Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Qëndroni gati!

Qëndroni gati!

Kapitulli 78

Qëndroni gati!

PASI i paralajmëron turmat mbi lakminë dhe dishepujt e tij mbi përqendrimin e papërshatshëm në gjërat materiale, Jezui i inkurajon duke thënë: «Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë.» Në këtë mënyrë, ai zbulon se vetëm një numër relativisht i vogël (siç identifikohet më vonë, 144.000) do të marrë pjesë në Mbretërinë qiellore. Shumica e atyre që do të marrin jetën e përhershme, do të jenë nënshtetas tokësorë të Mbretërisë.

Çfarë dhurate e mrekullueshme, ‘mbretëria’! Duke përshkruar reagimin e duhur që duhet të kenë dishepujt kur marrin këtë dhuratë, Jezui i nxit duke thënë: «Shitni gjërat që ju përkasin dhe jepni dhurata mëshire.» (BR) Po, ata duhet t’i përdorin zotërimet e tyre, për dobinë frymore të të tjerëve, duke grumbulluar në këtë mënyrë, «një thesar të pashtershëm në qiejt».

Më pas, Jezui i këshillon dishepujt që të qëndrojnë gati për kthimin e tij. Ai thotë: «Le të jenë ngjeshur ijët tuaja dhe llambat ndezur. Ngjajini atyre që presin zotërinë e tyre, kur kthehet nga dasma, për t’ia hapur derën sapo të vijë dhe të trokasë. Lum ata shërbëtorë, që zotëria, kur të kthehet do t’i gjejë zgjuar! Në të vërtetë po ju them se ai vetë do të ngjeshet dhe do t’i vendosë ata në tryezë dhe ai vetë do t’u shërbejë.»

Në këtë ilustrim, gatishmëria e shërbëtorëve, kur kthehet zotëria i tyre, duket nga fakti që i ngrenë lart rrobat e tyre të gjata e i lidhin me rripat që kanë në brez, si dhe nga fakti që vazhdojnë t’i plotësojnë detyrat e tyre, gjatë natës, nën dritën e llambave të mbushura mirë me vaj. Jezui shpjegon: «Nëse do të vijë në të dytën [nga ora nëntë e mbrëmjes afërsisht, deri në mesnatë] a në të tretën rojë të natës [nga mesnata deri, pothuajse në mëngjes] dhe t’i gjejë kështu, lum ata shërbëtorë.»

Zotëria i shpërblen shërbëtorët e tij në një mënyrë të pazakontë. Ai i ul ata në tavolinë dhe fillon t’u shërbejë. Ai nuk i trajton si skllevër, por si miq besnikë. Çfarë shpërblimi i shkëlqyer për faktin që kanë vazhduar të punojnë për zotërinë e tyre gjatë gjithë natës, duke pritur kthimin e tij! Kështu, Jezui përfundon duke thënë: «Edhe ju, pra, jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë që nuk mendoni.»

Tani, Pjetri pyet: «Zot, këtë shëmbëlltyrë po e thua vetëm për ne apo për të gjithë?»

Në vend se të përgjigjet drejtpërdrejt, Jezui bën një ilustrim tjetër. «Kush është në të vërtetë ekonomi i besueshëm,—pyet ai,—të cilin zotëria i tij do ta emërojë mbi trupin e shërbëtorëve të tij, që të vazhdojë t’u japë pjesën e tyre të ushqimit në kohën e duhur? Lum ai skllav, nëse zotëria i tij kur të kthehet, e gjen duke bërë kështu! Unë ju them me plot vërtetësi: ai do ta caktojë atë mbi të gjitha zotërimet e tij.»—BR.

Është e qartë që «zotëria» është Jezu Krishti. «Ekonomi» përfaqëson ‘kopenë e vogël’ të dishepujve si një trup i vetëm dhe ‘trupi i shërbëtorëve’ i referohet po këtij grupi prej 144.000 personash, të cilët marrin Mbretërinë qiellore, por kjo shprehje thekson veprën e tyre si individë. «Zotërimet» që i caktohen ekonomit të besueshëm në kujdestari, janë interesat mbretërore të zotërisë mbi tokë, të cilat përfshijnë nënshtetasit tokësorë të Mbretërisë.

Duke vazhduar ilustrimin e tij, Jezui tregon se, prej klasës së ekonomit ose skllavit, është e mundur që jo të gjithë anëtarët të jenë besnikë, duke shpjeguar: «Por nëse ai shërbëtor mendon në zemrën e vet: ‘Zotëria im vonon të kthehet’; dhe fillon t’i rrahë shërbëtorët dhe shërbëtoret, të hajë, të pijë dhe të dehet, zotëria i atij shërbëtori do të vijë ditën kur nuk e pret . . . ; [dhe] do ta ndëshkojë rëndë.»

Jezui vëren se ardhja e tij ka sjellë një periudhë trazirash për judenjtë, meqenëse disa i pranojnë mësimet e tij, kurse disa të tjerë i refuzojnë. Mbi tre vjet më parë, ai u pagëzua në ujë, por tani po afrohet gjithnjë e më tepër përfundimi i pagëzimit të tij me vdekje dhe siç thotë ai: «[Unë] jam në ankth derisa të kryhet.»

Pasi u drejton këto komente dishepujve të tij, Jezui i drejtohet përsëri turmës. Ai shpreh keqardhjen për faktin që ata refuzojnë me kokëfortësi të pranojnë dëshmitë e qarta të identitetit të tij dhe domethënien e tyre. «Kur ju shihni një re që ngrihet nga perëndimi,—vëren ai,—menjëherë thoni: ‘Do të vijë shiu’, dhe ashtu ndodh; përkundrazi kur fryn juga, ju thoni: ‘Do të bëjë vapë’, dhe ashtu ndodh. Hipokritë! Ju dini të dalloni dukurinë e qiellit dhe të tokës, por vallë si nuk dini ta dalloni këtë kohë?» Luka 12:32-59.

▪ Nga sa persona përbëhet «kopeja e vogël» dhe çfarë marrin ata?

▪ Si e thekson Jezui nevojën që shërbëtorët e tij të jenë gati?

▪ Në ilustrimin e Jezuit, kush është ‘zotëria’, ‘ekonomi’, ‘trupi i shërbëtorëve’ dhe ‘zotërimet’?