Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shumë dishepuj nuk e ndjekin më Jezuin

Shumë dishepuj nuk e ndjekin më Jezuin

Kapitulli 55

Shumë dishepuj nuk e ndjekin më Jezuin

JEZUI është duke mësuar njerëzit në një sinagogë të Kapernaumit, lidhur me rolin e tij si buka e vërtetë prej qiellit. Fjalimi i tij, me sa duket, është një zgjerim i diskutimit që filloi me njerëzit, kur ata e gjetën pas kthimit nga bregu lindor i Detit të Galilesë, ku kishin ngrënë nga buka dhe peshqit e siguruar në mënyrë të mrekullueshme.

Jezui komenton më tej, duke thënë: «Buka që do të jap unë është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës.» Vetëm dy vjet më parë, në pranverë të vitit 30 të e.s., Jezui i tha Nikodemit se Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij si Shpëtimtar. Prandaj, tani Jezui po tregon se çdo individ në botën e njerëzimit, që ha në mënyrë simbolike nga mishi i tij, duke ushtruar besim në sakrificën që ai ka për të bërë së shpejti, mund të fitojë jetën e përhershme.

Por fjalët e Jezuit bëhen pengesë për njerëzit. «Si mundet ky të na japë të hamë mishin e tij?»—pyesin ata. Jezui do që dëgjuesit e tij të kuptojnë se ngrënia e mishit të tij do të bëhej në një kuptim figurativ. Prandaj, për të theksuar këtë, ai thotë diçka që është akoma më e papranueshme, nëse merret në kuptimin e mirfilltë.

«Po të mos hani mishin e Birit të njeriut dhe të mos pini gjakun e tij,—deklaron Jezui,—nuk keni jetë në veten tuaj. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit. Sepse mishi im është me të vërtetë ushqim dhe gjaku im është me të vërtetë pije. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të.»

Vërtet, mësimet e Jezuit do të tingëllonin shumë fyese, nëse ai do të ishte duke këshilluar kanibalizmin. Por sigurisht, Jezui nuk po përkrah ngrënien e mishit dhe pirjen e gjakut, në kuptimin e mirfilltë. Ai, thjesht, po thekson se të gjithë ata që duan të marrin jetën e përhershme, duhet të ushtrojnë besim në flijimin që ai do të bëjë së shpejti, kur do të ofrojë trupin e tij të përsosur njerëzor dhe do të derdhë gjakun e tij. Megjithatë, madje edhe shumë nga dishepujt e tij, nuk bëjnë asnjë përpjekje për të kuptuar mësimet e tij, prandaj kundërshtojnë, duke thënë: «Ky i folur është skandoloz, kush mund ta dëgjojë?»—BR.

Duke e ditur se shumë nga dishepujt e tij janë duke murmuritur, Jezui thotë: «Kjo ju skandalizon? Ç’do të ishte po ta shihnit, pra, Birin e njeriut duke u ngjitur atje ku ishte më parë? . . . Fjalët që po ju them janë frymë dhe jetë. Por janë disa midis jush që nuk besojnë.»

Jezui vazhdon: «Për këtë arsye ju thashë se askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë nga Ati im.» Me të dëgjuar këtë, shumë nga dishepujt e tij largohen dhe nuk e ndjekin më. Atëherë, Jezui kthehet nga 12 apostujt e tij dhe i pyet: «A doni edhe ju të largoheni?»

Pjetri përgjigjet: «Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përhershme. Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë.» Çfarë shprehje e shkëlqyeshme e besnikërisë, edhe pse Pjetri dhe apostujt e tjerë mund të mos i kenë kuptuar plotësisht mësimet e Jezuit mbi këtë aspekt.

Megjithëse është i kënaqur me përgjigjen e Pjetrit, Jezui vëren: «A nuk ju zgjodha unë ju të dymbëdhjetë? Megjithatë një prej jush është një shpifës.» (BR) Ai i referohet Judë Iskariotit. Ndoshta në këtë kohë, Jezui zbulon te Juda, ‘fillimin’ apo nisjen e një rruge të gabuar.

Jezui sapo i ka zhgënjyer njerëzit, duke u rezistuar përpjekjeve të tyre për ta bërë mbret dhe ndoshta ata janë duke arsyetuar: ‘Si mund të jetë ky Mesia, nëse nuk merr pozitën që me të drejtë i takon Mesisë?’ Edhe kjo, duhet të jetë një çështje akoma e freskët në mendjet e njerëzve. Gjoni 6:51-71; 3:16.

▪ Për cilët e jep Jezui mishin e tij dhe në ç’kuptim e ‘hanë mishin e tij’ këta?

▪ Cilat fjalë të mëtejshme të Jezuit, janë skandaloze për njerëzit, por çfarë thekson ai me anë të tyre?

▪ Kur shumë dishepuj nuk e ndjekin më Jezuin, cila është përgjigjja e Pjetrit?