Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shpërthen një grindje

Shpërthen një grindje

Kapitulli 115

Shpërthen një grindje

PAK më parë, në atë mbrëmje, Jezui dha një mësim të shkëlqyer në lidhje me shërbimin e përulur, duke u larë këmbët apostujve të tij. Më pas, ai themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij e cila po afrohet. Tani, ndodh diçka vërtet befasuese, sidomos duke pasur parasysh atë që sapo ka ndodhur. Midis apostujve të tij lind një diskutim i zjarrtë, mbi atë se cili prej tyre duket se është më i madhi! Me sa duket, kjo është pjesë e një grindjeje që vazhdon prej kohësh.

Kujtoni që, pas shpërfytyrimit të Jezuit në mal, apostujt u grindën mbi atë se kush ishte më i madhi midis tyre. Përveç kësaj, Jakovi dhe Gjoni kërkuan pozita të shquara në Mbretëri, gjë që çoi në mosmarrëveshje të mëtejshme midis apostujve. Tani, në natën e tij të fundit me ta, sa i trishtuar duhet të jetë Jezui, ndërsa i sheh përsëri duke u zënë! Çfarë bën ai?

Në vend se t’u heqë veshin apostujve për sjelljen e tyre, akoma edhe një herë, me durim, Jezui arsyeton me ta: «Mbretërit e kombeve i sundojnë ato dhe ata që ushtrojnë pushtet mbi to quhen bamirës. Por me ju mos qoftë kështu. . . . Në fakt kush është më i madh: ai që është në tryezë apo ai që shërben? Vallë a s’është ai që rri në tryezë?» Pastaj, duke u kujtuar shembullin e tij, ai u thotë: «E pra, unë jam midis jush porsi ai që shërben.»

Me gjithë papërsosmëritë e tyre, apostujt e kanë mbështetur Jezuin gjatë sprovave të tij. Prandaj ai u thotë: «Unë bëj një besëlidhje me ju, ashtu si Ati im ka bërë një besëlidhje me mua, për një mbretëri.» (BR) Kjo besëlidhje personale midis Jezuit dhe ithtarëve të tij besnikë, i bashkon ata me të për të qenë pjesëmarrës në sundimin e tij mbretëror. Vetëm një numër i kufizuar prej 144.000 personash do të pranohen më në fund në këtë besëlidhje për një Mbretëri.

Edhe pse apostujve u është paraqitur perspektiva e mrekullueshme për të marrë pjesë me Krishtin në sundimin e Mbretërisë, për momentin ata janë të dobët frymësisht. «Në këtë natë, të gjithë ju do të pengoheni në lidhje me mua»,—thotë Jezui. (BR) Megjithatë, pasi i thotë Pjetrit se është lutur për të, Jezui e nxit: «Kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu.»

«Djema,—shpjegon Jezui,—edhe për pak kohë jam me ju; ju do të më kërkoni, por ashtu siç u kam thënë judenjve: ‘Atje ku po shkoj unë ju nuk mund të vini.’ Kështu tani po ju them edhe juve. Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin. Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»

«Zot, ku po shkon?»—pyet Pjetri.

«Atje ku po shkoj unë, ti nuk mund të më ndjekësh tani,—përgjigjet Jezui,—por më vonë do të më ndjekësh.»

«Zot, pse nuk të ndiqkam dot tani?—do të dijë Pjetri.—Unë do të jap jetën time për ty.»

«Ti do ta japësh jetën tënde për mua?—pyet Jezui.—Unë po të them në të vërtetë se sot, pikërisht në këtë natë, para se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë.»

«Edhe sikur të më duhet të vdes me ty,—kundërshton Pjetri,—nuk do të të mohoj kurrë.» Dhe, ndërsa apostujt e tjerë thonë të njëjtën gjë, Pjetri mburret: «Edhe sikur të gjithë të tjerët të pengohen në lidhje me ty, unë nuk do të pengohem kurrë!»—BR.

Duke iu referuar kohës kur i dërgoi apostujt në një udhëtim predikimi në Galile, pa qese parash dhe pa trasta buke, Jezui pyet: «Vallë a ju mungoi gjë?»

«Asgjë»,—përgjigjen ata.

«Po tani, kush ka një trastë le ta marrë me vete dhe po kështu thesin,—thotë ai,—dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë rrobën e vet e ta blejë një. Sepse unë po ju them se çfarë është shkruar duhet të plotësohet ende në mua: ‘Dhe ai është radhitur ndër keqbërësit.’ Sepse ato gjëra që janë shkruar për mua do të kenë kryerjen e tyre.»

Jezui po flet për kohën kur do të vihet në shtyllë bashkë me keqbërësit apo shkelësit e ligjit. Ai po tregon gjithashtu, se pas kësaj ithtarët e tij do të hasin persekutim të ashpër. «Zot, ja këtu dy shpata»,—thonë ata.

«Mjaft»,—përgjigjet ai. Siç do të shikojmë, pasja e shpatave me vete, pas pak do t’i japë mundësi Jezuit për të dhënë një mësim tjetër jetësor. Mateu 26:31-35; Marku 14:27-31; Luka 22:24-38; Gjoni 13:31-38; Zbulesa 14:1-3.

▪ Përse grindja e apostujve është kaq befasuese?

▪ Si e trajton Jezui situatën e krijuar nga grindja?

▪ Çfarë realizohet me anë të besëlidhjes që Jezui bën me dishepujt e tij?

▪ Çfarë urdhërimi të ri jep Jezui dhe sa i rëndësishëm është ai?

▪ Çfarë sigurie të tepruar shfaq Pjetri dhe çfarë i thotë Jezui?

▪ Përse udhëzimet e Jezuit, në lidhje me marrjen e një qeseje parash dhe të një traste buke, ndryshojnë nga ato që ka dhënë më parë?