Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetet mbi agjërimin

Pyetet mbi agjërimin

Kapitulli 28

Pyetet mbi agjërimin

KA KALUAR pothuajse një vit që nga koha kur Jezui mori pjesë në Pashkën e vitit 30 të e.s. Tashmë, Gjon Pagëzuesi është i burgosur prej disa muajsh. Edhe pse ai donte që dishepujt e tij të bëheshin ithtarë të Krishtit, jo të gjithë janë bërë.

Tani disa nga dishepujt e Gjonit të burgosur vijnë te Jezui dhe e pyesin: «Pse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?» Farisenjtë e praktikojnë agjërimin dy herë në javë si një ritual të fesë së tyre. Dhe ndoshta edhe dishepujt e Gjonit ndjekin një zakon të ngjashëm. Gjithashtu, ka mundësi që ata agjërojnë në shenjë zie për burgimin e Gjonit dhe çuditen se përse dishepujt e Jezuit nuk bashkohen me ta në këtë shprehje pikëllimi.

Duke u përgjigjur Jezui shpjegon: «Miqtë e dhëndrit nuk kanë arsye që të mbajnë zi, për aq kohë sa dhëndri është me ta, apo jo? Por do të vijnë ditët kur dhëndri do t’u hiqet atyre dhe atëherë do të agjërojnë.»—BR.

Dishepujve të Gjonit duhet t’u kujtohet se vetë Gjoni e krahasoi Jezuin me Dhëndrin. Kështu që, ndërsa Jezui është akoma i pranishëm, Gjoni nuk do ta konsideronte me vend të agjëronte dhe po ashtu as dishepujt e Jezuit. Më vonë, kur Jezui vdes, dishepujt e tij mbajnë zi dhe agjërojnë. Por kur ai ringjallet dhe ngjitet në qiell, ata nuk kanë më arsye për të agjëruar në shenjë zie.

Pastaj, Jezui bën këto ilustrime: «Askush nuk vë një copë prej stofi të ri mbi një petk të vjetër, sepse kështu arna bie dhe grisja bëhet më e madhe. Dhe as nuk shtihet vera e re në kacekë të vjetër; përndryshe kacekët shpohen, vera derdhet dhe kacekët humbin; por shtihet vera e re në kacekë të rinj.» Ç’lidhje kanë këto ilustrime me agjërimin?

Jezui po i ndihmonte dishepujt e Gjon Pagëzuesit të kuptonin se askush nuk do të priste që dishepujt e tij të përputheshin me praktikat e vjetra të judaizmit, të tilla si agjërimi ritual. Ai nuk erdhi për të arnuar ose për t’u zgjatur jetën sistemeve të vjetra të adhurimit, të nxjerra jashtë përdorimit, të cilat ishin gati për t’u hedhur tej. Krishterimi nuk do të duhej të përputhej me judaizmin e asaj kohe me traditat e tij njerëzore. Jo, nuk do të ishte si një arnë e re mbi një petk të vjetër ose verë e re në kacekë të vjetër. Mateu 9:14-17; Marku 2:18-22; Luka 5:33-39; Gjoni 3:27-29.

▪ Cilët e praktikojnë agjërimin dhe për çfarë qëllimi?

▪ Pse nuk agjërojnë dishepujt e Jezuit ndërsa ai është me ta dhe si do të zhduket edhe më vonë arsyeja për të agjëruar?

▪ Çfarë ilustrimesh tregon Jezui dhe çfarë kuptimi kanë ato?