Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shpresa e ringjalljes

Shpresa e ringjalljes

Kapitulli 90

Shpresa e ringjalljes

MË NË fund, Jezui mbërrin në periferi të Betanisë, një fshat afërsisht tre kilometra larg Jerusalemit. Kanë kaluar vetëm pak ditë që nga vdekja dhe varrosja e Lazrit. Motrat e tij, Maria dhe Marta, akoma mbajnë zi dhe shumë njerëz kanë ardhur në shtëpinë e tyre për t’i ngushëlluar.

Ndërsa mbajnë zi, dikush e njofton Martën se Jezui është duke ardhur. Kështu, ajo del dhe nxiton ta takojë, me sa duket, pa i thënë të motrës. Me të mbërritur te Jezui, Marta përsërit frazën që ajo dhe motra e saj, duhet ta kenë thënë shumë herë gjatë këtyre katër ditëve që kanë kaluar: «Po të ishe këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur.»

Megjithatë, me fjalët e saj, Marta shpreh në mënyrë të tërthortë shpresën se Jezui mund të bëjë akoma diçka për vëllanë e saj. «E di se të gjitha ato që ti i kërkon Perëndisë, Perëndia do të t’i japë»,—thotë ajo.

«Yt vëlla do të ringjallet»,—premton Jezui.

Marta mendon se Jezui po flet për një ringjallje të ardhme në tokë, për të cilën shpresuan edhe Abrahami e shërbëtorë të tjerë të Perëndisë. Prandaj, përgjigjet: «E di se do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit.»

Megjithatë, Jezui jep shpresë për një çlirim të menjëhershëm, duke thënë: «Unë jam ringjallja dhe jeta.» Ai i kujton Martës se Perëndia i ka dhënë pushtet mbi vdekjen, duke thënë: «Ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë. Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë.»

Jezui nuk po i thotë Martës se personat besimplotë që në atë kohë ishin ende gjallë, nuk do të vdisnin kurrë. Jo, pika që ai thekson është se ushtrimi i besimit në të, mund të çojë në jetën e përhershme. Një jetë të tillë, shumica e njerëzve do ta gëzojnë falë ringjalljes në ditën e fundit. Por të tjerë që janë besimplotë, do të mbijetojnë në fund të këtij sistemi gjërash mbi tokë dhe në lidhje me këta, fjalët e Jezuit do të dalin të vërteta në kuptim krejt të mirfilltë. Ata nuk do të vdesin kurrë! Pas kësaj deklarate të jashtëzakonshme, Jezui pyet Martën: «A e beson këtë?»

«Po, Zot,—përgjigjet ajo,—unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që duhet të vinte në botë.»

Pastaj, Marta kthehet me nxitim për të thirrur të motrën dhe i thotë veçmas: «Mësuesi është këtu dhe po të thërret.» Menjëherë, Maria del nga shtëpia. Kur të tjerët e shohin që largohet, e ndjekin, duke menduar se po shkon te varri përkujtimor.

Me të arritur te Jezui, Maria bie para këmbëve të tij, duke qarë. «Zot, po të ishe ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur»,—thotë ajo. Jezui preket thellë kur shikon se Maria dhe turmat që e ndjekin po qajnë. «Ku e keni vënë?»—pyet ai.

«Zot, eja e shih!»—përgjigjen ata.

Edhe Jezui nuk i përmban dot lotët dhe për shkak të kësaj judenjtë thonë: «Shih, sa e donte!»

Disa kujtojnë se pak muaj më parë, në kohën e festës së tabernakujve, Jezui kishte shëruar një djalë të ri, i cili kishte lindur i verbër, prandaj pyesin: «Ky, që i hapi sytë të verbrit, s’mund të bënte që ky të mos vdiste?» Gjoni 5:21; 6:40; 9:1-7; 11:17-37.

▪ Kur mbërrin më në fund Jezui afër Betanisë dhe si është situata atje?

▪ Çfarë baze ka Marta për të besuar në një ringjallje?

▪ Si ndikon mbi Jezuin vdekja e Lazrit?