Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Para Sinedrit dhe më pas te Pilati

Para Sinedrit dhe më pas te Pilati

Kapitulli 121

Para Sinedrit dhe më pas te Pilati

NATA po mbaron. Pjetri e ka mohuar Jezuin për të tretën herë dhe anëtarët e Sinedrit i kanë dhënë fund gjykimit të tyre të sajuar e janë shpërndarë. Megjithatë, me të gdhirë dita e premte, ata takohen përsëri, por këtë herë në sallën e tyre të Sinedrit. Duket se qëllimi i tyre është që t’i japin njëfarë dukje të ligjshme gjyqit që kanë bërë gjatë natës. Kur e sjellin Jezuin para tyre, ata përsëritin atë që i thanë gjatë natës: «Nëse ti je Krishti, na e thuaj.»

«Edhe sikur t’jua thoja, nuk do ta besonit,—përgjigjet Jezui.—Edhe sikur t’ju pyesja, ju nuk do të më përgjigjeshit.» Megjithatë, me guxim Jezui e drejton vëmendjen mbi identitetin e tij, duke thënë: «Tash e tutje Biri i njeriut do të ulet në të djathtën e fuqisë së Perëndisë.»

«Je ti, pra, Biri i Perëndisë?»—duan të dinë të gjithë.

«Ju thoni se unë jam»,—përgjigjet Jezui.

Për këta njerëz që janë të vendosur ta vrasin, kjo përgjigje është e mjaftueshme. Ata e konsiderojnë atë një blasfemi. «Ç’nevojë kemi akoma për dëshmi?—pyesin ata.—Ne vetë e dëgjuam nga goja e tij.» Kështu, ata e lidhin Jezuin, e nxjerrin jashtë dhe ia dorëzojnë guvernatorit romak Ponc Pilatit.

Juda, tradhtari i Jezuit, i ka vërejtur ngjarjet. Kur shikon se Jezui është dënuar, atë e bren ndërgjegjja. Prandaj shkon te krerët e priftërinjve dhe te pleqtë për të kthyer 30 pjesët e argjendit, duke shpjeguar: «Mëkatova duke tradhtuar gjakun e pafaj.»

«Po ne ç’na duhet? Punë për ty!»—përgjigjen ata në mënyrë të pamëshirshme. Atëherë, Juda i hedh pjesët e argjendit në tempull dhe largohet e përpiqet të varë veten. Mirëpo, dega ku e lidh litarin me sa duket thyhet dhe trupi i tij bie mbi shkëmbinjtë që gjenden poshtë dhe pëlcet.

Krerët e priftërinjve nuk dinë ç’të bëjnë me pjesët e argjendit. «Nuk është e ligjshme t’i vëmë në thesarin e tempullit,—thonë ata,—sepse është çmim gjaku.» Prandaj, pasi konsultohen së bashku, blejnë me to arën e poçarit për të varrosur të huajt. Për këtë arsye ajo arë u quajt «Ara e Gjakut».

Është akoma mëngjes herët, kur Jezuin e çojnë në pallatin e guvernatorit. Por judenjtë që e kanë shoqëruar nuk pranojnë të hyjnë brenda, sepse mendojnë se një afërsi e tillë me johebrenjtë do t’i përdhosë. Prandaj për t’u bërë qejfin, Pilati vjen jashtë. «Ç’padi sillni kundër këtij njeriu?»—pyet ai.

«Nëse ky njeri nuk do të ishte një keqbërës, ne nuk do të ta kishim dorëzuar»,—përgjigjen ata.—BR.

Duke dashur të mos përzihet, Pilati përgjigjet: «Merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj.»

Duke zbuluar qëllimin e tyre vrasës, judenjtë pohojnë: «Neve nuk na lejohet të vrasim njeri.» Në fakt, nëse do ta vritnin Jezuin gjatë festës së Pashkës, ka të ngjarë që kjo të shkaktonte trazira në popull, pasi shumë njerëz kanë një konsideratë të lartë për Jezuin. Por, nëse arrijnë t’i bindin romakët që ta ekzekutojnë në bazë të një akuze politike, kjo do t’u shërbejë për t’u liruar nga përgjegjësia përpara popullit.

Kështu krerët fetarë, duke mos e përmendur gjyqin e tyre të mëparshëm, gjatë të cilit e dënuan Jezuin për blasfemi, tani sajojnë akuza të tjera. Ata bëjnë këtë akuzë me tri pjesë: «Këtë ne e gjetëm që [1] përmbyste kombin tonë dhe [2] ndalonte t’i jepeshin taksa Cezarit, [3] duke u vetëquajtur një mbret, Krishti.»

Ajo që e shqetëson Pilatin është akuza sipas së cilës Jezui pohon se është një mbret. Prandaj ai hyn përsëri në pallat, thërret Jezuin para tij dhe e pyet: «A je ti mbreti i judenjve?» Me fjalë të tjera, a e ke thyer ligjin, duke e shpallur veten mbret kundër Cezarit?

Jezui do të dijë se sa ka dëgjuar deri tani Pilati për të, prandaj e pyet: «E thua nga vetja, apo ta kanë thënë të tjerë për mua?»

Pilati pohon se nuk di asgjë për të dhe se dëshiron të mësojë faktet. «Jam unë vallë jude?—përgjigjet ai—Kombi yt dhe krerët e priftërinjve të dorëzuan tek unë; çfarë ke bërë?»

Jezui nuk përpiqet në asnjë mënyrë që t’i shmanget çështjes së ngritur, asaj në lidhje me mbretërimin. Përgjigjja që jep ai tani padyshim e habit Pilatin. Luka 22:66–23:3; Mateu 27:1-11; Marku 15:1; Gjoni 18:28-35; Veprat 1:16-20.

▪ Për çfarë qëllimi mblidhet përsëri Sinedri në mëngjes?

▪ Si vdes Juda dhe çfarë bëhet me 30 pjesët e argjendit?

▪ Në vend se ta vrasin vetë, përse judenjtë duan që Jezuin ta vrasin romakët?

▪ Çfarë akuzash ngrenë judenjtë kundër Jezuit?