhi Jezui në tokë?

Përse erdhi Jezui në tokë?

Kapitulli 24

Përse erdhi Jezui në tokë?

JEZUI dhe katër dishepujt e tij kanë kaluar në Kapernaum një ditë shumë të ngarkuar, e cila u mbyll kur banorët e qytetit sollën tek ai, gjatë mbrëmjes, të gjithë të sëmurët për t’i shëruar. Nuk pati asnjë moment për të qëndruar vetëm.

Ditën tjetër, herët në mëngjes, ndërsa është akoma errësirë, Jezui çohet dhe del jashtë i vetëm. Ai shkon në një vend të vetmuar ku të ketë mundësi për t’iu lutur Atit të tij privatisht. Por kjo kohë në vetmi nuk zgjat shumë, sepse kur Pjetri dhe të tjerët e vënë re mungesën e tij, ata dalin jashtë për ta kërkuar.

Kur e gjejnë, Pjetri thotë: «Të gjithë po të kërkojnë.» Banorët e Kapernaumit duan që Jezui të qëndrojë me ta. Ata e vlerësojnë me të vërtetë atë që ai ka bërë për ta! Por a erdhi Jezui në tokë kryesisht për të bërë shërime të mrekullueshme? Çfarë thotë ai për këtë?

Sipas një tregimi biblik, Jezui u përgjigjet dishepujve të tij: «Le të shkojmë në fshatrat e afërm që të predikoj edhe atje, sepse për këtë kam ardhur.» Edhe pse njerëzit e nxitin Jezuin që të qëndrojë, ai u thotë atyre: «Më duhet ta shpall lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë jam dërguar.»

Po, Jezui erdhi në tokë veçanërisht për të predikuar mbi Mbretërinë e Perëndisë, e cila do të shfajësojë emrin e Atit të tij dhe do të eliminojë përfundimisht të gjitha të këqijat e njerëzimit. Megjithatë, për të dëshmuar se është dërguar nga Perëndia, Jezui bën shërime të mrekullueshme. Në të njëjtën mënyrë, shekuj më parë, Moisiu kreu mrekulli për të dëshmuar se ishte shërbëtori i Perëndisë.

Tani, kur Jezui largohet nga Kapernaumi për të predikuar në qytete të tjera, me të shkojnë edhe katër dishepujt e tij. Këta të katërt janë: Pjetri me vëllanë e tij Andrea dhe Gjoni e vëllai i tij Jakovi. Ju e mbani mend se vetëm një javë më parë, Jezui u bëri atyre ftesën për të qenë bashkëpunëtorët e tij të parë udhëtues.

Udhëtimi i predikimit në Galile që bëri Jezui dhe katër dishepujt e tij, ka një sukses të mrekullueshëm! Në fakt, lajmi mbi aktivitetin e tij përhapet madje në të gjithë Sirinë. Turma të mëdha nga Galileja, Judea dhe nga vendet përtej lumit Jordan ndjekin Jezuin dhe dishepujt e tij. Marku 1:35-39; Luka 4:42, 43; Mateu 4:23-25; Eksodi 4:1-9, 30, 31.

▪ Çfarë ndodh në mëngjes pas ditës së ngarkuar që pati Jezui në Kapernaum?

▪ Përse është dërguar Jezui në tokë dhe për cilin qëllim shërbejnë mrekullitë e tij?

▪ Cilët shkojnë me Jezuin në udhëtimin e predikimit në Galile dhe cili është reagimi ndaj aktivitetit të tij?