Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Qetëson një stuhi të frikshme

Qetëson një stuhi të frikshme

Kapitulli 44

Qetëson një stuhi të frikshme

DITA ka qenë e mbushur plot me aktivitete për Jezuin. Midis të tjerash ai ka mësuar turmat në breg të detit dhe pas kësaj u ka shpjeguar ilustrimet privatisht dishepujve të tij. Kur vjen mbrëmja, ai thotë: «Kalojmë te bregu matanë.»

Në anën tjetër, në bregun lindor të Detit të Galilesë, gjendet rajoni i quajtur Dekapoli, që vjen nga fjala greke dèka, që do të thotë «dhjetë» dhe pòlis, që do të thotë «qytet». Qytetet e Dekapolit janë një qendër e kulturës greke edhe pse në to banojnë, pa dyshim, edhe shumë judenj. Sidoqoftë, aktiviteti i Jezuit në këtë rajon është shumë i kufizuar. Edhe në këtë vizitë, siç do ta shohim më vonë, atë nuk e lejojnë të qëndrojë gjatë.

Kur Jezui kërkon që të largohen për në bregun tjetër, dishepujt e marrin në barkë. Por, nisja e tyre nuk kalon pa u vërejtur. Menjëherë pas tyre edhe njerëz të tjerë hipin në barkat e tyre për t’i shoqëruar. Bregu tjetër nuk është shumë larg. Në fakt, Deti i Galilesë është thjesht një liqen i madh, rreth 21 km i gjatë dhe e shumta 12 km i gjerë.

Është e kuptueshme që Jezui është i lodhur. Prandaj, pak kohë pas nisjes, ai shtrihet në fund të barkës, vë një jastëk nën kokë dhe menjëherë e zë gjumi. Disa nga apostujt janë detarë me përvojë, duke qenë se kanë peshkuar për shumë kohë në Detin e Galilesë. Prandaj ata marrin përsipër drejtimin e barkës.

Por ky nuk ka për të qenë një udhëtim i lehtë. Për shkak të temperaturës më të lartë afër sipërfaqes së liqenit, e cila është afërsisht 210 metra nën nivelin e detit dhe ajrit më të freskët në malet aty afër, ndonjëherë zbresin poshtë erëra të furishme që krijojnë në liqen stuhi ere të fuqishme e të papritura. Një gjë e tillë ndodh edhe në këtë rast. Shpejt, valët fillojnë të godasin barkën dhe uji bie brenda saj, aq sa ajo gati po fundoset. E megjithatë, Jezui vazhdon të flejë!

Detarët me përvojë punojnë si të çmendur për të drejtuar barkën. Ata, pa dyshim, kanë manovruar edhe më parë mes stuhive. Por kësaj radhe nuk dinë nga t’ia mbajnë. Duke pasur frikë për jetën e tyre, ata zgjojnë Jezuin. ‘Mësues, nuk shqetësohesh? Po fundosemi!,—thërrasin ata.—Na shpëto, po mbytemi!’

Duke u ngritur, Jezui urdhëron erën dhe detin: «Pusho dhe fashitu!» Dhe era e tërbuar pushon dhe deti qetësohet. Duke iu drejtuar dishepujve të tij, ai pyet: ‘Përse keni kaq shumë frikë? Akoma nuk keni besim?’

Në atë çast, dishepujt i pushton një frikë e pazakontë. ‘Kush është në të vërtetë ky njeri,—pyesin ata njëri-tjetrin,—që urdhëron madje erërat dhe detin, dhe ato i binden?’

Çfarë fuqie manifeston Jezui! Dhe çfarë sigurie na jep fakti, se Mbreti ynë ka pushtet mbi elementët natyrorë dhe se kur vëmendja e tij e plotë të drejtohet mbi tokën tonë gjatë sundimit të Mbretërisë së tij, të gjithë njerëzit do të banojnë të sigurt nga katastrofat e frikshme natyrore!

Pak pasi pushon stuhia, Jezui dhe dishepujt e tij mbërrijnë shëndoshë në bregun lindor. Barkat e tjera, ndoshta i kanë shpëtuar intensitetit të stuhisë dhe janë kthyer prapa pa u dëmtuar. Marku 4:35–5:1; Mateu 8:18, 23-27; Luka 8:22-26.

▪ Çfarë është Dekapoli dhe ku gjendet ai?

▪ Cilët faktorë fizikë e shkaktojnë stuhinë e fuqishme në detin e Galilesë?

▪ Çfarë bëjnë dishepujt, kur aftësitë e tyre si detarë nuk mund t’i shpëtojnë?