Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Punëtorët në vresht

Punëtorët në vresht

Kapitulli 97

Punëtorët në vresht

«SHUMË të parë,—sapo ka thënë Jezui,—do të jenë të fundit dhe shumë të fundit do të jenë të parët.» Tani, ai e ilustron këtë me anë të një tregimi. «Mbretëria e qiejve,—fillon ai,—i ngjan, pra, një zoti shtëpie, që doli herët në mëngjes për të pajtuar me mëditje punëtorë për vreshtin e vet.»

Jezui vazhdon: «Mbasi [i zoti i shtëpisë] ra në ujdi me punëtorët për një denar në ditë, i dërgoi në vreshtin e vet. Pastaj doli rreth orës së tretë dhe pa të tjerë që rrinin në shesh, të papunë. Dhe u tha atyre: ‘Shkoni edhe ju në vresht dhe unë do t’ju jap sa është e drejtë.’ Dhe ata shkuan. Doli përsëri rreth orës së gjashtë dhe orës së nëntë dhe bëri po ashtu. Kur doli përsëri rreth orës së njëmbëdhjetë, gjeti disa të tjerë, të papunë dhe u tha: ‘Përse rrini gjithë ditën këtu pa bërë asgjë?’ Ata i thanë: ‘Sepse askush nuk na ka marrë me mëditje.’ Ai u tha atyre: ‘Shkoni edhe ju në vresht.’»

I zoti i shtëpisë ose pronari i vreshtit, është Perëndia Jehova, ndërsa vreshti është kombi i Izraelit. Punëtorët në vresht janë individë që kanë hyrë nën besëlidhjen e Ligjit; në mënyrë specifike ata janë judenjtë e kohës së apostujve. Ujdia për pagën është bërë vetëm me punëtorët që punojnë tërë ditën. Paga është një denar për një ditë pune. Meqenëse ‘ora e tretë’ i korrespondon orës 9.00, ata që u thirrën në orën e 3-të, të 6-të, të 9-të dhe të 11-të, punojnë përkatësisht, vetëm 9 orë, 6 orë, 3 orë dhe 1 orë.

Punëtorët që punojnë 12 orë, apo tërë ditën, përfaqësojnë krerët judenj që kanë qenë vazhdimisht të zënë në shërbimin fetar. Ata janë ndryshe nga dishepujt e Jezuit, të cilët, gjatë pjesës më të madhe të jetës së tyre, janë marrë me peshkim apo punë të tjera jofetare. Deri në vjeshtën e vitit 29 të e.s., «i zoti i shtëpisë» nuk e kishte dërguar akoma Jezu Krishtin, për t’i mbledhur këta njerëz që të bëheshin dishepujt e tij. Në këtë mënyrë ata u bënë «të fundit» ose punëtorët e vreshtit që erdhën në orën e 11-të.

Më në fund, me vdekjen e Jezuit dita simbolike e punës mbaron dhe vjen koha për të paguar punëtorët. Për dhënien e pagës ndiqet një rregull i pazakontë, duke paguar në fillim ata të fundit, siç shpjegohet më tej: «Kur erdhi mbrëmja, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: ‘Thirri punëtorët dhe jepu mëditjen e tyre, duke filluar nga ata të fundit e deri tek të parët.’ Dhe kur erdhën ata të orës njëmbëdhjetë, morën nga një denar secili. Kur erdhën të parët, menduan se do të merrnin më shumë, por edhe ata morën nga një denar secili. Duke e marrë, murmuritnin kundër të zotit të shtëpisë, duke thënë: ‘Këta të fundit punuan vetëm një orë dhe ti i trajtove si ne që hoqëm barrën dhe vapën e ditës.’ Por ai duke u përgjigjur i tha njërit prej tyre: ‘Mik, unë nuk po të ha hakun; a nuk re në ujdi me mua për një denar? Merr atë që të takon ty dhe shko; por unë dua t’i jap këtij të fundit aq sa ty. A nuk më lejohet të bëj me timen ç’të dua? Apo bëhesh sylig, sepse unë jam i mirë?’» Në përfundim, Jezui përsërit një pikë që ka theksuar më parë, duke thënë: «Kështu të fundit do të jenë të parët dhe të parët të fundit.»

Marrja e denarit nuk ndodh kur vdes Jezui, por në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., kur Krishti, ‘kujdestari’, derdh frymën e shenjtë mbi dishepujt e tij. Këta dishepuj të Jezuit janë ngjashëm punëtorëve të «fundit» apo të orës së 11-të. Denari nuk përfaqëson dhuratën e frymës së shenjtë në vetvete. Ai është diçka që dishepujt duhet ta përdorin këtu në tokë. Diçka që për ta do të thotë mjet jetese, jetë e përhershme. Ai është privilegji për të qenë izraelitë frymorë, të mirosur për të predikuar mbi Mbretërinë e Perëndisë.

Shpejt, ata që u pajtuan të parët, vërejnë se dishepujt e Jezuit tashmë janë paguar dhe i shohin duke e përdorur denarin simbolik. Por ata duan më shumë se sa fryma e shenjtë dhe privilegjet e Mbretërisë që sjell ajo. Murmuritja dhe kundërshtimet e tyre marrin trajtën e persekutimit të dishepujve të Krishtit, punëtorëve të «fundit» në vresht.

A është plotësimi i shekullit të parë, i vetmi plotësim i ilustrimit të Jezuit? Jo, anëtarët e klerit të të ashtuquajturit krishterim në këtë shekull të 20-të, për shkak të pozitës dhe përgjegjësive, kanë qenë «të parët» që u pajtuan për të punuar në vreshtin simbolik të Perëndisë. Ata i konsideruan predikuesit e dedikuar që shoqëroheshin me Shoqatën Watch Tower Bible and Tract, si «të fundit» që mund të merrnin ndonjë caktim të vlefshëm në shërbimin e Perëndisë. Por në fakt, ishin pikërisht këta individë, të cilët kleri i përçmoi, ata që morën denarin ose privilegjin për të shërbyer si ambasadorë të mirosur të Mbretërisë qiellore të Perëndisë. Mateu 19:30–20:16.

▪ Çfarë përfaqëson vreshti? Cilët përfaqësojnë i zoti i vreshtit dhe punëtorët që punuan 12 orë dhe 1 orë?

▪ Kur mbaroi dita simbolike e punës dhe kur u bë pagesa?

▪ Çfarë përfaqëson pagimi i denarit?