Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shfaqje të tjera

Shfaqje të tjera

Kapitulli 129

Shfaqje të tjera

DISHEPUJT janë akoma të ligështuar. Ata nuk e kuptojnë domethënien e varrit të boshatisur dhe as u besojnë dëshmive të grave. Kështu, më vonë atë të dielë, Kleopa dhe një dishepull tjetër nisen nga Jerusalemi për në Emaus, një distancë prej rreth 11 kilometrash.

Gjatë rrugës, ndërsa po diskutojnë mbi ngjarjet e ditës, me ta bashkohet edhe një i huaj. «Ç’janë këto biseda që bëni me njëri-tjetrin udhës?»—i pyet ai.

Dishepujt ndalojnë me fytyra të dëshpëruara dhe Kleopa përgjigjet: «Je ti i vetmi i huaj në Jerusalem, që nuk i di gjërat që kanë ndodhur këtu në këto ditë?» Ai pyet: «Cilat?»

«Gjërat në lidhje me Jezuin, nazareasin,—përgjigjen ata.—Krerët e priftërinjve dhe sundimtarët tanë e dorëzuan në dënimin me vdekje dhe e vunë në shtyllë. Por ne shpresonim se ky ishte njeriu i paracaktuar për të çliruar Izraelin.»—BR.

Kleopa dhe shoku i tij tregojnë ngjarjet e çuditshme të ditës: lajmin në lidhje me shfaqjen e mbinatyrshme të engjëjve dhe në lidhje me varrin e boshatisur. Megjithatë pastaj pranojnë se janë në konfuzion për sa i përket domethënies së këtyre gjërave. I huaji i qorton ata duke thënë: «O budallenj dhe zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët! Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e tij?» Pastaj, u shpjegon atyre fragmente nga shkrimi i shenjtë që i përkasin Krishtit.

Më në fund, ata arrijnë afër Emausit dhe i huaji bën sikur vazhdon më tej. Por dishepujt, duke dashur të dëgjojnë më tepër, e nxitin: «Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron.» Kështu, ai qëndron për të ngrënë. Ndërsa bën një lutje dhe thyen bukën e ua jep atyre, ata e kuptojnë se ai është pikërisht Jezui në një trup njerëzor të materializuar. Por menjëherë pas kësaj ai zhduket.

Tani ata e kuptojnë se përse i huaji dinte kaq shumë gjëra! «Po a nuk na digjej zemra përbrenda,—pyesin ata,—kur ai na fliste udhës dhe na hapte shkrimet?» Pa vonesë, ata ngrihen dhe, duke u kthyer, nxitojnë përsëri për në Jerusalem, ku gjejnë apostujt dhe të tjerë të mbledhur me ta. Para se Kleopa dhe shoku i tij të arrijnë të hapin gojën, të tjerët njoftojnë të emocionuar: «Zoti u ringjall me të vërtetë dhe iu shfaq Simonit.» Më pas, këta të dy tregojnë se si Jezui u është shfaqur edhe atyre. Bashkë me këtë, bëhen katër rastet në të cilat Jezui u është shfaqur gjatë ditës dishepujve të ndryshëm.

Papritur, Jezui shfaqet për herë të pestë. Megjithëse dyert janë të mbyllura për shkak të frikës që kanë dishepujt nga judenjtë, ai hyn dhe qëndron tamam në mes tyre e u thotë: «Paqja me ju!» Ata tmerrohen, duke menduar se po shohin ndonjë frymë. Prandaj, duke u shpjeguar se nuk është një vegim, Jezui thotë: «Pse jeni shqetësuar dhe pse në zemrat tuaja po lindin dyshime? Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam.» Por akoma ata ngurrojnë të besojnë.

Për t’i ndihmuar që të kuptojnë se është me të vërtetë Jezui, ai pyet: «A keni këtu diçka për të ngrënë?» Pasi merr një copë peshk të pjekur dhe e ha, thotë: «Këto janë fjalët që unë ju thoja kur isha ende me ju [para vdekjes sime]: se duhet të përmbushen të gjitha gjërat që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe në psalmet.»

Duke vazhduar atë që në fakt është një studim biblik me ta, Jezui u mëson: «Kështu është shkruar dhe kështu ishte e nevojshme që Krishti të vuante dhe të ngjallej së vdekuri ditën e tretë, dhe që në emër të tij të predikohet pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjithë popujt, duke filluar nga Jerusalemi. Dhe ju jeni dëshmitarët e këtyre gjërave.»

Për ndonjë arsye, Thomai nuk është i pranishëm në këtë mbledhje jetësore të së dielës në mbrëmje. Kështu, në ditët që vijojnë, të tjerët i thonë me gëzim: «Kemi parë Zotin.»

«Po nuk e pashë në duart e tij shenjën e gozhdëve,—kundërshton Thomai,—dhe po nuk e vura gishtin tim te shenja e gozhdëve dhe dorën time në brinjën e tij, unë nuk do të besoj.»

Tetë ditë më vonë, dishepujt janë mbledhur përsëri në një shtëpi. Këtë herë me ta është edhe Thomai. Megjithëse dyert janë të mbyllura, Jezui edhe një herë qëndron në mes tyre dhe thotë: «Paqja me ju!» Pastaj, duke u drejtuar nga Thomai, e fton: «Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; shtrije edhe dorën dhe vëre në brinjën time; dhe mos ji mosbesues.»

«Zoti im dhe Perëndia im!»—thërret Thomai.

«Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar?—pyet Jezui.—Lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!» Luka 24:11, 13-48; Gjoni 20:19-29.

▪ Cilat pyetje i bën një i huaj dy dishepujve gjatë rrugës për në Emaus?

▪ Çfarë thotë i huaji që i bën zemrat e dishepujve të digjen përbrenda?

▪ Si e dallojnë dishepujt se kush është i huaji?

▪ Kur kthehen në Jerusalem, çfarë lajmi emocionues dëgjojnë Kleopa dhe shoku i tij?

▪ Si u shfaqet për herë të pestë Jezui dishepujve të tij dhe çfarë ndodh gjatë kësaj shfaqjeje?

▪ Çfarë ndodh tetë ditë pas shfaqjes së pestë të Jezuit dhe si bindet më në fund Thomai se Jezui është gjallë?