Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të demaskuar me anë të ilustrimeve të vreshtit

Të demaskuar me anë të ilustrimeve të vreshtit

Kapitulli 106

Të demaskuar me anë të ilustrimeve të vreshtit

JEZUI është në tempull. Ai sapo i ka hutuar krerët fetarë të cilët kërkonin të dinin se me çfarë autoriteti i bën ai gjërat. Para se ta marrin veten nga konfuzioni i tyre, Jezui i pyet: «Çfarë mendoni?» Dhe më pas, me anë të një ilustrimi, u tregon atyre se ç’lloj personash janë me të vërtetë.

«Një njeri kishte dy bij,—tregon Jezui.—Duke shkuar tek i pari, i tha: ‘Bir, shko të punosh në vresht sot.’ Si përgjigje ky i tha: ‘Po zotëri, do të shkoj’, por nuk shkoi. Duke iu afruar të dytit, i tha të njëjtën gjë. Si përgjigje, ky i tha: ‘Nuk do të shkoj.’ Më pas ai u pendua dhe shkoi. Cili prej të dyve e kreu vullnetin e të atit?»—pyet Jezui.—BR.

«I fundit»,—përgjigjen kundërshtarët e tij.

Kështu, Jezui shpjegon: «Në të vërtetë ju them se tagrambledhësit dhe prostitutat hyjnë para jush në mbretërinë e qiejve.» Në të vërtetë, taksambledhësit dhe prostitutat, fillimisht refuzuan t’i shërbenin Perëndisë. Por më pas, ngjashëm djalit të dytë, u penduan dhe i shërbyen atij. Nga ana tjetër, krerët fetarë, ngjashëm djalit të parë, pretendonin se i shërbenin Perëndisë, por, siç vëren Jezui: «Gjoni [Gjon Pagëzuesi] erdhi tek ju në rrugën e drejtësisë, por ju nuk e besuat, ndërsa tagrambledhësit dhe prostitutat i besuan; as mbasi i keni parë këto gjëra, nuk u penduat për t’i besuar.»

Pas kësaj, Jezui tregon se dështimi i atyre krerëve fetarë nuk qëndron thjesht në faktin se e kanë lënë pas dore shërbimin e Perëndisë. Jo, ata janë në të vërtetë njerëz të poshtër, të ligj. «Ishte një pronar shtëpie,—thotë Jezui,—i cili mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, gërmoi një vend ku të shtrydhte rrushin, ndërtoi një kullë dhe, mbasi ua besoi disa vreshtarëve, u nis për në një vend të huaj. Dhe kur erdhi koha e të vjelave, ai dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët, për të marrë frutat e tij, por vreshtarët i kapën shërbëtorët e tij, njërin e rrahën, një tjetër e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë. Përsëri, ai dërgoi shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët dhe këta vreshtarët i trajtuan në të njëjtën mënyrë.»

«Shërbëtorët» janë profetët, të cilët ‘pronari i shtëpisë’, Perëndia Jehova i dërgoi te «vreshtarët» e ‘vreshtit’ të tij. Këta vreshtarë janë përfaqësuesit kryesorë të kombit të Izraelit, komb të cilin Bibla e identifikon si ‘vreshti’ i Perëndisë.

Meqenëse «vreshtarët» i keqtrajtojnë dhe i vrasin «shërbëtorët», Jezui shpjegon: «Më në fund ai [pronari i vreshtit] u dërgoi atyre birin e vet duke thënë: ‘Për djalin tim do të kenë respekt.’ Por vreshtarët, kur e panë të birin, i thanë njëri-tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari; ejani, ta vrasim dhe të marrim si pronë trashëgiminë e tij.’ Dhe e kapën, e nxorrën jashtë vreshtit dhe e vranë.»

Tani, duke iu drejtuar krerëve fetarë, Jezui pyet: «Kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?»

«Ai do t’i vrasë ata faqezinj,—përgjigjen krerët fetarë,—dhe do t’ua besojë vreshtin vreshtarëve të tjerë, të cilët do t’i japin prodhimet në kohën e vet.»

Në këtë mënyrë, pa dashje, ata kanë shpallur dënimin mbi veten, pasi ata vetë përfshihen midis «vreshtarëve» izraelitë të «vreshtit» të Jehovait, kombit të Izraelit. Fryti që Jehovai pret prej këtyre vreshtarëve është besimi te Biri i tij, Mesia i vërtetë. Meqenëse ata nuk e prodhojnë një fryt të tillë, Jezui paralajmëron: «A nuk keni lexuar kurrë në shkrimet [në Psalmin 118:22, 23]: ‘Guri, që ndërtuesit e nxorën të papërdorshëm, u bë guri i qoshes. Kjo është vepër e Zotit dhe është e mrekullueshme në sytë tanë?’ Prandaj unë po ju them se juve do t’ju hiqet mbretëria e Perëndisë dhe do t’i jepet një kombi që do ta bëjë të jap fryt. Dhe ai që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copë-copë; dhe ai mbi të cilin do të bjerë do të jetë i thërmuar.»

Tani, skribët dhe krerët e priftërinjve e kuptojnë se Jezui po flet për ta dhe duan ta vrasin atë, ‘trashëgimtarin’ e ligjshëm. Për këtë arsye, privilegji për të qenë sundimtarë në Mbretërinë e Perëndisë do t’u hiqet atyre si komb dhe do të krijohet një komb i ri ‘vreshtarësh’, një komb që do të prodhojë fryte të përshtatshme.

Pasi kanë frikë nga turma, e cila e konsideron Jezuin një profet, krerët fetarë nuk përpiqen ta vrasin atë në këtë rast. Mateu 21:28-46; Marku 12:1-12; Luka 20:9-19; Isaia 5:1-7.

▪ Kë përfaqësojnë dy bijtë në ilustrimin e parë të Jezuit?

▪ Në ilustrimin e dytë, cilët përfaqësojnë ‘pronari i shtëpisë’, ‘vreshti’, ‘vreshtarët’, ‘shërbëtorët’ dhe ‘trashëgimtari’?

▪ Si do të përfundojnë ‘vreshtarët’ dhe kush do t’i zëvendësojë ata?