Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shtatzënë, por jo e martuar

Shtatzënë, por jo e martuar

Kapitulli 4

Shtatzënë, por jo e martuar

MARIA është në muajin e tretë të shtatzënisë. Ju e mbani mend se periudhën e hershme të shtatzënisë ajo e kaloi gjatë vizitës së saj tek Elizabeta, por tani ajo është kthyer në Nazaret, në shtëpinë e saj. Shumë shpejt gjendja e saj do të bëhet e njohur për të gjithë në qytet. Ajo ndodhet në një situatë vërtet të ankthshme!

Gjendja rëndohet edhe më tepër nga fakti që Maria është e fejuar me Jozefin, një zdrukthëtar. Ajo e di mirë se sipas ligjit që Perëndia i ka dhënë Izraelit, një grua e fejuar që kryen marrëdhënie seksuale të vullnetshme me një burrë tjetër, duhet vrarë me gurë. Si mund t’ia shpjegojë ajo Jozefit shtatzëninë e saj?

Pasi Maria ka qenë larg për tre muaj, mund të jemi të sigurt se Jozefi mezi pret që ta shohë. Ka të ngjarë që sapo takohen, Maria i jep lajmin. Ndoshta bën të pamundurën për t’i shpjeguar se shtatzënia e saj është vepër e frymës së shenjtë të Perëndisë, por, siç mund ta imagjinoni, Jozefi e ka tepër të vështirë ta besojë një gjë të tillë.

Jozefi e di se çfarë reputacioni të shkëlqyer gëzon Maria dhe me sa duket e do me gjithë zemër. Por megjithatë, pavarësisht nga ajo që Maria mund të pohojë, duket vërtet sikur ndonjë burrë e ka lënë shtatzënë. Edhe pse mendon kështu, Jozefi nuk dëshiron që ajo të vritet me gurë ose të poshtërohet publikisht. Kështu, vendos të divorcohet prej saj në mënyrë të fshehtë. Në atë kohë, personat e fejuar konsideroheshin si të martuar, prandaj për të prishur një fejesë ishte i nevojshëm një divorc.

Më vonë, ndërsa vazhdon të mendojë akoma për këto gjëra, Jozefi shkon të flejë. Një engjëll i Jehovait i shfaqet në ëndërr dhe i thotë: «Mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë si gruan tënde, sepse ç’është ngjizur në të është vepër e frymës së shenjtë. Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do t’ia vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre.»

Sa mirënjohës është Jozefi kur zgjohet! Pa u menduar dy herë ai vepron pikërisht ashtu si e kishte udhëzuar engjëlli dhe e merr Marinë në shtëpinë e tij. Ky veprim publik, në të vërtetë, është baraz me ceremoninë martesore dhe bën të njohur publikisht se Jozefi dhe Maria që nga ai moment janë të martuar zyrtarisht. Megjithatë, Jozefi nuk kryen marrëdhënie seksuale me Marinë, gjatë gjithë kohës që ajo është akoma shtatzënë me Jezuin.

Shikoni! Edhe pse është në muajt e fundit të shtatzënisë, Jozefi e hipën Marinë mbi një gomar. Vallë ku po shkojnë dhe përse po nisen për udhëtim, ndërkohë që Maria është gati për të lindur? Luka 1:39-41, 56; Mateu 1:18-25; Ligji i përtërirë 22:23, 24.

▪ Cila është gjendja shpirtërore e Jozefit, kur mëson se Maria është shtatzënë dhe pse?

▪ Si është e mundur që Jozefi dhe Maria të divorcohen, kur akoma nuk janë martuar?

▪ Cili veprim publik luan rolin e ceremonisë martesore për Jozefin dhe Marinë?