Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shërimi i dhjetë të lebrosurve gjatë udhëtimit të fundit të Jezuit për në Jerusalem

Shërimi i dhjetë të lebrosurve gjatë udhëtimit të fundit të Jezuit për në Jerusalem

Kapitulli 92

Shërimi i dhjetë të lebrosurve gjatë udhëtimit të fundit të Jezuit për në Jerusalem

JEZUI bën që të dështojnë përpjekjet e Sinedrit për ta vrarë, duke u larguar nga Jerusalemi dhe duke shkuar në qytetin e Efraimit, i cili gjendet ndoshta rreth 24 kilometra në verilindje të Jerusalemit. Atje, ai qëndron së bashku me dishepujt, larg armiqve të tij.

Megjithatë, koha e Pashkës së vitit 33 të e.s. po afrohet dhe shpejt Jezui vihet përsëri në rrugë. Ai udhëton nëpër Samari dhe ngjitet në Galile. Kjo është vizita e tij e fundit në këtë zonë, para se të vdesë. Ndërsa janë në Galile, ka të ngjarë që ai dhe dishepujt e tij, bashkohen me të tjerë që po shkojnë drejt Jerusalemit për kremtimin e Pashkës. Ata marrin rrugën që kalon përmes krahinës së Peresë, në lindje të lumit Jordan.

Më herët gjatë udhëtimit, ndërsa Jezui hyn në një fshat, a të Samarisë, a të Galilesë, vijnë për ta takuar dhjetë burra të lebrosur. Kjo sëmundje e tmerrshme bren gradualisht pjesët e trupit të njeriut: gishtat e duarve e të këmbëve, veshët, hundën dhe buzët. Për të ruajtur të tjerët nga rreziku i infektimit, Ligji i Perëndisë, në lidhje me të lebrosurit, thotë: «Ai duhet të mbulojë mustaqet dhe të bërtasë: ‘I papastër, i papastër.’ Do të jetë i papastër për të gjitha ditët që plaga do të jetë në të . . . Duhet të banojë i izoluar.»—BR.

Dhjetë të lebrosurit i respektojnë kufizimet që përcakton Ligji për ta dhe qëndrojnë mjaft larg nga Jezui. Megjithatë, ata thërrasin me zë të lartë: «Mjeshtër, Jezus, ki mëshirë për ne.»

Duke i parë nga larg, Jezui urdhëron: «Shkoni e paraqituni te priftërinjtë.» Jezui e thotë këtë, sepse Ligji i Perëndisë autorizon priftërinjtë për të shpallur të pastër ata të lebrosur që janë shëruar. Në këtë mënyrë, ata marrin aprovimin për të jetuar përsëri midis njerëzve të shëndoshë.

Dhjetë të lebrosurit kanë besim në fuqinë e mrekullueshme të Jezuit. Prandaj ata largohen me nxitim për të takuar priftërinjtë, ndonëse akoma nuk janë shëruar. Ndërsa janë në rrugë e sipër, besimi i tyre shpërblehet. Ata fillojnë të shohin e të ndiejnë se shëndeti u është kthyer!

Nëntë nga të lebrosurit e pastruar vazhdojnë rrugën, ndërsa i lebrosuri tjetër, një samaritan, kthehet për të kërkuar Jezuin. Përse? Sepse ai është shumë mirënjohës për atë që i ka ndodhur. Ai lëvdon Perëndinë me zë të lartë dhe kur e gjen Jezuin, bie para këmbëve të tij, duke e falënderuar.

Në përgjigje të kësaj, Jezui thotë: «A nuk u shëruan që të dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët? A nuk u gjet asnjë që të kthehet për t’i dhënë lavdi Perëndisë, përveç këtij të huaji?»

Pastaj ai i thotë samaritanit: «Çohu dhe shko; besimi yt të shëroi.»

Ndërsa lexojmë për shërimin e dhjetë të lebrosurve nga Jezui, ne duhet të marrim për zemër mësimin që përfshihet në pyetjen e tij: «Ku janë nëntë të tjerët?» Mosmirënjohja e manifestuar nga nëntë burrat, është një e metë serioze. Po ne, a do të tregohemi, ngjashëm samaritanit, mirënjohës për gjërat që marrim prej Perëndisë, duke përfshirë premtimin e sigurt për jetën e përhershme në botën e re të drejtë të Perëndisë? Gjoni 11:54, 55; Luka 17:11-19; Levitiku 13:16, 17, 45, 46; Zbulesa 21:3, 4.

▪ Në ç’mënyrë bën Jezui që të dështojnë përpjekjet për ta vrarë?

▪ Nëpër cilat vende udhëton Jezui më pas dhe cili është destinacioni i tij?

▪ Përse të lebrosurit qëndrojnë larg dhe përse Jezui u thotë të shkojnë te priftërinjtë?

▪ Çfarë mësimi duhet të nxjerrim nga kjo ngjarje?